Në Kosovë nuk duhet të mbahen kurrfarë zgjedhjesh të Serbisë

14 Mars 2012, 20:46Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Më 6 maj të këtij viti në Serbi do të zhvillohen tri palë zgjedhjesh: parlamentare, lokale dhe presidenciale. Pa marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, duke siguruar se nuk është hequr dorë as nga qëndrimi se „Kosova e Metohija“ janë pjesë e Serbisë, presidenti i këtij vendi Boris Tadiq synon të marrë pushtetin për një mandat të ri. Ai tashmë ka bërë të qartë se në fushatë shkon me moton „edhe Kosova, edhe Bashkimi Evropian“. Me përjashtim të Partisë Liberale, asnjë parti tjetër opozitare në Serbi nuk ka qëndrim të ndryshëm ndaj statusit të Kosovës me presidentin Tadiq. Të gjithë pajtohen se „Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë“ dhe se „nuk do të hiqet dorë nga ky qëndrim me asnjë kusht“. Por Serbia në rastin e Kosovës është duke bërë disa përllogaritje. Sa larg mund të shkojë në bindjen e opinionit vendor se nuk heq dorë nga Kosova e që në të njëjtën kohë të mos i përkeqësojë raportet me bashkësinë ndërkombëtare e cila aq shumë e ka përkëdhelur Serbinë këta muaj të fundit. Në kuadër të kësaj dileme ka lindur edhe problemi i zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë, siç thonë ata, „në tërë territorin e shtetit“ (pra sipas tyre edhe në territorin e Kosovës që është, prapë sipas tyre, „pjesë përbërëse e Serbisë“).

Pritjet janë se Serbia do t’i organizoj, në atë apo këtë mënyrë, votimet edhe në Kosovë. Një gjë të tillë Serbia mund ta bëjë pa ndonjë frikë se do të përkeqësojë tepër raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Fundi i fundit, Serbia gjithmonë ka organizuar zgjedhje në territorin e Kosovës dhe asnjëherë nuk ka pasur pasoja një gjë e tillë për raportet e saj me bashkësinë ndërkombëtare. Pse të mos i zhvillojë edhe tani. Por zhvillimi i zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës do të jetë një problem serioz për qeverinë në Prishtinë dhe për faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Do të jetë konfirmim se autoritete të një shteti fqinj mund të zhvillojnë zgjedhje në Kosovë pa fshehur se kanë pretendime territoriale.

 

Për Serbinë nuk do të ketë pasoja nëse i zhvillon zgjedhjet në Kosovë

Faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë këto ditë shprehen kundër zhvillimit të zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Por krejt kjo zhurmë është për të krijuar rrethana në të cilat në Kosovë do të votohet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare, sa për t’ia bërë qejfin qytetarëve të Kosovës, do të mund t’i kritikojë ato zgjedhje, ndoshta edhe t’i quajë „të papranueshme“, por nuk do t’i pengojë. Madje do të kërkojnë nga „autoritetet e Prishtinës“ që të „përmbahen për të mos nxitur tensione“. Për këtë të fundit, nëse është për t’u besuar disa diplomatëve të BE-së, nuk duhet të shqetësohen shumë sepse, gjithnjë sipas tyre, „nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës është mësuar se ata nuk do të kenë asgjë kundër pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës me shtetësi të Serbisë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, me kusht që të mos lejohen zgjedhjet lokale“. Madje disa zyrtarë të BE-së, si komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, na sqarojnë se „zhvillimi i zgjedhjeve lokale të Serbisë në veri të Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244!“. Pra për BE-në kjo rezolutë na qenka gjithsesi gjallë, aktuale dhe ende e patejkaluar.

Serbia edhe në vitin 2008 i ka organizuar zgjedhjet lokale në Kosovë. Për ato zgjedhje Komisioni Evropian ka konstatuar se kanë qenë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por asnjë masë nuk ka propozuar as BE-ja e as dikush tjetër ndaj Beogradit. Nëse kësaj radhe zyrtarëve ndërkombëtarë do t’u mbetet hatri me Beogradin më shumë sesa herëve të tjera, nëse zhvillohen zgjedhjet lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, atëherë Beogradit gjithsesi do t’i mbetet kohë e mjaftueshme për t’i riparuar ato raporte. Beogradit një përkrahje e vogël ndërkombëtare do t’i nevojitet jo më herët sesa në vjeshtë kur pret datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Dhe Beogradi ka dëshmuar se di të krijojë probleme (siç ishin barrikadat, sulmet ndaj NATO-s, bllokimi i EULEX-it dhe referendumi në veri të Kosovës) e pastaj brenda disa ditësh ta bindë botën se „asnjë faj për këtë nuk e ka Beogradi“. Kështu do të jetë edhe për zgjedhje, nëse dikush do të shprehë ndonjë zemërim në rastin e zhvillimi të tyre edhe në territorin e Kosovës.

 

Përmendin Ahtisaarin vetëm për të manipuluar

Ajo që duket e habitshme është naiviteti me të cilin disa zyrtarë ndërkombëtarë mundohen t’i bindin kosovarët se „nuk ka problem nëse Serbia zhvillon zgjedhjet Parlamentare në Kosovë“ por problem mund të jenë vetëm „zgjedhjet lokale“.  Këta zyrtarë, që duket se shumë lehtë e kanë bindur kreun qeveritar në Kosovë, herë përmendin „Pakon e Ahtisaarit“ e herë shembuj nga vendet e tjera, si rastin e votimit të kroatëve në Bosnjë-Hercegovinë për zgjedhjet në Kroaci.

Pakoja e Ahtisaarit lejon mundësinë e shtetësisë së dyfishtë, pra që serbët e Kosovës të kenë edhe shtetësinë e Serbisë. Por ajo pako thotë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur. Pra këto pika të kësaj pakoje janë të lidhura dhe Serbia nuk mund t’i zgjedhë disa e t’i refuzoj të tjerat. Tash Kosova është shndërruar në palën e vetme e cila e zbaton Pakon e Ahtisaarit, ndërsa as Serbia, as bashkësia ndërkombëtare (BE-ja dhe NATO-ja, posaçërisht) nuk e pranojnë e as zbatojnë këtë pako në pikat ku flitet për krijimin e shtetit.

Krahasimi me Kroacinë është po ashtu i pasaktë. Kroacia nuk e konsideron Bosnjë- Hercegovinën si pjesë territoriale të Kroacisë dhe kroatët në BH-së votojnë sikur edhe ata në Gjermani, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi apo Argjentinë. Dhe votimet i bëjnë nëpër përfaqësi diplomatike. Serbia zgjedhjet në Kosovë nuk planifikon t’i bëjë në Ambasadën e Republikës së Serbisë në Prishtinë, por në vendvotime të shumta, ose duke organizuar votime „me postë“, ose me ndonjë modalitet tjetër, por gjithmonë për të bërë të qartë se „Kosova është pjesë e Serbisë dhe sikur në tërë territorin e shtetit edhe në këtë Krahinë Jugore qytetarët e Serbisë votojnë!“. Çfarëdo zgjedhjesh që Serbia t’i zhvillojë në Kosovë do të jenë dëshmi se Kosova nuk e kontrollon territorin e saj dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk e merr seriozisht shtetësinë e Kosovës. A janë ato zgjedhje lokale, parlamentare apo presidenciale kjo nuk bën asnjë dallim. Problem tjetër është se Kosova nuk ka kapacitete për të parandaluar Serbinë që të zhvillojë zgjedhje në Kosovë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnet që ta detyrojë Serbinë që të mos ushtrojë pushtetin në një pjesë të territorit të Kosovës si në veri ku vazhdon t’i ketë aktive strukturat vitale shtetërore të saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje