Skuadra Marusia Formula 1 ka festuar më së miri Ditën Ndërkombëtare të Gruas duke lajmëruar se pilotja spanjolle, Maria De Vilota, do të jetë pilotja e tretë e kësaj skuadre.
“Jam shumë e lumtur ti bashkohem skuadrës Marusia F1 në programin e testimeve”, tha Vilota për Autosport.com. “Kjo është një mundësi fantastike për të punuar nga afër në botën e Formula 1 dhe për të fituar eksperiencë që do të më ndihmojë në karrierën time, duke përfshirë edhe mundësinë e artë për të nisur një makinë të tillë në testet e Abu Dabi më vonë gjatë vitit”, tha ajo.
Pilotja 32 vjeçare, e cila më parë ka garuar në F3 spanjolle, 24 Orët e Daitona, Kampionatin Formula Superleague dhe shumë gara të tjera, ka thënë se ambiciet e saj janë që një ditë të marrë pjesë në garat e Formula 1 si pilote zyrtare.
Ajo ka zhvilluar testime me një makinë të Formula 1 edhe në sezonin e kaluar, kur skuadra Reno i dha mundësinë që të bëhej femra e parë që testonte makina gare që pas eksperimentit me Katerin Lezhe në vitin 2005. /lajmeshqip