Alonso, mrekulli në Sepang

25 Mars 2012, 15:04Sport TEMA

Gara e Sepang ka dhuruar një rezultat jashtë të gjitha parashikimeve me Ferrarin e Fernando Alonsos që ka kaluar i pari poshtë flamurit me katrorë në finishin e Çmimit të Madh të Malajzisë. Spanjolli ka arritur të triumfojë në duelin me surprizën tjetër të garës, meksikanin Serxho Perez, i cili me Sauberin e tij ka vënë në vështirësi të dukshme Alonson deri në xhiron e fundit të një gare e cila u ndërpre për më shumë se 30 minuta për shkak të shiut të rrëmbyeshëm.

Gara ka filluar në shi dhe Alonso ka treguar menjëherë aftësitë e tij në kushte ekstreme duke u nisur nga vendi i tetë por duke kaluar kundërshtarët njëri pas tjetrit, edhe falë një strategjie të goditur nga ekipi italian. Në fund, ai është dashur të dublojë vetëm me Perez, i cili mund t’ia kishte marrë fitoren nga duart po të mos kishte gabuar 4 xhiro nga fundi i garës duke dalë jashtë piste dhe duke humbur shumë kohë në krahasim me spanjollin. Alonso ka festuar shumë gjatë këtë sukses, i cili i ka dhënë atij dhe vendin e parë në renditjen e pilotëve.

 

Nga pretendentët për titull, vetëm Luis Hemilton ka arritur të konfirmojë vendin e tretë, ashtu si në garën e Australisë, i penalizuar nga gabimet e mekanikëve të tij në bokse. Më e keqe ka qenë gara e Xhenson Baton me MekLarenin tjetër, pas ai është përplasur me Kartikejan që në nisje dhe është detyruar të hyjë në bokse për të ndërruar pjesën e përparme të makinës. Problemet e vazhdueshme e kanë çuar atë në vendin e 14-të në fundin e kësaj gare.

Gara e kampionit në fuqi, Sebastian Vetel, ishte për t’u harruar, pasi ai ka shpuar gomën pas një kontakti po me Kartikeian dhe ka dalë nga 10 të parët duke mos marrë pikë. Red Bull ngushëllohet me vendin e 4-t të Mark Ueber, i cili duket pak më i sigurt se shoku i tij i skuadrës në këtë fillim sezoni.

Dy më zhgënjyesit e kësaj dite janë padyshim Mihael Shumaher dhe Felipe Masa. Gjermani i Mercedes është nisur nga vendi i tretë por është përplasur menjëherë me Grozhean dhe pastaj ka shfaqur vështirësi deri në fund, ku ka marrë vetëm vendin e 10-të. Ndërkohë, braziliani i Ferrarit ka koleksionuar gabim pas gabimi dhe nuk është dukur asnjëherë konkurrues, duke lënë të kuptohet se ndoshta koha e tij te kjo skuadër ka përfunduar. /lajmeshqip

Çmimi i Madh i Malajzisë

Renditja e garës

1. Fernando Alonso (Ferrari)

2. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

3. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

4. Mark Veber (Red Bull-Reno)

5. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

6. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

7. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

8. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

9. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

10. Mihael Shumaker (Mercedes)

11. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

12. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

13. Niko Rosberg (Mercedes)

14. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

15. Felipe Masa (Ferrari)

16. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

17. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

18. Kaiki Kovalainen (Katerham-Reno)

19. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

20. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

21. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

22. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

Renditja për pilotë

35    Fernando Alonso (Ferrari)

30    Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

25    Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

24    Mark Veber (Red Bull-Reno)

22    Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

18    Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

16    Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

8      Bruno Sena (Uilliams-Reno)

7      Pol di Resta (Force India-Mercedes)

4      Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

2      Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

2      Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

1      Mihael Shumaker (Mercedes)

Renditja për konstruktorë

55    Meklaren-Mercedes

42    Red Bull-Reno

35    Ferrari

30    Sauber-Ferrari

16    Lotus-Reno

9      Force India-Mercedes

8      Uilliams-Reno

6      Toro Roso-Ferrari

1      Mercedes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje