Kurora e koncesioneve

4 Prill 2012, 20:19Blog TEMA

Nga Albin Kurti

Qeveria e Kosovës e poshtëroi shtetin e Kosovës teksa merrej vesh me Serbinë dhe posaçërisht kur ia vuri Kosovës fusnotën në emër. Kjo i hapi rrugë Serbisë që ajo t’i poshtërojë policët e Kosovës

 

Serbia u diskreditua. U pa fytyra terroriste e Serbisë. Serbia u demaskua. Bota e kuptoi se Serbia është shtet kriminal. Serbia u konfirmua si shtet i nacionalizmit ekstrem. Evropës iu shfaq Serbia antievropiane. Të këtij lloji ishin deklaratat e shumta të qeveritarëve kosovarë dhe të analistëve të tyre. Dy policët e rrëmbyer në fshatin Dumnicë afër kufirit me Serbinë u shndërruan edhe në një fitore të shtetit të Kosovës. E gjithë bashkësia ndërkombëtare e pa se kush dhe çfarë është Serbia. Para Brukselit e Uashingtonit u dëshmua dhuna me paramendim nga Beogradi destruktiv. Shteti i Kosovës fitoi pikë të vlefshme te faktorët ndërkombëtarë. Aksioni i Serbisë me gjithë zbatimin e tij u shndërrua sa çel e mbyll sytë në rezultat të dobishëm për Kosovën.

Nuk e di nëse Qeveria e Kosovës me analistët e saj arriti ta bindë dikë në Kosovë me këtë vështrim të saj të gjërave. Sido që të jetë, sipas kësaj pikëpamjeje të tyre, pothuajse del që nuk ranë në pritë Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, por vetë xhandarmëria e Serbisë! Qeveria e Kosovës disi ia hodhi asaj të Serbisë. Policia e Kosovës e mashtroi xhandarmërinë serbe. Po, pra, nuk ishin xhandarët serbë ata që, thjesht, sajuan kurthin për policët kosovarë duke mbyllur rrugën me shkurre a degë të prera drunjësh. Një kurth tjetër i policisë së Kosovës po i paraprinte këtij kurthi. Dy policët tanë u dërguan aty që të binin në kurthin e xhandarmërisë së tyre dhe kësisoj ata të binin në kurthin tonë. Falë kësaj dinakërie supreme të ministrit Rexhepi dhe naivitetit primitiv të ministrit Daçiq, Serbia nuk e kuptoi që skenari i saj ishte përbrenda skenarit të Kosovës. Shteti i Kosovës sërish fitoi dhe u tregua i suksesshëm.

Në të vërtetë, me këtë mendësi nuk ka as sukses dhe as fitore. Me këtë mendësi nuk është i mundur kurrfarë suksesi dhe asnjëfarë fitoreje. Suksesi i kësaj mendësie është ngushëllimi i suksesshëm për humbjen, kurse fitorja e kësaj mendësie banon te përshtypja jonë për shikimin e tjetrit. Kjo nuk është mënyra se si mund të bëhemi sovranë. Kjo është mënyra se si vulosemi në të qenit josovranë. Pavarësisë së Kosovës nuk mund t’ia shtojmë sovranitetin dhe as shoqërisë sonë dinjitetin, duke u përpjekur që t’i dhimbsemi Perëndimit sa më shumë. Ashtu njëmend mund të bëhemi për gjynah. Ama jo edhe shtet.

Nëse kënaqemi me imagjinatën tonë qysh Serbia po duket keq karshi Perëndimit pa u brengosur shumë qysh po ndjehet keq vetë Kosova, pavarësia e shpallur e humbet kuptimin. Kjo është sjellje josovrane që do të na mbajë në kushte të vazalitetit. Padronët mund të ndërrohen, ose madje edhe të kombinohen, porse kështu s’bëhemi dot ashtu siç e shpallëm veten katër vjet më parë.

