Arsen Venger mund të përballet me pezullimin e tij të dytë brenda vitit nga UEFA pasi është përballur pas ndeshjes me gjyqtarin e takimit kundër Milanit, Damir Skomina. Trajneri francez është zemëruar me gjyqtarin slloven për numrin e madh të faulleve të dhënë në favor të Milanit dhe për faktin se dha vetëm 3 minuta shtesë në fund të takimit. Sipas burimeve pranë skuadrës angleze, ai ka ofenduar gjyqtarët edhe me fjalë banale.
Incidenti vjen vetëm 12 muaj pasi Venger u dënua për të qëndruar në tribunë, pasi kritikoi gjyqtarët shkaktarë për eliminimin e Arsenalit përballë Barcelonës,
“Nuk jam i kënaqur me gjyqtarin pasi ai i dha kundërshtarëve shumë faulle në favor në mesfushë. Çdo goditje dënimi, sa herë që ata rrëzoheshin, shkonte në favor të tyre. Ata e kuptuan këtë dhe e përdorën mjaft mirë kundër nesh”, ishin fjalët e Venger.
Ai nuk është kursyer të kritikojë edhe UEFA-n, e cila nuk ka marrë masa që ndeshja e parë të luhej në një fushë më të mirë, duke i vënë pjesë të fajit për humbjen 4-0 në Milano terrenit të papërshtatshëm.
“Mund të duket si justifikim banal por UEFA duhet të përgjigjet, pasi gjobitesh kur mbërrin në stadium në orën 19.46, por është e lejuar të luash në një fushë të keqe dhe ata nuk reagojnë. Më duket e papranueshme që UEFA pranon fusha të tilla si ajo në Milano”, ishin fjalët e Venger, i cili nuk ka fajësuar Van Persin për rastin e humbur që mund ta çonte ndeshjen në 4-0.
“Çfarë mund të them për atë shans? Nëse ka një lojtar të cilin do të doja të shfaqej para porte me një rast të tillë, ai është Robin. Mendoj se ai donte të kalonte topin mbi portierin pasi ky i fundit ishte i shtrirë, por portieri u ngrit shumë shpejt dhe fatkeqësisht nuk mundëm të shënonim. Ne dhamë gjithçka në këtë ndeshje, treguam një shpirt të lartë gare dhe krenari pas asaj që ndodhi në ndeshjen e parë”, përfundoi trajneri francez.