Gëlqerosim probleme, sheqerosim mendje

8 Mars 2012, 14:45Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Serbia me status kandidateje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova juridikisht e tkurrur në territor me status të pazgjidhur – ky është rezultati i një politike joparimore të Brukselit, një politikë që nuk i zgjidh problemet, por vetëm i maskon

 

Në Serbi ka filluar kremtja e madhe. Presidenti Boris Tadiq gjatë fundjavës iu bashkua valles me një grup muzikor për të shënuar kështu suksesin e tij më të madh në politikën e jashtme – fitimin e statusit të vendit kandidat për hyrje në Bashkimin Evropian. Njëzet vjet pas fillimit të rrethimit të Sarajevës (mbi 10 mijë të vrarë, mes tyre 1.600 fëmijë), trembëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë (mbi 10 mijë të vrarë) Brukseli hapi dyert për Beogradin. Bosnja dhe Kosova, ndërkaq, mbetën jashtë, gjithsesi edhe me fajin e sundimtarëve të tyre të papërgjegjshëm.

Është një moment për t’u mbajtur mend. Strategjia e shantazhit të përdorur nga Tadiqi rezultoi e suksesshme. Kjo strategji bart këtë mesazh: nëse BE s’e integron shpejt Serbinë në gjirin e saj, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vijnë në pushtet nacionalistët e moderuar, të cilët mund të krijojnë një aleancë politike dhe ekonomike me Rusinë. Me këtë fantazmë Tadiqi prej vitesh bën politikë të suksesshme në Bruksel. E vërteta është se vetëm një pakicë e serbëve vërtet do të dëshironte të ishte pjesë e një boshti pansllav, i cili do të mbahej me parulla dhe jo me përmbajtje. Përkundër krizës së BE-së, përkundër skepticizmit që mbretëron edhe në Serbi ndaj integrimeve evropiane, megjithatë një pjesë e madhe e qytetarëve e dinë se BE sjell mirëqenie, kurse Rusia fraza. Derisa ambasadorët e vendeve të BE-së në Beograd flasin për modernizimin e shoqërisë serbe, për përparimin ekonomik, ambasadori rus hapur nënçmon vendin mikpritës, duke i akuzuar serbët se nuk janë aq patriotë dhe nuk po e mbrojnë Kosovën. Këtu është dallimi mes Brukselit dhe Moskës: BE është projekt paqeje, emancipimi dhe zhvillimi ekonomik, aleanca me Rusinë mbetet diçka virtuale, ku Serbia mund të përkundë ëndrrat e saj për madhështinë e dikurshme, e cila qytetarëve nuk u sjell asnjë përfitim konkret. Këtë e kanë vërejtur madje edhe nacionalistët serbë. Kundërshtarët e BE-së në zgjedhjet e ardhshme do të jenë pakicë. Partia Radikale (SRS) e Vojislav Sheshelit ndoshta do të kalojë pragun zgjedhor, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Tomislav Nikoliqit mund të dalë e para. Nikoliqi i ka kuptuar shenjat e kohës. Ai tani mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, nuk ekziston rreziku që Serbia të shndërrohet në provincë ruse të dominuar nga nacionalistët gjaknxehtë dhe luftënxitës.

 

“Duke u vërtitur”

Për këtë arsye BE nuk duhej të binte në grackën e ngritur nga Tadiqi: nëse nuk na pranoni ju, na mori Rusia. Nuk ka asnjë dyshim se Serbia – bashkë me të gjitha vendet e rajonit – meriton një perspektivë evropiane. Në aspektin afatgjatë në Ballkan mund të ketë paqe vetëm nëse edhe Serbia integrohet në BE, e cila bart pjesën kryesore të fajit për të gjitha katastrofat që e pllakosën Ballkanin në fund të shekullit XX. Por BE nuk do të duhej t’ia shiste me çmim kaq të ulët statusin e kandidatit Serbisë përderisa ky vend nuk ka zgjidhur kryeproblemin: raportin me Kosovën e pavarësuar. Nuk ka ende asnjë garanci se të ashtuquajturat marrëveshje (në fakt konkluzione pa nënshkrim të palëve) mes Serbisë dhe Kosovës, të arritura me “lehtësimin” e BE-së, do të zbatohen nga autoritetet e Beogradit. Tash për tash është iluzion të mendohet që policët serbë dhe ata kosovarë do të menaxhojnë bashkë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Beogradi edhe më tutje do të sabotojë punën e misionit të BE-së në Kosovë, do të financojë institucionet paralele, do të përpiqet të organizojë zgjedhje dhe përmes policëve sekretë do të bëjë presion ndaj serbëve në Kosovë që të mos bashkëpunojnë me autoritetet e Prishtinës. Bashkimi Evropian nuk i ka zgjidhur këto probleme, por vetëm i ka gëlqerosur, në mënyrë që të duken sikur janë të zgjidhura derisa Serbia të marrë statusin e kandidatit. Tash, pas gëlqerosjes, pason sheqerosja e mendjeve të kosovarëve nga ana e BE-së.

Dëshpërimi në Kosovë pas këtyre zhvillimeve është i madh. Sall katër vjet pas pavarësimit vendi detyrohet nga BE që në takimet ndërkombëtare të heqë dorë nga emërtimi “Republikë”. Kështu do Serbia dhe kështu bëhet. Emri i Kosovës tani e tutje do të pajiset me një fusnotë, e cila shpjegon se nga pikëpamja e Beogradit Kosova është territor serb dhe sipas mendimit të kosovarëve vend i pavarur. Madje as kjo nuk thuhet në mënyrë eksplicite, sepse si referencë shërben vetëm mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi Deklaratën e Pavarësisë dhe jo vetë Deklarata e Pavarësisë. Fusnota nuk përmban asnjë germë nga pozicioni i Kosovës. Vetë lehtësuesi i dialogut, diplomati Robert Cooper, publikisht e ka thënë se marrëveshjet mes dy palëve duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën e Serbisë, e cila, siç dihet, Kosovën e definon si pjesë të Serbisë. Pala kosovare ka heshtur ndaj kësaj deklarate skandaloze. Historia, theksonte Karl Marxi, përsëritet së pari si tragjedi, pastaj si farsë. Dhe personazh i kësaj historie të ndërtuar me farsa është sidomos kryeministri i tanishëm Hashim Thaçi. Duket se nuk e ka ndryshuar fare performancën në krahasim me kohën e eskalimit të konfliktit në fund të viteve 90-të. Duke shkruar për negociatat në Rambouillet më 1999 gazetari britanik Tim Judah në librin e tij “Kosova – luftë dhe hakmarrje” nënvizonte: “(Në Rambouillet) madje u krijuan edhe disa skena të sikletshme me negociatorët kur, në disa pika kyç, u duk qartë se ai (Thaçi) nuk e kishte idenë se ç’bëhej. Pjesën më të madhe të kohës Thaçi e kalonte duke u vërtitur nëpër kështjellë, duke folur në telefonin e tij celular me njerëzit jashtë, ndërkohë që duhet t’u jepte drejtim punëve aty brenda. Kris Hilli (Christopher Hill, negociator amerikan, v.j.) tha se mendonte që Thaçi as nuk i lexoi ndonjëherë dokumentet”.

 

Pauzë për frymëmarrje

Flokët e prera me kujdes dhe kostumi i prerë me masë, pra fasada e re, nuk e kanë bërë Thaçin edhe politikan dobiprurës për vendin. Ajo çfarë ai përpiqet t’ia shesë opinionit si sukses në fakt është vetëm orvatje që përmes kompromiseve në kurriz të vendit të shpëtojë sistemin e tij politik në stilin: “Ti bëhu kryeministër, unë do të bëhem kryetar ”. Fasadë mbetet edhe zgjidhja e problemeve me Serbinë. Në kufirin e saj me Kosovën qytetarët kosovarë e kanë të ndaluar të tregojnë pasaportat e tyre dhe duhet t’i çmontojnë targat e veturës. Udhëtimi mund të vazhdojë me letra provizore dhe me targa provizore. Pengesat burokratike janë të larta dhe të shtrenjta, por në Bruksel flasin për sukses dhe liri të lëvizjes. Liri e lëvizjes në kafaz dhe me 100 pengesa burokratike që të shkosh madje deri në Preshevë? Shoqëria e Kosovës meriton pak respekt edhe nga Brukseli, jo vetëm cinizëm. Shyqyr që ambasadori i Francës tha se nuk ka antievropianë në Kosovë. Merci! Këta të tjerët, homoleqët e tij nga vendet me ndikim, po vazhdojnë të notojnë në rrëmujën e diskualifikimeve, denoncimeve dhe degradimit personal të çdokujt që merr guximin t’ia lejojë vetes luksin e shprehjes së mendimit të lirë.

Kryeministri Thaçi i ka siguruar vetes një pauzë të shkurtër frymëmarrjeje, por kompromiset e tij Kosovës nuk i kanë sjellë pothuaj asgjë. Së shpejti, nëse ka  sukses eksperimenti i BE-së që përmes dhuratës së quajtur status kandidati t’ia sigurojë kampit të Tadiqit edhe një mandat qeverisës, presioni ndaj Prishtinës do të rikthehet. E ka paralajmëruar këtë edhe komisionari Shtefan Füle. Kërkohet plan për veriun, me fjalë te tjera: deformim i planit për pavarësi të Martti Ahtisaarit dhe dhënie e një autonomie për veriun e kontrolluar nga strukturat parashtetërore serbe. Pyetja që mund t’u parashtrohet burokratëve të BE-së është kjo: pse kërkohet fundosja e një plani për paqe në Kosovë dhe pse nuk bëhet presion, ta zëmë, për revidimin e marrëveshjes së Daytonit, e cila, siç e kanë pranuar shumë diplomatë, është bërë pengesë për integrimin e Bosnjës në BE? Kjo nuk bëhet, sepse dihet që kryeministri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik nuk do të lëshonte pe kurrë, madje hapur është kërcënuar se po u prek Daytoni ai mund të nxjerrë në rrugë qindra-mijëra njerëz dhe mund të ndërmarrë hapa edhe më radikalë. Nuk është e thënë që kështu të veprojnë autoritetet e Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por krahasimi këtu na shërben për të treguar politikën joparimore të Brukselit. Me politikë herë naive ndaj Serbisë, herë të orientuar nga maskimi i problemeve, BE është duke e shndërruar Kosovën në shtet hermafrodit (popullorçe: shtet deledash) dhe me ardhmëri të zymtë. Për të qetësuar pak opinionin e Kosovës BE nxori nga naftalina ofertën kuaziçudibërëse të quajtur Studim Fizibiliteti për mundësinë e një Marrëveshjeje për Asocim dhe Stabilizim. Të njëjtin premtim ndaj Kosovës BE e kishte bërë edhe më 5 nëntor 2008. Që nga atëherë kanë kaluar më shumë se tre vjet. A ka ndodhur diçka? Qorrat mund të thonë po! Ata që shohin esëll vetëm mund të qeshin hidhur – me qorrat!

 

Me korrupsion drejt ardhmërisë

Të shohim tani pak se cilit shtet BE i ka dhënë statusin e vendit kandidat? Edhe nëse përjashtojmë qasjen agresive ndaj Kosovës, Serbia nuk i plotëson kushtet për këtë dhuratë të paçmueshme. Në vjeshtë të vitit të kaluar Komisioni Evropian, mes tjerash, lavdëroi reformën në drejtësi në Serbi. Pak javë më vonë gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” zbuloi se ekspertët e BE-së në fakt kishin thënë se reformat në drejtësi janë “tallje e drejtësisë”. BE prej vitesh kërkon transparencë në privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore në Serbi. Është kërkuar të rishikohet privatizimi i mbi 20 ndërmarrjeve të mëdha, të cilat janë blerë nga oligarkët dhe investitorët e dyshimtë. Verica Baraç, drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore Kundër Korrupsionit, thotë se sa i përket ekonomisë Serbia nuk e ka tejkaluar ende sistemin e viteve të Slobodan Milosheviqit. Privatizime jotransparente, ryshfetdhënie, pronësi të pasqaruara – këto janë disa nga anët e errëta të ekonomisë serbe. Baraç e quan korrupsionin në Serbi jo vepër të individëve, por rezultat të sistemit korruptiv. Vetëm kështu mund të shpjegohet që oligarku Miroslav Mishkoviq, i cili mban lidhje të ngushta edhe me Partinë Demokratike të Tadiqit, deri para një viti kontrollonte 70 për qind të hapësirës së shitjes në tregun e prodhimeve ushqimore. Ndërmarrjen e Mishkoviqit “Delta Maxi Group” para një viti e bleu një firmë belge, por ende asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket liberalizimit të tregut. Që nga rrëzimi i Milosheviqit në tetor 2000 Gjermania e ka ndihmuar Serbinë me 1,2 miliardë euro. Megjithatë, disa politikanë dhe oligarkë e kanë penguar kompaninë mediale gjermane WAZ për të blerë gazetën “Večernje novosti”. Verica Baraç thotë se mediumet në Serbi i drejton një “dorë e padukshme”.

Sa joefikase janë autoritetet serbe tregon një studim i ri i Bankës Botërore mbi kushtet për investim në 183 shtete. Sidomos sa i përket lëshimit të lejeve për ndërtim për investitorë Serbia zuri një vend ekstrem të keq (174). Ekspertët ekonomikë presin që Serbia tani si vend me status kandidati për hyrje në BE të përmirësojë imazhin në botë. Sa është reale kjo? Në prag të dhënies së statusit të kandidatit Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) publikuan rezultatet e një ankete, sipas të cilës 69 për qind e serbëve mendojnë se ata janë viktimat kryesore të luftërave të viteve 90-të në Ballkan dhe 70 për qind kanë mendim negativ mbi punën e Tribunalit të Hagës. Derisa Serbia të futet në BE duhet të kalojnë shumë vjet. Kosova njëherë nuk është në rend dite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje