Viti 2011 shënoi kulmin e taksave te nafta dhe cigaret

5 Mars 2012, 10:52Politika TEMA

Qeveria shqiptare arkëtoi shumë më tepër taksa për çdo litër karburant apo çdo paketë cigaresh të konsumuara gjatë vitit 2011 sesa pati arkëtuar në vitet 2009 dhe 2010, duke dëshmuar se taksat më të larta kanë qenë shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në treg.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të ardhurat e qeverisë për çdo ton karburant të importuar u rritën me 8.8 për qind gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin 2010 dhe me 25 për qind në krahasim me vitin 2009 publikon gazeta ‘Shqip’.

Taksat e arkëtuara për çdo kg cigare të importuar, u rritën gjithashtu me 20 për qind në krahasim me vitin 2010 dhe me 43 për qind në krahasim me vitin 2009. Me rritje qenë edhe taksat e arkëtuara për birrën e kafenë, por te këto dy produkte, rritja ka qenë më e vogël. Rritja e taksave shpjegon edhe se pse qeveria arriti të rrisë të ardhurat në buxhet nga importi i karburanteve, ndërkohë që sasia e importuar ka rënë.

Aktualisht, shqiptarët po përballen me çmimet më të larta të karburantit në historinë e vet. Me një litër naftë të shitur në treg për 180-190 lekë, shqiptarët po e ndiejnë koston e karburantit më shumë se kurrë.

Duke krahasuar sasinë e karburanteve të importuara me të ardhurat e realizuara nga doganat, rezulton se në vitin 2009, shteti arkëtonte 52 lekë për litër karburant ndërsa në vitin 2010 arkëtoi 60 dhe vitin e kaluar, 66 lekë për litër. Taksat e arkëtuara këtë vit do të jenë edhe së paku pesë lekë të tjera më të larta./TCH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje