Futbolli u trondit të premten nga lajmi i tmerrshëm se kapiteni i Aston Villas, Stiliyan Petrov është diagnostikuar me leuçemi akute. Të gjithë në botën e sportit dhe më gjerë i urojnë atij shërim sa më të shpejtë, në këtë betejë të dhimbshme dhe të vështirë.
Për nder të Petrovit, dhe në shpirtin e shpresës dhe inspirimit, rrjeti Eurosport ka bërë një përmbledhje të 10 sportistëve që janë ballafaquar me më të keqen, por dolën fitues për t′u bërë sërish kampionë.
Lance Armstrong – Çiklizëm
Amerikani ishte një prej talentëve më të mëdhenj të çiklizmit para se të diagnostikohej me kancer testikular në tetor 1996, në moshën 25 vjeç. Aso kohe, ai kishte fituar disa gara duke përfshirë kampionatin botëror 1993, por karriera e tij dukej seriozisht e rrezikuar pasi atij iu dha 40 për qind e mundësisë së shpëtimit. Trajtimi i tij ishte i suksesshëm dhe ai arriti të kthehet në çiklizëm në fillim të 1998-ës dhe fitoi shtatë tituj në Tour de France.
Magic Johnson – Basketboll
Legjenda e basketbollit u diagnostikua me HIV pozitiv më 1991 dhe përkohësisht u tërhoq, por u rikthye në sport në Olimpiadën 1992. Kurse, në sezonin e ardhshëm u zgjodh MVP në All-Star Game si dhe fitoi medaljen e artë si anëtar i skuadrës “Dream Team” të SHBA-së në Olimpiadën e Barcelonës.
Bob Champion — Gara me kuaj
Champion ishte një prej garuesve më të mirë të National Hunt, por gjithçka shkoi keq kur ai u diagnostikua me kancer testikular në korrik 1979, vetëm një javë para ditëlindjes së tij të 31-të. Ai iu nënshtrua trajtimit dhe me sukses u rikthye në sport duke triumfuar më 1981 në Grand National në Aldaniti, sukses i pasqyruar edhe në librin e tij, Champions Story.
Yuvraj Singh – Kriket
Singh i cili me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme udhëhoqi Indinë drejt triumfit në Kampionatin botëror ishte diagnostikuar me formë të rrallë të kancerit në mushkëri, më herët gjatë këtij viti. Ai, deri para disa javësh u trajtua në SHBA, kurse parashikimet janë të mira.
Ben Hogan – Golf
Golfisti nga Texasi ishte një prej lojtarëve më të mirë në sport me tre tituj në Major dhe karrierë të ndritur para vetes, kur ai dhe gruaja e tij ishin përfshirë në një aksident me një autobus në shkurt 1949. Hogan u hedh në drejtim të gruas së tij për t′i dalë në mbrojtje asaj e në proces iu shmang goditjes në anën e tij. Dëmtimet e 36-vjeçarit ishin aq të rënda sa që i ishte thënë se nuk do të mund të ecë më, por një vit më pas, ai u rikthye për të fituar në US Open si dhe gjashtë tituj të tjerë në Major.
Alex Zanardi – Motorsport
Piloti italian fitoi dy kampionate CART në SHBA dhe garoi për ekipe në Formula 1 përfshirë Williamsin dhe Jordanin para aksidentit të rëndë në garën CART në Laustzring më 2001 ku humbi të dyja këmbët. Ai ishte aq i vendosur të kthehej në shteg dhe më 2004 iu bashkua kampionatit European Touring Car. Ai ka vazhduar të garojë nga ajo kohë dhe është bërë atlet i suksesshëm i maratonës në karrocë, duke fituar maratonën e New Yorkut më 2011.
Yann Kermorgant – Futboll
Futbollisti francez ishte diagnostikuar me leuçemi akute në moshën 14 vjeçe derisa ishte lojtar shpresë në skuadrën Rennes. Ai nuk luajti për katër vite, por u rikthye në lojë dhe arriti të zhvillojë karrierë të suksesshme në skuadra të ndryshme duke përfshirë Grenoble, Leicester dhe Charlton.
Niki Lauda — Formula 1
Më 1976, Niki Lauda mbeti i ngujuar brenda bolidit të tij të Ferrarit, që ishte kapluar nga zjarri pas daljes nga shtegu në xhiron e dytë të garës për Çmimin e Madh të Gjermanisë në Nurburgring. Lauda pësoi djegie të mëdha në kokë dhe fytyrë kurse për disa ditë luftoi me vdekjen. Fatmirësisht, ai u kthye në timon pas vetëm gjashtë javësh dhe atë vit ishte gati të fitojë titullin e kampionit, kur humbi për një pikë nga James Hunt.
Markus Babbel – Futboll
Pasi i ndihmoi Liverpoolit të fitojë Kupën më 2001, Babbel ishte detyruar të qëndrojë një vit larg futbollit. Ai u diagnostikua me sindromën Guillain-Barre, çrregullim që ndikon në sistemin nervor. Babbel mezi përdorte duart ose këmbët gjatë asaj kohe, por arriti të rikthehej duke u bërë titullar në Blackburn Rovers gjatë sezonit të huazimit më 2003-04 e më pas u kthye në Gjermani te Stuttgart. Më pas ai u bë trajner në Bundesligë ku aktualisht drejton Hoffenheimin.
Neil Harris – Futboll
Harris është golashënuesi më i mirë i Millwallit me 138 gola në dy periudhat e tij në klub nga 1998 deri 2004 dhe 2007-2011. Ai e arriti këtë, edhe pse ishte diagnostikuar me kancer testikular më 2001. Ai u rikuperua pas një viti dhe tani udhëheq një fondacion bamirës për kancerin dhe vazhdon të luajë për Southend United në moshën 34 vjeç.