Pema e ndaluar shqiptare

19 Mars 2012, 21:52Blog TEMA

Nga Agron Bajrami

Para rreth dhjetë ditësh përmes internetit u përhap lajmi se një grup deputetësh në Parlamentin e Kosovës kishte përgatitur një rezolutë me të cilën Kosova do të votojë për bashkim me Shqipërinë.

Ky lajm, që së pari u botua nga një agjenci pak e njohur nga Tirana, me shpejtësi të madhe u përhap në rajon, e madje edhe në Evropë, meqë në një afat të shkurtër u ripublikua në shumë media rajonale dhe më gjerë. Por, një lajm i tillë ishte befasi e madhe për publikun në Kosovë, posaçërisht për deputetët në Parlament, prej të cilëve shumë thanë se është hera e parë që dëgjojnë për një iniciativë të tillë.

Zyrtarisht, në Parlamentin e Kosovës nuk ekziston një iniciativë e tillë. Jozyrtarisht shumica e deputetëve dyshojnë nëse lajmi ishte një “balon testues” me të cilin dikush ose ka dashur që të shihte se cilat do të jenë reagimet, ose ka dëshiruar të tërhiqte vëmendjen nga trendi në rritje i nacionalizmit në skenën politike, jo vetëm në Kosovë.

Sepse nuk është fshehtësi që në Kosovë, e së fundi edhe në Shqipëri, veprojnë disa parti dhe lëvizje politike që angazhohen për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Në Prishtinë më e njohura është lëvizja “Vetëvendosje”, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, dhe e cila pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e bë partia e tretë për nga madhësia në Parlamentin kosovar, me rreth 13 për qind të votave. Në Shqipëri tashmë është në fazën e fundit të krijimit grupimi i ri politik që angazhohet për bashkimin e shqiptarëve, e që veten e quan Aleanca Kuqezi, sipas ngjyrave të flamurit shqiptar, me të cilin identifikohen nacionalisht të gjithë shqiptarët në botë.

Por, megjithatë, pushteti real politik i këtyre forcave është ende i vogël që të mund të arrijë rezultate më konkrete në afat të shkurtër.

Në Kosovë pothuajse të gjitha partitë e tjera parlamentare, përfshirë Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike, insistojnë që Kosova duhet të vazhdojë rrugës së vet si një shtet i pavarur, ndërsa bashkimi me Shqipërinë do të arrihet kur të dy vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Vijën e njëjtë – se bashkimi i të gjithë shqiptarëve do të “ndodhë” me anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE – e mbajnë edhe dy partitë më të mëdha në Shqipëri, demokratët e kryeministrit Sali Berisha dhe socialistët opozitarë.

Për më tepër, në Kosovë ekziston edhe pengesa e madhe ligjore për bashkimin: Kushtetuta e Kosovës thotë se Kosova është Republikë e pavarur që nuk mund të bashkohet me asnjë shtet tjetër, sikur edhe që asnjë pjesë e një shteti tjetër nuk mund t’i bashkohet Kosovës.

Një zgjedhje e tillë kushtetuese është rezultat i negociatave me Serbinë, të ndërmjetësuara nga emisari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, ndërsa qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare gjatë negociatave ishte që të sigurohet se Kosova nuk do t’i bashkohet Shqipërisë, dhe që veriu i Kosovës nuk do t’i bashkohet Serbisë, ose që territori me shumicën serbe nuk do të shkëmbehet për Luginën e Preshevës në Serbi, ku shumica e popullatës është shqiptare.

E edhe nëse shumica e partive në Kosovë do të pranonte një ndryshim kushtetues që do të lejonte bashkimin me Shqipërinë, një gjë e tillë nuk është e mundur pa dy të tretat e votave të përfaqësuesve serbë në Parlament, meqë Kushtetua nuk lejon mbivotimin e pakicave në çështjet që janë edhe në interes të tyre.

Por, derisa bashkimi politik i Kosovës dhe Shqipërisë është shfaqur si temë për shkak të rritjes graduale të popullimit në tërë rajonin, që sigurisht se është ngushtë e ndërlidhur edhe me telashet e mëdha ekonomike (e tërë Evropa Juglindore), mosfunksionimin e shteteve dhe demokracive (gati të gjitha vendet e rajonit kanë probleme me krimin, korrupsionin, vjedhjet zgjedhore, qeverisjen e keqe), si dhe problemeve të pazgjidhura territoriale (në Bosnjë-Hercegovinë, mes Kosovës dhe Serbisë) apo të drejtave minoritare (serbët në Kosovë, shqiptarët në Serbi e Maqedoni, problemet etnike në Bosnjë-Hercegovinë, myslimanët në Serbi), në prapavijë megjithatë po ndodh një tjetër lloj i afrimit të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka më pak lidhje me politikën, e më shumë me ekonominë.

Në fakt, vendet e Ballkanit janë tregje të vogla, andaj edhe integrimi rajonal – posaçërisht mes sistemeve që fizikisht janë afër dhe në aspekte sociale të ngjashëm, sikur që është rasti me Kosovën dhe Shqipërinë – është gjë e natyrshme, që nuk është e thënë se duhet shikuar ekskluzivisht si një zhvillim negativ i ngjarjeve.

Në kuptimin ekonomik e social, Kosova dhe Shqipëria duken se janë më afër sesa që ishin, shembull, Serbia e Mali i Zi në disa vjetët e fundit apo, madje, se që janë sot Federata e Bosnjë-Hercegovinës dhe Republika Serbe, të cilat zyrtarisht janë një shtet!

Andaj, frika e sotme nga bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë, sikur edhe të gjitha frikët e tjera nga projektet e ashtuquajtura nacionale apo edhe populliste, më parë është tregues se në fakt problemi i vërtetë gjendet tek jofunksionaliteti i shteteve paskomuniste në hapësirën e Ballkanit, që gjithsesi i shtyn njerëzit në kërkim të zgjidhjeve të tjera, prej të cilave më joshëset janë ato që politika zyrtare i shpall si “të ndaluara”.

(Ky vështrim i kryeredaktorit të ”Kohës Ditore” është botuar në të përditshmen sllovene “Finance”)

1 komente në “Pema e ndaluar shqiptare”

  1. Grigor says:

    Autori sheh pengese per bashkim kushtetuten e Kosoves dhe ndryshimin e saj te pamundur nga veto bllokuese e pakicave. Kushtetuta ndryshohet edhe me referendum. Referendumi eshte forma me e larte e shprehjes se demokracise. Ligjet behen per t’u sherbyer njerezve dhe jo njerezit t’u sherbejne e t’u ngelen peng ligjeve. Ne momentin kur nje ligj i caktuar qofte dhe kushtetuta nuk i sherben shumices atehere ai ligj automatikisht ka rene. Eshte populli qe ka te drejte mbi territorin, shtetin apo infrastrukturen shteterore. Kjo nuk eshte kushtetuta e popullit te Kosoves. Pasi nuk eshte votuar nga populli i Kosoves apo kuvendi i Kosoves. Kjo eshte nje corbe e gatuar jashte dhe e servirur per ta ngrene shqiptaret. Autori permend problemet ekonomike, korrupsionin, papunesine dhe habitet perse trendi nuk eshte qe njerzit te merren me keto probleme por kane interesin tek bashkimi kombetar. Autori nuk jep pergjigje pyetjes:- Ne nje Shqiperi te bashkuar do a do kishim nje treg me te madh qe do perkthehej ne cmime me te lira dhe do behej me terheqes per investitoret? A nuk do perkthehej ne nje rritje ekonomike me te madhe, ne punesim me te madh, nje shtet me i fuqishem, rrjedhimisht me nje ushtri me te forte dhe te mirearmatosur, me nje shtet me nje ndikim rajonal me te madh dhe ne nje pozite te shqiptareve me te lakmuar se ajo qe ndodhemi sot? Nuk ka nevoje per pergjigje se dhe nje femije i shkolles fillore arrin te beje lidhjen qe te bashkuar jemi me te fuqishem dhe kemi perspektive ekonomike ku e ku me te mire. Autori nuk arrin ta deduktoje kete ose ben sikur nuk arrin dhe rrezohet me kembet e veta duke kerkuar qe shqiptaret te shohin problemet e perditshme ne vend te problemit kombetar. Zgjidhja e problemit kombetar ka brenda dhe zgjidhjen e problemeve te perditshme. Kurre nuk mund te perparoje, prosperoje nje shtet qe nuk ka brenda tij te gjithe potencialin e tij natyror hapesinor, njerzor dhe ekonomik. Kombet nuk jane formuar ne nje hapesire te caktuar kuturu. Kombet jane krijuar ne nje hapesire te caktuar brenda disa kufijve natyrore ne baze te funksionalitetit ekonomik. Ndarja ose me sakte sakatimi ne 1913 i hapesires natyrore kombetare dhe ekonomike te shqiptareve e prishi kete funksionalitet ekonomik dhe la pasoja te pariparueshme. Pa u bashkuar se bashku ta harroje autori apo ndonje utopist tjeter qe kemi per te pare hajer si komb sa te jemi e te rrojme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje