Alegri: Brenda dy vjetësh duam të fitojmë Ligën e Kampioneve

5 Mars 2012, 13:14Sport TEMA

Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit, është i bindur se për një skuadër është e rëndësishme të ketë në përbërjen e saj yje dhe aktualisht kjo është ajo që pengon Arsenalin të shkëlqejë. Para sfidës mes dy ekipeve në Ligën e Kampioneve, Alegri ka treguar për “The Sun” se “topçinjtë” do ta kenë të vështirë të ngrihen në nivelet e mëparshme nëse nuk blejnë yje.

“Mendoj se është e pamundur të fitohet Liga e Kampioneve pa blerë lojtarë të mëdhenj. Këtë e them për çdo skuadër, përfshirë edhe Milanin. Unë kam një skuadër të fortë dhe brenda saj kam tre lojtarë të mëdhenj të cilët sjellin eksperiencë, karakter, aftësi teknike dhe drejtim. Të nevojiten liderë në skuadër”.

“Për mua në çdo skuadër ka dy liderë. Lideri teknik në skuadrën tonë është Zlatan Ibrahimoviç. Ndërsa për karakter, deri sezonin e kaluar kishim Gatuzon, tani kemi Van Bomel ose Tiago Silvën”, ka thënë ai.

Sipas tij, Arsenali duhet të veprojë si gjigandët italianë nëse dëshiron të ndalojë serinë prej 7 sezonesh radhazi pa trofe. “Nëse ata duan të fitojnë trofe, fillimisht duhet të mbajnë lojtarët e mëdhenj që kanë dhe më pas të firmosin me të tjerë. Nëse do të më thonin se këtë verë duheshin shitur Ibra dhe Boateng do të kundërshtoja”, tha ai duke iu referuar situatës së “topçinjve” të cilët në vitet e fundit kanë shitur lojtarë si Henri, Hleb, Flamini, Ture, Adebajor, Fabregas dhe Nasri.

“Fillimisht duhet të bindësh lojtarët e mëdhenj të qëndrojnë, e pastaj të ftosh të tjerë. Nëse i mban për 3-4 vite në skuadër do të kesh mundësinë të luftosh për Ligën e Kampioneve. Ky është plani im, të fitoj Ligën e Kampioneve brenda këtyre dy sezoneve. Nëse jemi me fat, këtë vit mund të arrijmë deri në finale, por duhet ta pranojmë se Reali dhe Barcelona aktualisht janë më ë fortë se ne”, tregoi Alegri.

Ndërkohë, fitorja 4-0 në sfidën e parë përballë Arsenalit nuk është se e mban të qetë trajnerin italian. “Me dy gola të shpejtë gjithçka vihet në diskutim. A janë të zotë të bëjnë përmbysje? Pse jo, e treguan pak ditë më parë kundër Totenhemit”, ishin fjalët e trajnerit të Milanit. /lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje