Efektet e mundshme elektorale të taksës progresive

30 Mars 2012, 19:53Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Një lexues i një komentit tim rreth taksës progresive më bënte pyetjen se çfarë efekti elektoral mund të ketë propozimi i PS-së për aplikimin e kësaj takse në Shqipëri. Duke lënë mënjanë efektin që mund të ketë ajo në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare (që përbën një temë më vete për diskutim), po mundohem t’i përgjigjem në këtë analizë vetëm pyetjes së shtruar nga lexuesi i sipërcituar.

Në vitin 2009, koalicionit të udhëhequr nga Rama iu njohën zyrtarisht rreth 690 mijë vota ose 45.4% e totalit të votave të vlefshme. Në vitin 2005, ky koalicion (i udhëhequr atëherë nga Nano) mori rreth 570 mijë vota ose 41.4% të totalit të votave të vlefshme. Koalicioni kishte po 5 parti në të dyja zgjedhjet – i vetmi ndryshim në përbërjen e koalicionit ishte që u shkëput PAA e Xhuvelit dhe PSV-91 e Petro Koçit, ndërkohë që u shtua G-99 e Erion Veliajt. Pra, rritja prej rreth 120 mijë votash nuk mund të shpiegohet me shtimin e partive në koalicion, siç qe rasti i koalicionit të udhëhequr nga Berisha, të cilit iu shtuan 9 parti të tjera krahasimisht me 2005-ën.

Po si mund të shpjegohet kjo rritje me rreth 120 mijë vota? Meqë përqindja e pjesëmarrjes në votime nuk ndryshoi (mbeti rreth 50%), rritja natyrale e popullsisë, e vetme, do ta kishte mbajtur koalicionin e udhëhequr nga Rama në nivelin 41.4% (si në 2005-ën). Por, në fakt, ai e rriti me 4% peshën elektorale. Pra, përtej rritjes natyrale të popullsisë, koalicioni u rrit edhe me rreth 70 mijë vota. Dhe nga erdhën këto vota?

Një pjesë e mirë e tyre (rreth 30 mijë) duhet të kenë ardhur nga tkurrja e LSI-së (në vitin 2005, LSI-ja e vetme mori 115 mijë vota, ndërsa në vitin 2009, koalicioni i saj prej gjashtë partish nuk mori dot më shumë se 85 mijë vota). Ndërsa pjesa tjetër e rritjes së votave për koalicionin e Ramës (rreth 40 mijë) duhet të ketë ardhur prej votuesve “përtej të majtës e të djathtës” (nuk ta do mendja se Ristani i ka transferuar Ramës vota të djathta në mënyrë artificiale!).

Siç dihet, rritja totale prej 120 mijë votash nuk qe e mjaftueshme për ta nxjerrë në krye koalicionin e udhëhequr nga Rama – KQZ-ja e drejtuar nga Ristani konfirmoi një avantazh prej 4 mandatesh për koalicionin e udhëhequr nga Berisha. Dhe tani që LSI-ja duket se do t’i bashkojë votat me koalicionin e Berishës, PS-së i lind nevoja që t’i rrisë edhe më tej votat e koalicionit të saj. Ndëjtja me shpresë vetëm tek çarja më tresh e votave të djathta dhe tek përmirësimi i identifikimit të votuesve dhe numërimit të votave nuk është një strategji e sigurtë!

Një nga armët që PS po përdor për të shtuar votat e koalicionit të saj (ajo po përdor disa) është edhe propozimi për taksimin progresiv mbi të ardhurat personale dhe fitimet e bizneseve. Por sa njerëz prek drejtpërdrejt kalimi nga taksimi sheshtë në atë progresiv dhe si mund të ndikohet vota e tyre nga ky ndryshim?

Së pari, ky ndryshim nuk i prek fare të vetëpunësuarit në bujqësi (sipas INSTAT-it, këta përbëjnë rreth gjysmën e totalit të të punësuarve). Ndër të punësuarit në sektorin jo-bujqësor (ku futen punonjësit e sektorit publik, punonjësit e bizneseve të mëdha dhe të vetëpunësuarit e bizneseve të vogla), vetëm ata që kanë të ardhura personale mbi 1.4 milionë lekë në muaj preken negativisht. Sidoqoftë, këta persona me të ardhura shumë të larta punojnë kryesisht në zyra shtetërore. Pra, janë me gjasa të lidhur politikisht me partitë në fuqi. Ndërsa ata që kanë kanë rroga mbi 1.4 milionë lekë në muaj në sektorin privat nuk ta do mendja se mund ta ndërrojnë votën e tyre thjesht prej ndryshimit të taksimit. Pra, hamendja ime është që rezultati neto i rritjes së taksës për njerzit me të ardhura personale mbi 1.4 milionë lekë në muaj do të jetë i papërfillshëm.

Ndërsa ndryshe qëndron puna me ata që kanë të ardhura poshtë 1.4 milionë lekëve në muaj. Të ardhurat e një infermiereje taksohen sot me 10%, njësoj si të Doktor Berishës, i cili e ka rrogën 1.9 milion lekë në muaj. Me taksimin progresiv, taksa e njerëzve me të ardhura personale poshtë 1.4 milion lekëve në muaj do të pakësohet. Dhe përveç kësaj, atyre mund t’u japë kënaqësi (për shumë arsye) edhe fakti që njerëzit me rroga shumë të larta do të paguajnë një taksë më të madhe se sa sot. Dhe kjo ndjesi mund të zërë vend edhe tek të vetëpunësuarit e sektorit bujqësor, pavarësisht se ata nuk preken fare nga ndryshimi i taksimit.

Por a do të jetë kjo ndjesi një shtysë e mjaftueshme për t’i bërë disa votues që dje nuk kanë votuar për koalicionin e PS-së, të votojnë nesër për të? As studime dhe as eksperienca të mëparshme nuk kemi për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Por nga një studim që kam kryer për zgjedhjet shqiptare nga viti 2000 e këtej, më ka rezultuar se rreth 20 mijë zgjedhës e ndryshojnë krahun e votës nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe rreth 20 mijë të tjerë nuk marrin pjesë rregullisht në zgjedhje (për arsye që vetëm Zoti i di). Pra, në rastin më të mirë, kalimi në taksimin progresiv të të ardhurave personale mund t’i shtojë rreth 40 mijë vota koalicionit të PS-së (duke mos llogaritur këtu efektet e rritjes natyrale të popullsisë dhe të faktorëve të tjerë të paanalizuar në këtë shkrim). Ndërsa në rastin më të keq, taksimi progresiv do të ketë zero efekt. Se sa do të jetë shifra reale, do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet beteja mediatike rreth kësaj teme mes opozitës dhe mazhorancës.

Tema e taksimit progresiv të fitimit të bizneseve është më komplekse. Një taksim i shkallëzuar sipas nivelit të fitimit (sa më i lartë fitimi aq më i lartë taksimi) mund të armiqësojë kompanitë më të mëdha të vendit, të cilat janë edhe financueset kryesore të fushatave elektorale. Ndryshe qëndron puna me një shkallëzim të bazuar në kritere zhvillimore (shkallëzim sipas numrit të vendeve të punës që krijon një biznes, sipas nivelit të ri-investimit të fitimit brenda Shqipërisë, sipas nivelit të shfrytëzimit të të mirave publike si, p.sh., burimet minerare dhe frekuencat e telekomunikacionit). Në këtë rast, mund të bëhen “armike” disa kompani (për shembull, ato banka dhe kompani celulare që e dërgojnë fitimin tek kompanitë “mëma”), por mund të bëhen “mike” disa kompani të tjera, të cilat mund të përfitojnë nga shkallëzimi i bazuar në kritere zhvillimore. Deri më sot, PS-ja nuk e ka bërë të qartë se çfarë shkallëzimi do të propozojë për taksimin e fitimit të bizneseve, por në qoftë se zgjedh shkallëzimin strikt sipas nivelit të fitimit, do ta ketë edhe njëfarë kostoje elektorale…

*respublica.al

2 komente në “Efektet e mundshme elektorale të taksës progresive”

  1. raimondi says:

    Aty te drejte ka Zaloshnja qe Taksa progresive do armiqesoje kompanite e medha ,
    porse ne Shqiperi shumica dermuese e popullit jane te varfer , dhe i kane inat te pasurit

    –Keshtu qe duke u nisur nga formula e perjeteshme :Kenaqsia ime eshte kur i Ben keq atij tjetrit –kjo taksa do kete efekt pozitiv tek elektorati varfanjak qe jane mbi 70% hahahahahahahaha

    Megjtihate Edi nuk i fiton dot zgjedhejt qe vijne jo per shkak te takses , por per shkak se ai nuk di te beje aleanca para elektorale

    Ndersa Sala ecen me aprimin per Aleanca me baze te gjere –looooool hahahahahahaha
    –Eshte son of a bitch Sala per keto pune ….Tamam politkan rafinato lol

    Saliu per te fituar ben aleance edhe me komunsitet ,( ndersa i shan per dite ata )
    kurse Edi nuk ben, se ka hallin se i thone komunist …!!!!????

    E kemi me namuz shefin e opozites , ndaj edhe veshtire e ka te fitoje

  2. ndrea says:

    Ne Shqiperi nuk numerohen vota,ato i cakton sulltani.Ne vendin tone nuk fiton programi por fitonai qe bertet me shume,ai qe genjen me shume,ai qe vjedh me shume.Programet jane per ne sirtar se ne praktik behen krejt ndryshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje