Nga Ilir Beqja
Tri sigurimet që po analizojmë më poshtë janë më shumë se gjysma e tregut të sigurimeve në vend, duke bërë që ato të jenë ende shumë të panjohura e të pakërkuara nga shqiptarët. Kjo situatë nuk ndryshon prej vitesh, edhe pse aktualisht rreth 60 % e tregut zotërohet nga kompani të huaja.
Primet dhe dëmet
Në fillim të muajit të kaluar, shoqëritë e sigurimeve vendosën njëherazi të rrisin tarifat për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve. Edhe pse ende shumë i vogël, për disa vite me rradhë tregu i sigurimeve ka patur ecuri pozitive në Shqipëri. Pas një dekade rritjeje në shumë drejtime përfshirë edhe prezencën e dy kompanive të rëndësishme austriake, mesa duket në vitin 2011 kriza ka prekur edhe tregun e sigurimeve. Kjo konfirmohet nga të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare – AMF. Kundrejt vitit 2010, primet e shkruara bruto u rritën me vetëm 1,8 %, ndërsa përbëjnë vetëm 0,6 % të GDP. Duke qenë se duhet të përballojnë disa kosto fikse që nuk janë të neglizhueshme, kjo situatë i ka bërë shoqëritë e sigurimeve që të shtrëngojnë pagesën e dëmeve. Në 2011, për herë të parë pas shumë vitesh dëmet e paguara janë më të ulëta se një vit më parë (rënia është 5.5 %). Grafiku 1 ilustron ecurinë e primeve dhe dëmeve në periudhën 2009 – 2011. Nuk disponohen të dhëna nëse rënia e dëmeve të paguara vjen nga vonesa në shlyerjen e tyre, pasi AMF nuk raporton sa janë dëmet e miratuara.
Sigurimi i automjeteve
Tregu shqiptar i sigurimeve është karakterizuar në vite nga një peshë e madhe e sigurimit të automjeteve ndaj palëve të treta. Edhe pse vitin e fundit ky sigurim zë peshë më të vogël, pesha e tij në vitin 2011 është 45 % e tregut. Por, rritja e primeve të këtij sigurimi në shkurt të këtij viti, do të bëjë që në vitin 2012 sigurimi i automjeteve të jetë përsëri më shumë se gjysma e tregut të sigurimeve shqiptare.
Sigurimi i jetës
Nga një analizë e shpejtë e të dhënave rezulton se primet e sigurimit të jetës zënë ende një peshë të ulët ndaj totalit të primeve, edhe pse në vitin 2011 janë 12 % e totalit, ndërkohë që në vitin 2008 kanë qenë 7 %. Në vlerë absolute këto prime janë rritur me 47 % në periudhën 2009 – 2011. Por një analizë më e thelluar na zbulon se një pjesë e mirë e sigurimit të jetës vjen si rezultat i detyrimeve të tërthorta për t’u siguruar. Dy janë zërat kryesore të sigurimit të jetës në Shqipëri: 1) Jeta e debitorit dhe 2) Jeta dhe shëndeti në udhëtim. Të dy së bashku këto sigurime përbëjnë rreth 70 % të sigurimit të jetës dhe kjo situatë është konstante në vitet 2009 – 2011.
Jeta e Debitorit është sigurimi që kërkojnë bankat për të dhënë një kredi. Bankat duan të mbrohen nga rreziku se kredimarrësi humb jetën dhe nuk mund të shlyejë më kredinë. Në periudhën 2009 – 2011 primet e jetës së debitorit janë rritur 48 %. Kjo vjen sepse bankat janë bërë shumë më të kujdesshme, edhe pse dëmet e paguara në këtë sigurim janë po aq sa në 2009.
Jeta dhe Shëndeti në Udhëtim. Primet në këtë lloj sigurimi janë rritur me 38 % në vitet 2009 – 2011 dhe kjo është rezultat i zbatimit të kushteve të lëvizjes pa viza në zonë Schengen.
Tri sigurimet që analizuam më sipër janë më shumë se gjysma e tregut të sigurimeve në vend, duke bërë që sigurimet të jenë ende shumë të panjohura e të pakërkuara nga shqiptarët. Kjo situatë nuk ndryshon prej vitesh, edhe pse aktualisht rreth 60 % e tregut zotërohet nga kompani të huaja. Ndërkohë kompania shtetërore INSIG zë aktualisht vetëm rreth 8.4 % të tregut.
*Revista JAVA
Edhe pse eshte nje tregues i terthort per rritjen ekonomike ky eshte nje tregues kuptimplote pasi ne pergjithesi rritja e ekonomise dhe e tregut te sigurimene ecin perkrah.Kjo ndodh ne ekonomite prodhuese e ne shtetet normale.Ah ta kishte INSTAT kete do ta kishte nxjere me rritje 30 perqind ,keto kompanite e huaja na nxoren b…en zbuluar.
Ndersa une mendoj se kompanite e sigurimeve jane drejt falimentimit.Fakti i renies se vleres te demeve te paguara eshte nje tregues sinjifikativ.Nga grafiku shihet qe primet bruto jane ulur po keshtu edhe pagesat e demeve.Nga sigurimi i detyrueshem i automjeteve jane edhe demet me te medhaja.Fakt eshte qe kompanite e sigurimeve nuk paguajne deme, por vetem i sorrolasin klientet neper gjyqe pa fund edhe neper BSHS qe e paguan nje dem mbas 2 vjetesh.Me siguri nga AMF nuk jane raportuar demet ne proces qe perbejne me shume se 50% te te ardhurave te kompanive te sigurimit.Sa per INSIG ate kompani e shkateroi politika klienteliste e PD dhe keqmenazhimi i drejtuesve te saj.