Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka konfirmuar interesimin e tij për kapitenin e Arsenalit, Robin Van Persi, por beson se holandezi do të vazhdojë të qëndrojë te kjo skuadër edhe në sezonin e ardhshëm.
Futbollisti 28 vjeçar ka shënuar 32 gola për klubin londinez këtë sezon, por ka vendosur që të shtyjë gjatë verës bisedimet për rinovimin e kontratës që përfundon në vitin 2013.
“Ne jemi të interesuar për çdo lojtar të mirë. Kjo është normale, por nuk jemi vetëm ne. Të gjitha skuadrat e mira janë të interesuara për Van Persin. Mendoj se aktualisht ai është ndër sulmuesit më të mirë në Evropë bashkë me Mesin, Ronaldon, Agueron e Balotelin. Mendoj se është një sulmues i jashtëzakonshëm, por gjithashtu mendoj se do të qëndrojë te Arsenali”, tregoi Mançini.
Por drejtuesit e Mançester Sitit e kanë kapur fluturimthi sinjalin e trajnerit italian dhe po bëjnë gati një ofertë faraonike për sulmuesin Arsenalit. Sipas “DailyMail”, në mbarimin e sezonit, do t’i bëhet oferta zyrtare lojtarit, duke i vënë atij përpara një kontratë katërvjeçare prej 200 mijë paund në javë.
Ndërkohë, Arsenalit do t’i ofrohen rreth 25 milionë paund për shitjen holandezit, një shumë mëse e konsiderueshme për një futbollist i cili është në prag të përfundimit të kontratës.