Në natën e të dielës, Prokuroria e Barit ka lëshua mandatet për arrestimin dhe marrjen në pyetje të 20 personave të përfshirë në skandalin e manipulimit të ndeshjeve në Itali. Sipas asaj që mësohet nga burimet e kësaj prokurorie, personat në fjalë, mes të cilëve shumë futbollistë, kanë manipuluar ndeshjet e skuadrës së Barit në edicionin e kaluar duke përfituar shuma të mëdha. Një nga emrat e përmendur është edhe ai i shqiptarit Armand Caca.
Arrestimi më i bujshëm ka qenë ai i Andrea Masielo, mbrojtësi i Atalantës që sezonet e kaluara aktivizohej pikërisht me Barin. Lojtarit i janë vënë prangat bashkë me dy shokë të tij bastexhinj, të cilët kanë përftuar shuma të mëdha duke vënë baste sipas këshillave të mikut të tyre futbollist.
Ndërkohë, bëhet e ditur se të hetuar bashkë me Masielon janë edhe ish-lojtarë të tjerë të Barit: Daniele Portanova (Bolonja), Alesandro Parisi (Torino), Simone Bentivolio, Marco Rosi, Abdelkader Gezal, Marko Esposito, Antonio Belavista dhe Nikola Belmonte.
Mes emrave të tjerë të hetuar figuron edhe ai i shqiptarit Armand Caca, i cli sipas burimeve policore nuk është një futbollis por një person i përfshirë në mënyrë direkte në trukime nëpërmjet futbollistëve të skuadrës të Barit.
Shpesh nëpër dëshmi të personave të përfshirë në këtë çështje është diskutuar se në trukimet e ndeshjeve në Itali ishte e përfshirë edhe mafia shqiptare, po deri tani asnjë emër shtetasi shqiptar nuk kishte figuruar në dosjen e hetimeve. /lajmeshqip