Kuvendi i Kosovës, rezolutë kundër zgjedhjeve serbe

15 Mars 2012, 15:34Rajoni TEMA

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan sot rezolutën, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe për 6 maj edhe në territorin e Kosovës.  Në seancën e sotme plenare, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan me 75 vota pro kësaj resolute ndërkohë që po diskutohet përmbajtja e saj. Sipas mediave kosovare teksti i Rezolutës do të votohet në seancën e pasditës ndërsa përpara se të vendoset do të takohen edhe grupet parlamentare.
Më herët pas një debati të ashpër mes deputetit Ismet Beqiri dhe zëvendëskryeministres Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen.  Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi sqarime plotësuese nga kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri refuzoi, LDK doli nga salla.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, për këtë ekziston një qëndrim unik i institucioneve shtetërore të Kosovës. Kurse, sa i përket pjesës veriore, Thaçi ka thënë se për këtë pjesë të vendit nuk do të bisedohet asnjëherë me Serbinë.

“Një dialog i mundshëm për pjesën veriore nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. Kreu i Qeverisë ka thënë se dialogu i brendshëm me qytetarët e asaj pjese është zhvilluar dhe do të zhvillohet në vazhdimësi, por, sipas tij, në asnjë rast nuk do të diskutohet me Serbinë. Sa u përket pretendimeve për ndryshime kufijsh, kryeministri Thaçi ka theksuar se ua ketë bërë me dije edhe ndërkombëtarëve se shqiptarët më së miri mund të jetojnë në një shtet të vetëm.

 

1 komente në “Kuvendi i Kosovës, rezolutë kundër zgjedhjeve serbe”

  1. Luani says:

    Çka jeni duke bërë ju me popullin shqiptar, o të marrë? Nuk është e mundur pranimi i një rezolute mbi një rezolutë tjetër! Nëse ju e keni pranuar vullnetarisht rezolutën e parë (me numrin 1244 nga KB) nuk mund të kërkohet zbatimi i së dytës për të njëjtin qëllim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje