EULEX: Të lirohen Limaj dhe të tjerët e “rastit Kleçka”

21 Mars 2012, 18:16Rajoni TEMA

Trupi gjykues në rastin “Kleçka” ka marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme, ka njoftuar misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, në një komunikatë për opinion.

Deputeti Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”.

“Këtë vendim e ka marrë trupi gjykues, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas. Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale, dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme”, thuhet në komunikatë.

“Ekipeve të prokurorisë dhe të mbrojtjes u është kërkuar që t’i paraqesin deklaratat e tyre përfundimtare përpara se të nxirret aktgjykimi për këtë rast”.

Ndërkohë, gjykatësi kryesues ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi, thuhet në komunikatë, ndërkaq bëhet e ditur se “mbrojtja dhe prokuroria do të kenë të drejtën e ankesës pasi të shpallet aktgjykimi”.

Vendimit të Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin Limaj dhe të tjerët, e ka përshëndetur edhe Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, siç raporton RTK, ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë në përputhje me normal ndërkombëtare” duke shprehur bindjen për pafajësinë e deputetit, Fatmir Limaj.

“Limaj ka mbështetjen e plotë për t’iu kthyer jetës politike në vend”, tha Kuçi. /rel/rtk/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje