Krasniqi: Edhe me forcë kundër zgjedhjeve serbe

20 Mars 2012, 11:27Rajoni TEMA

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në një intervistë dhënë RTV 21, ka deklaruar se për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet të përdoret edhe forca.

Ai tha se Rezoluta e miratuar në Kuvend, e cila kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, ka kryer vetëm punën e Kuvendit, ndërkaq për pengimin e tyre duhet të merren edhe BE e SHBA.

“Rezoluta është bërë në marrëveshje me subjektet politike. Kuvendi e ka kryer obligimin e tij dhe është pjesa tjetër e ekzekutivit që duhet të ndërmarrë masat për pengimin e zgjedhjeve serbe në atë pjesë të Kosovës. Por, pasi që bisedimet mes Prishtinës e Beogradit deri më tash janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një formë ose në një tjetër, janë të obliguar edhe Brukseli edhe SHBA-të që të bëjnë një presion pozitiv mbi Serbinë që të respektojë marrëveshjet e arritura”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse kjo Rezolutë e Kuvendit e obligon Qeverinë e Kosovës që të përdorë edhe forcën për të ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se edhe kjo gjë parashihet në të.

“Rezoluta e obligon qeverinë që të pengojë çdo veprim të paligjshëm që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet në Kosovë. Natyrisht se kjo nënkupton edhe përdorimin e forcës”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërkaq, kryekuvendari Krasniqi ka folur edhe për rastin e deputetit të PDK-së, Azem Syla, për të cilin, gjatë vizitës që Krasniqi bëri në Strasburg, është thënë se po krijon imazh të keq për Kosovën, pas problemeve të tij me shtetin zviceran.

“Ne mendojmë se kjo çështje është personale, është individuale dhe nga një gjykatë e një shteti mik të Kosovës dhe realisht në këto raste ne i besojmë drejtësisë zvicerane. Ne si Kuvend presim rezultatin e drejtësisë së Zvicrës, pasi kjo çështje është krejt jashtë Kosovës dhe jashtë administrimit tonë si Kuvend. Kjo është çështje personale dhe jo politike me të cilin do të duhej të merreshim ne si Kuvend”, ka thënë Krasniqi, duke thënë se kjo nuk do të thotë se deputeti Syla është më i fuqishëm se Kuvendi, mirëpo, siç ka thënë ai, “ne si Kuvend dhe drejtësia në Kosovë nuk duhet të përzihet në një çështje që është ngritur në një vend tjetër”.

Ai ka thënë se duhet të pritet rezultati i gjyqit në Zvicër dhe atëherë, siç theksoi ai, “ne si Kuvend me ndonjë kërkesë mund ta ngrisim në rend të ditës. Por tani për tani nuk është çështje që Kuvendi duhet të merret”. /rtv21/Zëri/

4 komente në “Krasniqi: Edhe me forcë kundër zgjedhjeve serbe”

  1. Argita_B says:

    Mese e sakte, zgjedhjet e nje komuniteti qe nuk jane ne kuadrin e ligjit quhen antikushtetuese, keshtu qe nuk kane asnje arsye per tu mbajtur.
    Ku eshte thjesht nje provokim i pales serbe, probokim me qellime obskure.

  2. leonardi antwerpen says:

    Nguli kembet Kupo mos lesho pe me mire vone se kurr

  3. salistalin says:

    Si gjithmone Kupo, dhe kesaj here, do te duhet ti pini lengun “Rezolutes”qe keni nxjerre ne parlament. Prape keni per te bere kot gam gam dhe skeni per te bere asnjegje kunder zgjedhjeve serbe ne Rep.Kosoves, dhe kjo eshte me keq akoma.

  4. Luani says:

    Qeveria nga Prishtina duhet të kuptoj se populli shqiptar i kësaj krahine (i shënuar me numrin 1244) nuk është i marrë. Ai e kupton shumë mirë se kush e paguan rrogën e partive politike të tyre dhe pse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje