Çelsi, 100 milion euro për Ronaldo-Higuain

26 Mars 2012, 12:20Sport TEMA

“Daily Telegraph” ka botuar sot lajmin e bujshëm se drejtuesit e Çelsit po mendojnë të bëjnë një ofertë prej 100 milion euro për të marrë nga Real Madrid dy sulmuesit Kristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain.

Sipas kësaj gazete, londinezët janë në procesin e rindërtimit të plotë të repartit të sulmit e për këtë arsye kërkojnë një dyshe me partneritet të konsoliduar. Një nga alternativat e lojtare të Realit është dyshja e Napolit, Edinson Kavani-Ezekiel Laveci, që kushton rreth 70 milionë euro.

Të gjithë këto plane janë fillestare dhe nuk është bërë asnjë kontakt zyrtar mes klubeve në fjalë. Por askush nuk e fsheh faktin se Çelsi kërkon sa më shpejt të krijojë përsëri një repart të avancuar të frikshëm, ndërsa gjatë verës nga kjo skuadër do të largohen emra si Drogba, Kalu, Malouda e ndoshta edhe Starrixh.

Ish-trajneri i londinezëve, Andre Vijas Boas, dëshironte të sillte në skuadër ish-lojtarët e tij te Porto, Hulk dhe Radamel Falkao, por plani tashmë është prishur pasi ky i fundit, mendohet se gjatë verës do të kalojë pikërisht te Reali i Madridit për shumën e 50 milionë eurove.

Nëse Higuain është një sakrificë e mundshme për madrilenët që kanë në gjirin e tyre edhe Benzema, ata nuk do të heqin dorë lehtë prej Kristiano Ronaldos, të cilin e blenë në vitin 2009 nga Mançester Junajtid për shifrën rekord 100 milionë euro.

Përflitet që klauzola e largimit në kontratën 6-vjeçare që ka firmosur atëherë portugezi është një shifër stratosferike prej 250 milionë eurosh. Por askush nuk ka mundur ta vërtetojë atë pasi nuk ka marrë guximin deri tani të bëjë një ofertë zyrtare për futbollistin i cili sapo ka kaluar kuotën e 100 golave në kampionatin spanjoll në vetëm 92 ndeshje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje