Risia anglo-saksone djathtas

19 Mars 2012, 21:58Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Trendi politik në Shqipëri parashikon rrokadë. Qoftë kjo më 2013 apo më shpejt sikurse ‘bathët’ thonë, pritshmëri mbetet rikthimi në pushtet i opozitës, frymë kjo e ngjizuar qysh më 2009 që përtej meritës së saj (e diskutueshme me episode si Gërdeci, ndryshimi i Kushtetutës, transparencën elektorale) u zanafill prej vetë performancës së debatueshme dhe imazhit në zhbërje demokratik të mazhorancës që pa i mohuar arritjet, u konsumua shumë më shpejt seç pritej teksa ‘turni’ i saj u asocijua me e Gërdecin, copyrightin e Rrugës së Kombit, Marrëveshjen antikushtetuese të Ujërave, ngecjen e integrimit Europian etj me ‘kapak’ 21 janarin e përgjakur dhe 8 majin e fiaskos elektorale. Një mazhorancë kjo me ‘datë skadimi’ të tejkaluar, që nëse gjetiu në perëndim, nuk do t’i mbetej veçse të fokusohej në ‘exit’-in demokratik prej pushtetit si precedent dhe aset politik për të ardhmen.

 

Rilindja e së djathtës, rilindje kombëtare

Rilindja kombëtare, e shndërruar në refren në kampin e majtë, përtej debatit të realizmit të pritshmërive, nuk mund të ngjizet dhe materializohet pa një rilindje totale të politikës, pavarësisht krahut të saj. Ajo do të kompromentohej nëse përballë një të majte në pushtet, sado të emancipuar, do të ishte një e djathtë në ngërç demokratik. Shoqëria po ‘ulëret’ për demokraci funksionale dhe ndërsa në kampin opozitar kjo po mbahet shënim me zell prej z. Rama në kryerjen e ‘detyrave të shtëpisë’, në kampin e djathtë sipari sapo ka filluar të ngrihet.

Në agoninë e reformave drejt BE, politika duhet të rinovohet dhe shoqëria sërisht ka shansin e madh të emancipojë vetveten duke promovuar politikën e re, pavarësisht spektrit të saj. Një e majtë dominuese në 2013, përballë një opozite të djathtë të marzhinalizuar dhe refraktare që humb shansin e reformimit, mund të provokojë konvertimin e së majtës në forcë po aq arrogante sa dhe e sotmja sot, gjë që veç përsërit historinë e zgjat agoninë e reformave. Rrjedhimisht dekurajimi i katarsis brënda së djathtës, nuk i shërben kërkujt, të majtës përfshirë por ndërsa kjo e fundit për inerci nuk promovon antinomin e saj, shoqëria nuk duhet të ngurrojë.

 

‘Topi’ tek lëvizja Topi

Indeksimi kritik i PD në ‘bursën’ e politikës nuk duhet të perceptohet dhe shndërrohet kurrsesi në krizë potenciale të së djathtës. Për më tepër kur trajektorja e qeverisjes së PD ka dëshmuar një seri zig-zagesh përtej pritshmërive të një të djathte moderne. Misioni historik për një rilindje të së djathtës përmes një lëvizjeje të pritshme që simbolizohet me z. Topi (protagonizmi i pritshëm i të cilit do ishte aset me vlera unike sikurse vetë ai do të merrte shumë prej saj) dhe një sërë emrash spikatës dhe me integritet si z. Biberaj, z. Oketa, z. Mustafaj, z. Selami etj, i përket realisht një numri në rritje qytetarësh që besojnë se vëndi, përtej utopisë së deritanishme, ka nevojë për një të djathtë efektive të frymëzimit konservator anglo-sakson, identiteti i së cilës del përtej pozicionimit të thjeshtë joproduktiv, ‘kondrapedal’ ndaj PD (sikurse ndodhi me parti të dala prej PD në të shkuarën).

Koha kërkon një të djathtë moderne që vendos realisht në qendër qytetarin e lirë në dinjitetin e tij dhe merr përsipër jo vetëm ridimensionimin e çështjes kombëtare, zgjidhjen e problemit kardinal të pronës, zbatimin strikt të ligjit, aplikimin e taksave stimuluese, marzhinalizimin e klientelizmit politik dhe mediokracisë në favor të meritokracisë, rivlerësimin dinjitoz të disidencës, punës dhe luftës së brezave, traditës dhe vlerave të kombit dhe familjes, konsolidimin e partnershipit eskluziv me miqtë anglo-saksonë por dhe përmirësimin e shërbimeve publike, garantimin e jetës dhe dinjitetit të qytetarit, shanset për të gjithë, luftën pa kompromis ndaj varfërisë e të tjera dimensione të tjera sociale tradicionalisht të konsideruara terren i së majtës.

Sikurse edhe platforma për rilindje kombëtare e PS dëshmon, e majta dhe e djathta sot nuk përbëjnë më alternativa përjashtuese por gjysma plotësuese që veç së bashku i japin kuptim dhe e bëjnë efektive të tërën teksa çdo qeveri duhet të flasë në emër të të gjithëve, pavarësisht elektoratit që e zgjedh atë. Përtej metafizikës dhe inercisë të së djathtës e të majtës historike, sot dallimet ideologjike janë zbehur me dallimin tashmë tek qasja më efektive për të kombinuar njëkohësisht në një të vetme politikat e nevojshme të majta dhe të djathta. Sepse kushdo është sa i majtë dhe i djathtë teksa respekton pronën, beson tek biznesi dhe sipërmarrja, pret shërbime efektive publike, ndjen ndaj njerëzve në nevojë dhe respekton dinjitetin e kujtdo.

 

E djathtë që frymëzon

E djathta e re duhet të mishërojë lirinë dhe dinjitetin në politikë dhe si e tillë nuk duhet të ketë qoftë komplekse rreth aleancave post-zgjedhore që bazohen në vlera demokratike, ashtu dhe nuk duhet të bjerë pre e sindromës së ‘viktimizimit’ prej shantazhit të politikës së vjetër që përdor çdo mjet dhe alibi kundër saj. Sfida e së djathtës së re është sfida me vetveten për të afirmuar dhe konfirmuar respektin ndaj integritetit në politikë dhe përgjegjshmërinë ndaj interesave madhore të elektoratit duke u distancuar qartë prej inercisë së politikës klienteliste dhe perceptimit si garnizon ‘sh.p.k.’ interesash individuale.

Përballë trashëgimisë së politikës së vjetër dhe boomerangut të sindromës ‘Barabass’ ende në një pjesë të elektoratit (kur në emër të ‘demokracisë’ u kryqëzua Jezusi dhe u la i lirë cubi(!), nëse zgjedhje të parakohshme apo rutinë 2013, rëndësi për të djathtën e re ka fitorja e imazhit demokratik dhe rikthimi i shpresës se kushdo që beson në vlera të mirëfillta konservatore, tashkë e ka një shtëpi. Për të djathtën e re, populizmi patetik dhe spekulativ i të ‘djathtës’ dominuese të tranzicionit, nuk duhet të jetë as referencë për mbijetesë në politikë dhe as dekurajim për të konfirmuar në vijimësi apelin për integritet dhe shpresë në emër të vlerave superiore të demokracisë anglo-saksone.

E projektuar në vlera reale konservatore dhe me inkurajim në rritje prej vetë miqve anglo-sakson, e djathta e re do të jetë ‘magnet’ i shumëpritur dhe unik për shumë syresh të rinj, intelektualë, të paangazhuar deri më sot, emigrantë etj, që kanë nderin dhe shansin të shprehin vetveten dhe të ndjehen të arrirë teksa u jepet mundësia të vënë ‘tullën’ e tyre në këtë projekt madhor të denjë për vullnete dhe individë misionarë që përjetojnë tek vlerat e demokracisë anglo-saksone frymëzimin për të nesërmen. Sot sfida e së djathtës, është sfidë e të nesërmes ku askush nuk e ka luksin të jetë indiferent. Me të Djathtën e Re, gur prove për të gjithë, është koha për t’u dukur.

3 komente në “Risia anglo-saksone djathtas”

  1. Shkodrani.London says:

    Rilindja e nje kombi,duhet te ngjasoje me rilindjen e gjithckaje ne pranver,mbas dimrit te ashper e te padurueshem.Sot,mbas 67 vjetesh diktature komuniste te Enverit dhe asaj fashiste te Saliut,ka ardhur koha e levizjeve progresive drejt nje rilindje te majte dhe te djathte.Prandaj,sa me shpejt ta shembim kete diktature,aq me shpejt do filloje te zere rruge projekti demokratik i se ardhmes.Me 22 Mars,lajmrojne tellallet televiziv te Dr Krimit,do festohet pervjetori i fitores historika te Saliut.Ky esht pervjetori i ardhjes ne pushtet te Sali Berishes,i barazvlefshem me ardhjen ne pushtet te Enverit, Stalinit, Hitlerit, Musolinit, Ben Alis, Gedafit, Mubarakut etj.Te gjith diktatoret veprojne ashtu,per t treguar popullit se jemi akoma,prandaj mjer kush ngre koke para kesaj perkrahje.Sigurish,perkrahje nga rrogtar,shpellar e zagare

  2. Kapterri says:

    I nderuar Z. Duka. Eshte per t´u respektuar perpjekja juaj dhe analisteve te tjere per t´i dhene nje orientim jo vetem te djathtes, por te gjitha forcave te ndershe politike ne Shqiperi. Problemi eshte se Shqiperia nuk ka tradita demokratike. Edhe shansin e vetem qe kishte duke filluar nga 1992 e humbi, per arsyet qe i dine te gjithe. Tradita demokratike ne politike eshte nje “prone” e krijuar me shekuj ne vendet perendimore perfshi ate anglo-saksone. Kjo mund te krahasohet me tradita te tjera qe nje komb merr me vete ne rrugen e tij ne te ardhem. Ashtu si edhe tradita ne gastronomi. Pa dashur te fyej disa te ashtuquajtura tradita, mendoj se e vetmja gjelle shqiptare eshte tava e Elbasanit, qe mesa di une gjendet ne menyte edhe te Turqise. Te gjitha gatimet e tjera jane nje kopje e keqe e importuar. Keshtu edhe me traditen politike. Dhe para se gjithash me “traditen” demokratike qe nuk eshte pjese e ADN-se se politikes se deritanishme shqiptare. Edhe ajo tradite deri diku e tolerances ndaj klaneve te tjera, eshte mbajtur vetem per te evituar shfarosjen e llojit. Edhe kjo ka dale nga ekulibri qe nga 1992-shi per te mos folur per 1997-en. Keshtu qe nuk besoj se “rilindje” te sforcuara te se djathtes do ta ndryshojne kaq shpejt genin “demokratik” te politikes shqiptare. Qelizat kancerogjene qe ju futen mentaliteti shqiptar nga 1992- sidomos ai i nje lufte te re klasore, kane shtrire metastazat ne te gjithe nivelet e shoqerise dhe eshte veshtire qe nje operacion i pjesshmen apo nje kemoterapi do te zgjidhe problemin e se djathes apo te majtes, lere pastaj te shoqerise. Shqiperia ka nevoje per nje “varrosje per se gjalli” e klases se vjeter politike dhe nje sforcim te jashtezakonshem per “depistimin” e gjenerates se re politike, e cila eshte edukuar dhe infektuar shume thelle. Vetem atehere mund te shpresojme per nje rilindje. Fatkeqesisht, koha ecen shume shpejt dhe politikanet shqiptare do te vazhdojne te gatuajne sipas tradites taven e kosit politike te radhes.

  3. Robi says:

    Risi’ anglosaksone??? Na dhjeve se qeshuri! Kjo eshte e njejta shprehje qe tha ne nje debat nt tv. Gjergj Bojaxhiu. Dhe sapo i ngarkoi Saliu nje detyre te rendesishme,ju turr’ me fadroma , si nje jenicer,prishjes se shtepive te njerezve te thjeshte.Nje politikan anglosakson, ne fillim do te prishte vilat e qeveritareve. Te thuash qe kam risi,mentalitet apo ideologji anglo-saksone , eshte shume,apo shume larg , nga te qenurit;politikan shqiptar i diteve te sotme!!! Shikoni mor’ lesh politikane te kapni standartet civile te nje mesdhetari,se per sa i takon menyres anglo-saksone te te menduarit,nuk e arrini as per 100 vjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje