Formula 1, reagimet pas garës

25 Mars 2012, 16:03Sport TEMA

Fernando Alonso (Ferrari)

“Sot ishte një surprizë edhe për ne. Në Australi nuk ishim konkurrues dhe nuk ishim as këtu ndaj objektivi ishte të merrnim sa më shumë pikë. Sot kemi marrë 25 që është një rezultat i pabesueshëm për ne. Ka qenë një rezultat i mirë edhe për skuadrën, pasi ishim të qetë në kushte ekstreme, e merituam këtë fitore. Është një moment i vështirë por këtë të dielë do ta kujtojmë gjatë. Por kjo fitore nuk ndryshon gjë, jemi në një pozicion që nuk  dëshirojmë pasi po luftojmë për kualifikim mes 10 më të mirëve dhe për të marrë ndonjë pikë. Në duam të luftojmë për vendet e para. Perez? Nuk jemi të shpejtë sa duhet në kushte normale, ishim me fat që mbajtëm këtë pozicion në garë”.

Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

“Fitorja sot ishte e mundur. Skuadra bëri një punë të shkëlqyer duke më kthyer në bokse në kohën e duhur. Humbëm kohë me ndalesën e dytë në bokse për shkak të marshit por në fund iu afrova Alonsos. Humba kontrollin e makinës dhe luftën për fitore. Megjithatë ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për skuadrën. Kushtet në pistë ishin shumë të vështira dhe duhej mbajtur makina në pistë. Kemi marrë shumë pikë që na nevojiten dhe shpresoj që të përmirësohemi më shumë”.

Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

“Jam i kënaqur me përfundimin e garës. Do të kishim dashur shumë që këtë fundjavë ta kishim mbyllur me më shumë pikë, si individualisht, ashtu edhe për skuadrën. Por nuk mund të ankohem. Jam në podium dhe i qëndrova larg telasheve gjatë të gjithë garës ku kushtet atmosferike ndryshonin vazhdimisht”.

Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

“Shpresoj që garën e ardhshme ta fillojmë ashtu siç duhet. Gjithmonë ka diçka që nuk shkon apo koha ndryshon në mënyrë drastike. Do të ishte mirë të kishim një fundjavë normale që të shohim se ku jemi në krahasim me të tjerët. Nuk kisha eksperiencë as me gomat e mesme as me ato të shiut dhe dukej e çuditshme të zhvilloje garë në kushte të tilla. Unë thjesht u mundova që të qëndroja në pistë aty ku kalonin të tjerët dhe fillova të rrisja nga pak shpejtësinë”.

Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

“Përplasja me Kartikeian ishte komplet gabimi im. Shtypa frenat dhe më iku pjesa e pasme, nuk kisha çfarë të bëja vetëm ta godisja atë. Ishte një pasdite e vështirë dhe na doli krejtësisht jashtë kontrolli. Shkoi gabim gjithçka që mund të shkonte gabim. Më vjen keq për skuadrën por sot nuk mund të bëja asgjë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje