Legjenda e Bajern Mynih dhe Gjermanisë, Franc Bekenbauer, mendon se ish-klubi i tij ka forcën e duhur për të triumfuar në Ligën e Kampioneve.
Ndërsa Bajerni përgatitet për sfidën e nesërme kundër Olimpikut të Marsejës, fituesi i këtij çifti do të përballet me fituesin e APOEL-Real Madrid. “Kaizeri” beson se në rast të kalimit të këtyre sfidave, ish-klubi i tij do të ishte favorit në finale, pavarësisht kundërshtarit që mund t’i vihet përballë.
I pyetur nga “Sky” rreth mundësisë së fitores së trofeve nga Bajern gjatë këtij sezoni, Bekenbauer tha se kjo skuadër kishte mundësi reale të fitonte dy trofe nga tre të mundshëm për të cilët është në garë.
“Mund të imagjinoj fitoren në Kupën e Gjermanisë e pse jo edhe Liga e Kampioneve është e arritshme”, tha ai.
I pyetur nëse Bajern mund të kalonte Barcelonën në një finale të mundshme, Bakenbauer theksoi një faktor shumë të rëndësishëm, faktin që ndeshja do të luhej në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut.
“Nëse luan në shtëpi në finalen e Ligës së Kampioneve, je favorit, edhe nëse përballë ke Barcelonën”, u shpreh ai.
Para finales, Bajerni mund të përballet me Realin e Madridit, një tjetër pretendent për trofeun ndërkombëtar.
“Mendoj se do ta shohim këtë sfidë. Reali i Madridit është një sfidë e kalueshme, pasi edhe ata luajnë futboll si të gjithë të tjerët”.