Besart Berisha është futbollisti i parë shqiptar që ka shënuar gol në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të Evropës. Në garën më prestigjioze europiane të klubeve në futboll, Berisha shënoi në dhjetor të vitit 2006. Pesë vite më vonë, sulmuesi është futur në histori edhe për një tjetër gjë. Ai është bërë futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur në Ligën e Kampionëve në dy kontinente të ndryshme. Berisha 26-vjeçar aktualisht luan për skuadrën australiane, Brisbane Roar. Me këtë skuadër të martën ka debutuar në Ligën e Kampionëve të një kontinenti tjetër, Azisë.
Ekipet më të mira të Australisë prej vitit 2007 luajnë në Ligën e Kampionëve të Azisë. Në këtë kompeticion marrin pjesë 32 ekipet më të mira të Azisë e Australisë, të ndara në tetë grupe. Skuadra e Berishës, Brisbane Roar është kampione në fuqi e Australisë. Brisbane për herë të parë paraqitet në “AFC Champions League”.
“Aktivizimi në Ligën e Kampionëve të Azisë ka vlerë shumë të madhe për mua. Jam shumë i kënaqur me këtë përvojë. Në këtë garë marrin pjesë ekipet më të mira të Azisë dhe cilësia është në nivel të lartë. “Championsi” aziatik ka vlerë të madhe”, ka thënë Berisha të mërkurën. Brisbane e Berishës, të marten, në kuadër të javës së parë të fazës së grupeve humbi në shtëpi nga Tokyo e Japonisë me rezultatin 2-0. Berisha luajti 90 minuta.
“Në Ligën e Kampionëve të Evropës luajnë ekipet më të forta në botë dhe lojtarët më të mirë. Në Ligën e Kampionëve të Azisë aktivizohen vetëm lojtarët më të mirë të Azisë e Australisë. Por, respekti për garën, organizimi dhe vlera është e njëjtë. Unë po përjetoj sërish ndjesinë e paraqitjes në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Berisha. “Jam shumë krenar që jam shqiptari i parë që kam shënuar në Ligën e Kampionëve. Do të kisha shumë dëshirë që të isha i pari që shënon edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë”, ka shtuar ai.
Besart Berisha në edicionin 2006-‘07 kishte luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me skuadrën gjermane, Hamburg. Në dy ndeshje, lojtari i Shqipërisë kishte realizuar një gol. Golin e shënoi më 6 dhjetor në ndeshjen kundër CKSA së Moskës. Në ndeshjet europiane, përkatësisht në Europa League, ai ka luajtur edhe me Rosenborgun norvegjez.
Berisha ka shënuar plot 17 gola në 23 ndeshje në kampionatin australian. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë në skuadër dhe në Ligë. Tashmë ka thyer disa rekorde të klubit e të kampionatit. “Kam shënuar 17 gola deri më tani dhe kjo shifër ka qenë befasi edhe për mua. Nuk kam pritur që do të shënoj kaq shumë gola. Golat që vijnë në vazhdim janë vetëm bonus. Kam thyer dhe do të thyej shumë rekorde”, ka theksuar Berisha./sport ekspres