IFFHS ka publikuar renditjen botërore të golashënuesve më të mirë të shekullit të 21-të ku vendin e parë e mban sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba. Që nga vitit 2011, deri në vitin 2001, futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka shënuar 92 gola të vlefshëm për këtë renditje.
Nga këto gola, 50 ai i ka shënuar me kombëtaren e vendit të tij, ndërsa 42 janë shënuar me fanellën e Çelsit në aktivitetet ndërkombëtare që përfshin rregullorja e renditjes. Sipas IFFHS, ai është ngjitur në kreun e renditjes vetëm falë golave të shënuar në vitin e fundit, pasi më parë renditja kryesohej nga Miroslav Klose, i cili aktualisht mban vendin e dytë.
Sulmuesi gjerman ka 88 gola në karrierën e tij, ndërsa ka lenë pas me vetëm një gol diferencë holandezin Rud van Nistelroi. Vendi i katërt i takon francezit Tierri Henri me 85 gola, i ndjekur nga Samuel Eto’o me 84 dhe David Vija me 80.
Ndërkohë, dy emrat që kanë mundësitë më të mëdha për të ngjitur shkallët në këtë renditje në vitet në vijim janë pikërisht Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, të cilët mbajnë respektivisht vendet 12 dhe 13 në këtë renditje.
Argjentinasi ka 69 gola në renditjen e shekullit, ndërsa portugezi e ndjek me vetëm 3 gola më pak, ndonëse ka më shumë vite karrierë se lojtari i Barcelonës.
Renditja e IFFHS merr parasysh vetëm golat e shënuar në ndeshjet e kombëtareve A, në turneun olimpik, Kupën e Botës për Klube FIFA, turnetë kontinentalë për klube të Konfederatave, ndeshjet e Superkupës të 6 Konfederatave dhe ndeshjet zyrtare mes kampionëve kontinentalë kur ato organizohen nga konfederatat.