Pajtimi dhe ballafaqimi me të kaluarën duket se janë vetëm parulla të Boris Tadiqit për t’u dukur proevropian në Bruksel. Deklarata e presidentit serb se sulmet e NATO-s, që filluan para 13 vjetësh, gjoja kanë qenë krim kundër Serbisë dhe popullit serb, pa përmendur shkaktarët e intervenimit dhe viktimat shqiptare në Kosovë, janë një shtrembërim eklatant i historisë dhe përqafim i retorikës së Slobodan Milosheviqit
Serbia gjendet para zgjedhjeve dhe si në shumë vende të tjera politikanët janë të përqendruar në mobilizimin e mbështetësve. Para zgjedhjeve retorika ashpërsohet, sulmet kundër rivalëve politikë bëhen më agresive, madje shpesh provokohet qëllimisht ose shtrembërohen faktet për ngjarje aktuale politike apo për të kaluarën. Kështu veproi edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, të shtunën, kur në Aleksinac mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për viktimat e bombardimeve të NATO-s, të cilat filluan para 13 vjetësh – më 24 mars 1999. “Ajo luftë”, tha Tadiqi, “ishte krim kundër vendit tonë dhe popullit tonë”. Gjatë bombardimeve të NATO-s ka pasur gjithsesi viktima civile në mesin e serbëve, të cilat duhet të përkujtohen. Por civilët serbë po aq sa janë viktima të NATO-s janë edhe viktima të regjimit të Slobodan Milosheviqit. Ky regjim e futi Serbinë në luftë me gjithë botën perëndimore pasi nisi fushatën për spastrimin etnik të Kosovës. Të shtunën Tadiqi e mori rolin e historianit të keq. Me një retorikë që nuk dallon shumë nga koha e Milosheviqit, ai i pa vetëm dhe vetëm viktimat serbe. Me asnjë fjalë nuk e përmendi represionin serb në Kosovë, sidomos nga viti 1989 deri më 1997; nuk e përmendi fushatën shfarosëse të milicisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë në Kosovë kundër popullsisë civile shqiptare në vitet 1998/99; nuk e përmendi plaçkitjen e pasurisë private të shqiptarëve; nuk e përmendi shkatërrimin e mbi njëqind mijë shtëpive në Kosovë; nuk i përmendi varrezat masive nëpër Serbi të mbushura me shqiptarë të sjellë nga Kosova; nuk e përmendi traumatizimin afatgjatë që i ka shkaktuar popullit të Kosovës politika serbe e aparteidit dhe krimit shtetëror.
Duke i përmendur vetëm viktimat serbe, madje duke i ngritur në piedestal si mbrojtës të atdheut, Tadiqi u soll si një mësues qëllimkeq i historisë. Mësuesit e tillë të historisë, kur janë politikanë si Tadiqi, atëherë janë të rrezikshëm, sepse pamundësojnë çdo ballafaqim me të kaluarën. Në Serbi supozohet se ende ka viktima shqiptare të groposura me urdhër të shtetit. Raportet ndërkombëtare, hetimet e organizatave si OSBE dhe grupeve të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë arritur në përfundimin se në Kosovë, si pasojë e politikës së Milosheviqit, janë vrarë mbi 10 mijë njerëz. Tadiqi duhet t’u tregojë bashkëkombësve të tij për këto krime, në mënyrë që ata të kuptojnë pse vendet më demokratike të botës i shpallën luftë Serbisë. Këto vende nuk e bombarduan Serbinë pse ishin të etura për luftë, as pse ishin antiserbe apo pse ishin proshqiptare. Këto vende e bombarduan Serbinë për shkak të përpjekjes për gjenocid në Kosovë. Kështu e pati quajtur politikën e Beogradit në Kosovë vetë sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, i cili pak para fillimit të bombardimeve apelonte urgjentisht te bashkësia ndërkombëtare të stopojë krimet e Serbisë në Kosovë. Pa dashur që këtu të bëjmë paralele historike, ta zëmë me Luftën e Dytë Botërore dhe me përndjekjen e hebrenjve, por sikur Tadiqi të ishte nxënës i mirë i historisë do ta përmendte këtë fakt: pas dëbimit të gati një milion shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, autoritetet serbe filluan t’i pajisin shqiptarët e mbetur me kartonë të gjelbër për t’i dalluar nga serbët – ky ishte versioni milosheviqian i yllit hebraik (“Judenstern”), me të cilin në kohën e nazizmit shënjoheshin hebrenjtë.
Boris Tadiqi viteve të kaluara ka nënvizuar rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën. Ai ka qenë dy herë në Srebrenicë për t’i përkujtuar viktimat e gjenocidit. Po ashtu presidenti serb ka bërë më shumë se politikanët e tjerë të Beogradit për arrestimin e Radovan Karagjiqit, Ratko Mladiqit dhe Goran Haxhiqit. Por kjo nuk mjafton. Tadiqi kishte premtuar se do të zhvilloheshin hetime për të zbuluar se kush e ka mbrojtur dhe kush i ka ofruar strehim trios infernale Karagjiq, Mladiq, Haxhiq. Nga perspektiva e sotme shihet se premtimi i Tadiqit vitin e kaluar ishte marketing politik për të fituar poenë në Bruksel. Rrjeti i përkrahësve të kriminelëve të luftës mbetet kryesisht i paprekur.
Në ceremoninë përkujtimore në Aleksinac, Tadiqi shoqërohej nga shefi i ri i ushtrisë serbe, gjenerali Dikoviq, i cili akuzohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare për krime dhe plaçkitje në Kosovë. Në vend se Dikoviqi të gjendej para drejtësisë, ai sot nga Tadiqi është vënë në krye të armatës. Tadiqi për shkak të vërtetësisë historike do të duhej t’i tregonte publikut serb se me përjashtim të Milosheviqit dhe Milan Milutinoviqit, ish-kryetarit të Serbisë, pothuaj krejt kreu politik, ushtarak dhe policor serb i viteve ‘90 ose është dënuar në Hagë për krime lufte, ose gjendet ende para gjyqit për shkak të krimeve në Kosovë.
Pajtimi në Ballkan ka shans vetëm nëse të gjithë popujt merren – në radhë të parë – me krimet e shkaktuara nga bashkëkombësit e tyre. Kjo vlen sidomos për Serbinë, e cila bart pjesën më të madhe të fajit për kasaphanën ballkanike të viteve ‘90. Pajtimi nuk bëhet me deklarata sa për sy e faqe dhe për të tingëlluar mirë në veshët e burokratëve në Bruksel. Pajtimi nuk bëhet as kur Tadiqi, nga njëra anë, thotë se e mbështet Bosnjën unike dhe, në anën tjetër, merr pjesë në kremtimet e përvjetorit të themelimit të të ashtuquajturës Republika Sërpska, e cila është ndërtuar mbi krime dhe legalizuar tek në fund të vitit 1995 me Marrëveshjen e Daytonit. Pajtimi nuk bëhet as kur matadori lokal Milorad Dodik e minimizon gjenocidin në Srebrenicë dhe thotë se kryeqytet i serbëve të Bosnjës është Beogradi.
Sa i përket intervenimit të NATO-s në vitin 1999, Beogradi tërheq përherë vëmendjen se nuk ka pasur vendim përkatës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo është e saktë, por si më 1999, si sot, më 2012, janë shtetet e njëjta, Rusia dhe Kina, të cilat e keqpërdorin Këshillin e Sigurimit për të imponuar politikat e tyre në mbështetje të regjimeve jodemokratike dhe me veton e tyre pengojnë çdo ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare kundër shteteve të terrorizojnë popullsi të tëra. Më 1999 ishte Milosheviqi, sot është Bashar al-Asadi, diktatori i Sirisë, që gëzon përkrahjen ruso-kineze. Rusia dhe Kina janë shtete me fuqi ekonomike, por nuk kanë arritur të bëhen model demokratik për vende të tjera. Prandaj, Këshilli i Sigurimit si relikt i Luftës së Dytë Botërore dhe Luftë së Ftohtë ka mbetur arena e vetme ku Moska dhe Pekini bëjnë politike botërore, kryesisht me instrumentin jodemokratik të vetos.
Intervenimi i NATO-s kundër spastrimeve etnike në Kosovë u provokua nga regjimi i Milosheviqit. Për këtë arsye ndërhyrja gjeti mbështetje edhe nga shumë intelektualë. Në emër të tyre po citojmë këtu shkrimtarin Salman Rushdie, i cili më 1999 kritikonte ashpër kundërshtarët e ndërhyrjes në Kosovë. “Argumenti më i rëndësishëm i atyre që hidhnin poshtë ndërhyrjen në Kosovë ishte se aksioni i NATO-s paskësh vënë në lëvizje të plotë dhunën që kishte synuar ta evitojë, kështu që faj për masakrat, nëse e shohim kështu, në të vërtetë paskësh Madeleine Albright. Këtë tezë unë e quaj moralisht të poshtër, sepse ajo i shfajëson vrasësit e vërtetë dhe, përveç kësaj, është fund e krye e rrejshme. Nëse lihen anash të gjitha emocionet dhe shikohet logjistika e vërtetë e masakrave të Milosheviqit, shumë shpejt bëhet e qartë se tmerret janë planifikuar me kujdes. (…) Nëse gjykojmë sipas raporteve të korrespondentëve me përvojë ndërkombëtare, të cilët kanë vizituar Kosovën, realiteti atje duket i tillë që vetëm disa serbë kanë mbetur dhe mbase është e pamundshme që ata të mbrohen. Sarajeva e lashtë multikulturore është shkatërruar me luftën e Bosnjës. Edhe Kosova e lashtë është zhdukur, ndoshta përgjithmonë”. Vitet kalojnë, por e vërteta nuk mund të mbulohet me shtrembërime faktesh.
Problemi eshte qe te gjithe serbet me ne krye Tadicin kur vjen puna tek Kosova quhen te gjithe milloshevice ose shkurt ” KASAPE BALLKANI”.
Mua nuk me intereson fare fqinjesia e mire, integrimi, faktor stabiliteti dhe te tjera budallalleqe te tilla. Zoteri i dashur je kriminel dhe duhet te paguash per kete, heret apo vone.Ke mbi 20 vjet qe ther ne balkan dhe mos mi shit mua denglat e uleta te integrimit me Tadicin ne krye qe anetaret e fisit te tij jane iniciuesit e genocidit te shqiptareve. Une shpresoj shume qe Amerikanet duke e ditur qe kane nje popull shqiptar qe USA e dashuron pa pagese( USA shpenzojne miliarda ne pjese te tjera te botes qe te gjejne nje popull mik sa cereku i shqiptareve)te cojne haken tek i zoti, qofte edhe per interesat e veta.Kjo hake eshte , shqiptaret te jetojne te qete dhe te bashkuar ne trojet e veta etnike ne nje shtet te vetem. Vetem atehere, kur ky te jete fakt i kryer, edhe kasapi do ta kuptoje qe nuk ka pse harxhon me energji dhe para per ti mbajtur te ndare shqiptaret. Vetem atehere populli shqiptar do te filloje te zhvillohet me shpejtesi marramendese ne te gjitha fushat.Uroj qe kjo dite te vije sa me shpejt
Se mos vetem historie o zoti Robelli! Po ekonomike, gjeopolitike, nacionale, sportive, tradicionale, shteterore me kete UDB-sin ne fuqi.
http://imageshack.us/photo/my-images/855/nasdaqberisha.jpg/
Pergezimet e mia Z. Enver Robelli,
Vertet uroj qe kjo ceshtje te gjeje nje hapesire me te madhe ne mediat shqiptare.