Qeveria e Kosovës nuk kishte se si të mos spostohej në pozitën e analistit. Ajo nuk veproi e nuk ndërmori asgjë për këto arrestime, por filloi që të hamendësohet për arsyet pse Serbia e sulmoi kështu Kosovën. Në vend se ta ndalë Serbinë, ajo po e shpjegonte atë. Thua se qytetarët e Kosovës problemin kryesor me Serbinë e kanë që nuk po e kuptojnë atë. Në fakt, ndoshta mu kështu edhe mendon Qeveria e Kosovës.

Shpjegimin që ajo e dha ishte njëmend i çuditshëm. Thanë që këto arrestime arbitrare po i bën vetë ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, i cili ka qenë zëdhënës i Milosheviqit dhe se fushata e tij është veçse elektorale. E relativizuan Daçiqin duke thënë që ai është njeri i Milosheviqit, pra, njëfarë mbetje anakronike e regjimit të kaluar, si dhe duke e cilësuar synimin e tij të motivuar vetëm prej dëshirës për vota të reja.

Mirëpo, e vërteta më e rëndësishme nuk është që Daçiqi është njeri i Milosheviqit, por që Milosheviqi, sikurse edhe Daçiqi e Tadiqi, janë njerëz të Serbisë të tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë atë. Për më tepër, Daçiqi, Tadiqi e Nikoliqi nuk dallojnë sa i përket shqiptarëve dhe Kosovës. Fushatat e tyre elektorale i fitojnë e i humbin me çështjet e brendshme të Serbisë (kryesisht ato ekonomike dhe sidomos tash që të gjithë ata janë dakord për anëtarësimin e Serbisë në BE).

Pas heqjes së Republikës dhe vendosjes së fusnotës për Kosovën, Serbia gjithsesi u trimërua. Bisedimet me Serbinë ishin shfajësuese për Serbinë dhe lehtësuan faje të reja të Serbisë. Qeveria e Kosovës e poshtëroi shtetin e Kosovës teksa merrej vesh me Serbinë dhe posaçërisht kur ia vuri Kosovës fusnotën në emër. Kjo i hapi rrugë Serbisë që ajo t’i poshtërojë policët e Kosovës.

Dialogu në Bruksel nuk ka qenë asnjëherë në funksion të Kosovës, por gjithmonë Kosova është vënë në funksion të këtij dialogu me Serbinë. Ky dialog i ka relaksuar dy nga tri palët e tij: BE-në dhe Kosovën, por jo edhe Serbinë. Ajo po sulmon Kosovën e inkurajuar me bisedimet dhe kompromiset. Kosova po i mbyll sytë para armiqësisë së Serbisë dhe nuk po dëshiron t’i hapë ato as pas krimeve më të reja të saj. Kushedi, pasi që e legjitimuan përfshirjen e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, ndoshta edhe Qeveria e Kosovës tash po merret me punë të brendshme të Serbisë (siç janë çështjet elektorale atje vetëm se kjo nga prizmi i analistit që kundron dhe jo i politikës që merr vendime).

Kosova assesi nuk mund të ndërtojë politikë të suksesshme karshi Serbisë duke u bazuar në dallimet ndërmjet Tadiqit, Nikoliqit e Daçiqit, por duke luftuar dhe ngadhënjyer mbi të përbashkëtën e tyre: nacional-shovinizmin antishqiptar të Serbisë.

Dialogu duhet të ndërpritet, duhet braktisur çfarëdo mundësie për rifillimin e tij, duhen shpallur të pavlefshme të gjitha ato marrëveshje me Serbinë që janë përplot koncesione për të dhe patjetër që duhen vendosur masat e reciprocitetit. Po ashtu, në kufi me Serbinë s’mjafton të jetë vetëm policia jonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! moti ka thënë e ka kërkuar që FSK-ja duhet shpallur e bërë ushtri. Çdo shtet normal ka ushtri, apo jo? E me fqinjë si Serbia, e me një Serbi të këtillë, ajo është e domosdoshme si rrallëherë e rrallëkund tjetër.

5 komente në “Kurora e koncesioneve”

  1. Mesila Doda says:

    Mesoni ju te pakten ne Kosove e mos beni gabimet tona. E falem Berishen ne 97′ se u qurravit, e tani ben trimin.
    http://imageshack.us/photo/my-images/715/welcomemrsalihgadaffi.jpg/

    1. raimondi says:

      Albin Kurti ne cdo gje qe shkruan ka te drejte –Absolutisht ne politken shqiptare duhet futur Reciprociteti ne maredhenjet me fqinjet

      Ne po na trajtojne qeverite tona me percmim , per tu hequr si qeveri paqesore , kur fqinjet tane jane kaq shume agresore

      Dhe ne lidhje em Serbine absolutisht Kosova duhet ti ndeprese te gjitha bisedat —

      Biles duke gjetur kete rastin e Policeve, duhej ndeprere cdo dialog me Serbine dhe politka kosovare duhej ti kerkonte USA qe Kosova te kishte
      ushtrine e saj te armatosur per te perballuar agresivitetin nderkufitar , por edhe cdo agresion tjeter nga Serbia

      Do zoti fiton Albini zgjedhjet en Kosove dhe do jete nje ndihme shume e madhe
      edhe per Kosoven por edhe per Shqiperine…

      ___Vecse Albini nuk duhet te perdori retorike toksike kunder politkaneve
      kundershtare te Kosoves, por te jete sa me paqesor dhe vellazeror me kundershtaret e tij politke ,

      Duke vendosur ne kete menyre nje Trend te ri ne politken shqiptare ne dy anet e kufirit
      –Trend i cili i sherben ritjes se harmonise ne popullin tone….

  2. Luani says:

    Askush nuk mund të të vendos ty në pozitë nënshtruese pa pëlqimin tënd të plotë. Kjo vlen për personin, kombin apo qeverinë.

    Kur flitet për partitë politike shqiptare sot, me udhëheqësit e tyre pronar të ndërmarrjeve me vlerë disa bilionë (PDK, AAK, VV), të sillet një pyetje në kokë gjithë kohën: si nuk e kupton populli këtë.

  3. Gushekuqi says:

    Urdheroni! Urdheroni dhe me thoni.Urdheroni dhe me gjeni nje tjeter politikan ne Kosove,Thac,Dac,Mustafe e kompani qe te kete nje vizion te tille per te ardhmen e Kosoves dhe marredheniet e saj te verteta dhe te qendrueshme me Serbine.Nuk me shqitet nga mendja sinteza e tij:-Pa vleresuar vetveten,nuk ka se si te na vleresojne te tjeret.Te lumte,Albin Kurti! Ti je trashegimtari i denje i genit te rilindasve shqiptare.Ti je pasardhesi i Kastriotit,Naimit,De Rades e Vaso Pashes…”Qysh prej Tivari e deri n`Preveze,gjithkund l`shon dielli vape edhe reze,asht`toke e jona,t`part na e kan lane,kush mos t`a preki se desim t`ane”.Dhe ndoshta,eshte fat i ketij populli qe,ne rrethana te tilla te veshtira dhe historike,lindin te tilla mendje te ndritura per te cuar perpara,kauzen shqiptare: Bashkimi i kombit shqiptar ne nje dhe te vetem. Qeshu,Albin Kurti,qeshu,bota eshte e jote.Respektet e mia te vecanta.

  4. Artemis says:

    `Dialogu duhet të ndërpritet, duhet braktisur çfarëdo mundësie për rifillimin e tij, duhen shpallur të pavlefshme të gjitha ato marrëveshje me Serbinë që janë përplot koncesione për të dhe patjetër që duhen vendosur masat e reciprocitetit. Po ashtu, në kufi me Serbinë s’mjafton të jetë vetëm policia jonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! moti ka thënë e ka kërkuar që FSK-ja duhet shpallur e bërë ushtri. Çdo shtet normal ka ushtri, apo jo? E me fqinjë si Serbia, e me një Serbi të këtillë, ajo është e domosdoshme si rrallëherë e rrallëkund tjetër.’Ky paragraf eshte mjaft i qarte edhe per bagetite per tu pertypur,konkluzioni i tij se e ashtuquajtura Qeveri Kosovare eshte anti-kombetare megjithese ultra europianiste, eshte i qarte si kristali.Kush nuk do ta kuptoje eshte padyishim antikombetare dhe pro partickave kriminale antiShqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje