Ligësia e një humbësi

21 Mars 2012, 22:14Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Fatmir Sejdiu shkeli Kushtetutën, shkatërroi Lidhjen Demokratike të Kosovës, krijoi sistem nepotizmi, punësoi soj e sorollop në PTK, mbajti rreth vetes kryesisht injorantë politikë dhe s’iu nda nga përqafimi Hashim Thaçit. Pas të gjitha këtyre shkarjeve politike ai humbi garën demokratike për kreun e LDK-së. Tash idhnaku i madh ka krijuar një falangë fishkëllyese dhe synon të bëjë puç në parti. Beteja e tij primitive çon sërish ujë në mullirin e Hashim Thaçit dhe kamarillës së tij të korruptuar

 

Më 23 dhjetor 2009, kur Lidhja Demokratike e Kosovës në një ceremoni mbytëse po shënonte 20 vjetorin e themelimit, një grup militantësh bjerraditës, të mbledhur në një sallë të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, sapo u shfaq kryeministri Hashim Thaçi me suitën e tij, filluan fyerjet dhe fishkëllimat. U krijua një situatë e pakëndshme, sepse askund nuk është traditë që të përbuzet mysafiri i ftuar. Fundja Hashim Thaçin në përvjetorin e LDK-së e kishte sjellë vetë Fatmir Sejdiu, atëbotë kryetar i Kosovës dhe kryetar i ngrirë i LDK-së, siç thoshte ai vetë. Të dyve, Thaçit dhe Sejdiut, punët u shkonin mirë. Sejdiu ishte pajtuar me rolin e shërbëtorit, kishte dërguar në qeverinë e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së disa figura kryesisht të parëndësishme dhe pozohej si president, i rehatuar personalisht dhe financiarisht. Aq u shkonte puna vaj saqë Hashim Thaçi nëpër darka e takime, kur fliste për kryetarin e Kosovës, thoshte: “Sejda, djalë i mirë” ose “Po m’ngon ma shumë se Endriti”. Një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës – derisa rrëmonte nga dhëmbët mishin e sapo ngrënë – tha atëherë se do të ishte mirë që koalicioni me LDK-në të vazhdojë edhe për një dekadë. A është kjo metoda më efektive për varrosjen e LDK-së? Zyrtari i PDK-së qeshi dhe tha: “Nuk mund ta mohoj këtë synim”. Me fjalë të tjera: Sejdiun si kryetar të Kosovës dhe shef të ngrirë i LDK-së nuk e merrnin fare seriozisht, bile ai ishte bërë objekt i talljes nëpër mejhanet e Prishtinës, shpesh edhe për shkak të vokabularit të tij politik – një përzierje mes gjuhës së aparatçikut dhe të mësuesit nga Mallakastra. Tallja shkoi deri aty saqë Hajredin Kuçi, hyzmeqari për krejt punët i Hashim Thaçit, doli nga mesnata prej Zanzibarit dhe i telefonoi një figuranti të LDK-së për t’ia kumtuar lajmin e zi se koalicioni u prish. Megjithatë, koalicioni s’u prish, sepse Fatmir Sejdiu nuk pranonte të hiqte dorë nga salltanetet e pushtetit dhe t’i kthehej punës së rëndë në parti, e cila ishte shndërruar në një djerrinë, të cilën herë e pshurrnin zagarët nga brenda, herë kalimtarët e rastit. Kështu Fatmir Sejdiu u bë urë që shtetin e Kosovës ta kidnapojnë të përkëdhelurit e Hashim Thaçit, të cilët herë akuzohen për vrasje me porosi, herë për keqpërdorime në Kosovë, herë për mashtrime në Zvicër, herë u përmendet emri për të keq në Strassburg, herë në Bruksel. Pse të hiqte dorë Sejdiu nga koalicioni i pistë me PDK-në, kur kishte siguruar për vete, për sojin e sorollopin privilegje marramendëse. I futi në punë, në Postë-Telekomin e Kosovës, familjarët, madje edhe rejat si dhe plot aktivistë të Forumit Rinor të LDK-së, duke blerë kështu një lojalitet cofëtinash. I rrethuar kryesisht me injorantë politikë, të cilët gëzoheshin që po merrnin nga buxheti një rrogë të majme për rrethanat e Kosovës, Sejdiu vazhdoi të notojë nëpër delirin e madhështisë së rrejshme. Koalicionin e prishi vetëm pasi Gjykata Kushtetues e detyroi të largohet nga posti.
Prostitutat politike

Fatmir Sejdiu shkeli Kushtetutën duke mbajtur dy poste, edhe president, edhe kryetar i LDK-së, shkatërroi partinë, krijoi sistem nepotizmi, punësoi farefisin në ndërmarrje publike dhe s’iu nda nga përqafimi Hashim Thaçit derisa ky e varrosi politikisht. Pas të gjitha këtyre dështimeve Sejdiu humbi garën demokratike për kreun e LDK-së. Isa Mustafa nuk u bë kryetar i LDK-së përmes ndonjë puçi, por me vota të lira, madje fitoi bindshëm, sepse anëtarësia kërkonte, më në fund, një lider që do t’i përkushtohej partisë, do të bënte reforma përkundër rezistencës së dinosuarëve dhe hardallëve, të cilët për një grusht privilegjesh duan ta fundosin partinë e parë demokratike të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, e cila u bë zëdhënëse e besueshme e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në vend se të pranonte humbjen, të jepte një grimë kontribut për rimëkëmbjen e partisë, në vend që të mbështeste Isa Mustafën e zgjedhur në mënyrë demokratike, Fatmir Sejdiu nisi një betejë tjetër – betejën për shkatërrimin e LDK-së. Idhnaku i madh ka krijuar së fundi një falangë fishkëllyese dhe synon të bëjë puç në parti. Beteja e tij primitive çon sërish ujë në mullirin e Hashim Thaçit dhe kamarillës së tij të korruptuar. Një grusht njerëzish bjerraditës, të cilët të dielën fishkëllenin dhe fyenin në Podujevë Isa Mustafën dhe prijësit e tjerë të LDK-së s’janë gjë tjetër veçse të manipuluar nga Fatmir Sejdiu dhe i biri i tij Bardhyl Sejdiu, i cili pasi e ka kullotur mirë e mirë PTK-në, tash synon të shtrijë edhe më gjerë rrjetin e tij. Kush ishin zhurmëbërësit e së dielës në Podujevë? Një grup punëtorësh, të cilët Bardhyl Sejdiu i ka punësuar në departamentin e logjistikës të Postë-Telekomit të Kosovës. Si i ka punësuar dhe pse i ka punësuar, si e ka blerë lojalitetin e tyre dhe me ç’çmim? Me këtë çështje do të duhej të merrej drejtori i ri i PTK-së, Ejup Qerimi, nëse e ka ndërmend ta spastrojë këtë ndërmarrje publike nga grupet zhvatëse!
Këto ditë po shohim se si po bëjnë zhurmë edhe disa prostituta politike të mbetura në LDK. Këta nuk e kanë problem t’i ndërrojnë partitë më shpesh se këmishët, as të bëhen protagonistë gazetash të financuara përmes tenderëve të pushtetit të kriminalizuar. Nuk janë më shumë se dhjetë persona që po bëjnë zhurmë, prandaj anëtarësia e LDK-së nuk duhet të bie pre e mashtrimeve. Kuptohet që Radio-Televizioni i PDK-së (RTK) është i interesuar që mizën ta bëjë buall, të shkaktojë sa më shumë huti duke krijuar përshtypjen e rrejshme për konflikte të mëdha në LDK. Por RTK-së nuk do t’i bie kurrë ndërmend të bëjë një raport kritik mbi mungesën e demokracisë brenda PDK-së, as të informojë opinionin mbi të bëmat e deputetit të saj Azem Syla në Zvicër, as për takimet e tij me Nazim Bllacën nëpër pompa benzine. RTK-së, ndërkaq, i bie ndërmend ta ftojë menjëherë në studio Azem Sylën për t’u arsyetuar pasi Bllaca e akuzoi se ka dhënë urdhra për vrasje. Çka do t’i thotë nesër anëtarësisë së LDK-së apo falangës së tij Fatmir Sejdiu nëse del dikush dhe dëshmon se Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Haki Ymerin, Ismet Rracin, Smajl Hajdarajn dhe shumë patriotë të tjerë nga radhët e LDK-së nuk i ka vrarë Serbia, por shokët e Nazim Bllacës që sot janë veshur me pushtet – me të cilët Sejdiu ka bëre koalicion qeveritar?

Sigurisht që çdo parti në Kosovë, përfshirë edhe LDK-në, meriton të ketë kryetarë më dinamikë. A është Isa Mustafa i tillë? Nuk ka dhënë shumë prova deri më tani. Edhe më keq: ka lejuar disa herë të instrumentalizohet nga Hashim Thaçi për qëllimet e këtij të fundit. Krizën me zgjedhjen skandaloze të Behgjet Pacollit në postin e presidentit e shkaktoi Thaçi, ndërsa Mustafa i ndihmoi të dalë nga qorrsokaku, por kryetari i LDK-së fitoi shumë pak, sall një premtim të zbehtë për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare para kohës. Mustafa e hëngri sapunin për djathë kur pranoi të takohet me Thaçin në restorantin “Liburnia” për të diskutuar mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës. Tash Thaçi sërish po synon ta instrumentalizojë Mustafën për çështjen e autonomisë së veriut. Kjo është strategjia e Thaçit: përdorimi dhe poshtërimi i rivalit deri në varrosje politike.
Sa i përket reformave në LDK duhet thënë se asnjë kryetar partie, as Isa Mustafa, nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha nëse brenda partisë ka elementë që fusin pyka, që pinë “duhan tinëz”, të tillë që kundërshtojnë reformat, që duan t’i ruajnë privilegjet e ndërtuara për më shumë se dy dekada, të tillë që shtiren ditën si rugovistë dhe natën e lusin Thaçin t’i bëjë zëvendësministra. Edhe më keq: në LDK dominon një grup interesi që partinë e sheh si “parti llapjanësh”. Me këtë arrogancë e kanë humbur e djegur ndikimin e LDK-së në Dukagjin, në Drenicë, në Rrafshin e Kosovës dhe së fundi në Anamoravë.
Fatmir Sejdiu po tregon një ligësi të paskajshme dhe po dëshmon sërish se është një antidemokrat i tërbuar derisa këto ditë po mobilizon falangën e tij për të bërë dëme në parti, edhe pse LDK u tregua shumë zemërgjerë ndaj tij: e bëri kryetar nderi; shteti, ndërkaq, i dha rrogë të përjetshme si ish-president, edhe pse moralisht nuk e meritonte për shkak se nga posti u largua si shkelës i Kushtetutës. Por edhe largimi i tij nga posti ishte i menduar mirë: dha dorëheqje dhe e siguroi rrogën e përjetshme; po të ishte shkarkuar, do t’i kishte humbur edhe privilegjet.

Xhepi i thellë po thërret

Asgjë nuk është e rastësishme: nga njëra anë është mobilizuar Sejdiu (“Sejda” i Hashim Thaçit), nga ana tjetër Ibrahim Kelmendi, shefi i devizave të “kuazimarksist-leninistëve” të Kosovës, të cilët Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë njohur vetëm si vëzhgues prej hoteleve të Tiranës. Kelmendi këto ditë plasoi në opinion një rrenë staliniste, duke thënë se qeveria në ekzil (pjesë e së cilës si ministër financash ka qenë edhe Isa Mustafa) paskësh dërguar para në Beograd. Kush po na shet mend e kush po na mban ders? Ibrahim Kelmendi! I cili në korrik 1998 i thoshte gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” se kishte mbledhë “disa miliona” (marka gjermane, v.j.) për të çliruar Kosovën. Ku janë milionat, ku përfunduan, si u harxhuan, a ka raport për veprimtarinë e Fondit “Vendlindja thërret”? Këtij fondi më së miri do t’i shkonte emri: xhepi i thellë po thërret! Në këtë xhep i ka pasur duart të futura thellë Ibrahim Kelmendi. Në shkrimin e të përditshmes gjermane të 29 korrikut 1998 Ibrahim Kelmendi krahasohej me Alexander Schalck-Golodkowski-in, një funksionar i errët që ia siguronte devizat Erich Honeckerit, diktatorit të Gjermanisë Lindore. Kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kelmendi e quante “sundimtar që shtypë lëvizjen e gjerë të popullit”. Rugova si shtypës i popullit shqiptar? Edhe këso deklaratash groteske janë dhënë gjatë luftës, e cila sot po duket më shumë si luftë vëllavrasëse se sa luftë kundër pushtimit serb. Të shohim se ç’shkruante më tutje “Süddeutsche Zeitung”: “Kush hulumton pak më shumë shpejt i tërhiqet vëmendja te njollat e zeza në biografinë e (Ibrahim) Kelmendit. Bëhet fjalë për vrasje, për plumbat e pasqaruar dhe vdekjeprurës kundër prijësit të shqiptarëve në ekzil, Jusuf Gërvallës dhe dy shokëve të tij në janar 1982 afër Heilbronnit. Vajza e Gërvallës Donika, zëdhënëse e LDK-së në Gjermani, ‘nuk do të thoshte se Kelmendi është pjesëmarrës (në vrasje, v.j.). Por, me siguri kjo çështje duhet të hulumtohet’. Kelmendi shumë njerëzve u duket si kameleon”.

Hipokrizi e pafund

Ngjashëm si Ibrahim Kelmendi edhe Fatmir Sejdiu është përpjekur të bëjë aludime se Isa Mustafa paskësh keqmenaxhuar Fondin e Trepërqindëshit, i cili së paku në Zvicër është mbikëqyrur nga firma të njohura të auditimit. Nëse vërtet Mustafa paskësh qenë keqpërdorues, atëherë pse Sejdiu e angazhoi si këshilltar të tij për ekonomi dhe pse e kandidoi për kryetar të Prishtinës? Hipokrizia e Sejdiut nuk ka fund. Në zgjedhjet për kryetar të LDK-së në vitin 2006 Sejdiu fitoi me 189 vota kundër Nexhat Dacit, i cili mori 160 vota. Dallimi ishte i vogël, vetëm 29 vota. Sejdiu e shihte veten si kryetar me legjitimitetit të plotë demokratik dhe nuk e pa të domosdoshme të afrohet me grupin e Nexhat Dacit, i cili kishte pothuaj të njëjtën fuqi brenda partisë. Përballja e bajraktarëve Sejdiu-Daci i kushtoi LDK-së me humbje historike dhe me degradim të madh. Në zgjedhjet për kryetar të LDK-së në fillim të nëntorit 2010 Sejdiu fitoi vetëm 124 vota. Isa Mustafa, ndërkaq, u mbështet me 235 vota. Dallimi ishte gjigant: 111 vota! Duhet sjellë në vëmendje këto vota për të treguar sa primitive është fushata e tanishme e Fatmir Sejdiut dhe falangës së tij me vuvuzela. Morali i Sejdiut u pa: një profesor i drejtësisë largohet nga posti i presidentit si shkelës Kushtetute. Vendet demokratike i shtypin portretet e presidentëve të tyre në kartëmonedha. Portreti i Sejdiut do të zë vend vetëm në literaturën profesionale si shkelës Kushtetute dhe si president që amniston nga burgu persona tepër të dhunshëm, të cilët sapo dalin nga qelia marrin jetë njeriu.

5 komente në “Ligësia e një humbësi”

  1. tak fak says:

    E lexova me nje fryme, te lumte pena Enver…vec mprihe e ngule edhe me thelle ne mishin e kalbet te cofetinave…se nuk e kane te gjate.

  2. Murtez Ademaj says:

    Fatmir SEJDIU(sipas meje m.a) eshte person i pelqyer shum si politikan dhe argat i vyer per qashtjen e Kosoves.Perrallat(une i qauj perralla keto qe ketu shkruhen per te),ato jane mjet per te mashtruar femijet qe s`i merr gjumi.Meqenese jeta e sotme ,jo vetem ne Kosoven UNMIK-iane-Dobiçiane por edhe tutje neper bote eshte e pasigurte nga dita ne dite,padyshim qe dikush do te gjeje rastin te shkruaje diçka kunder Fatmirit,jo per ta nenvleresuar ate por per t`u perpjekur qe vetvehten ta beje te njohur ne publik.Ky ligj dihet.Per t`u bere i njohur duhesh ,o te lavderosh te medhenjte ose ti kritikosh me rende se secili…Sa per POSTET qe fatmir Sejdiu ka mbajtur,kjo ka qene plotesisht e aresyeshme…Ai as familja e tij nuk jane marre me Kontrabande si familja Rugova dhe te tjeret e LDK-se.Siguria e njeriut eshte FITIMI dhe REZERVAT.Ky i ka mbajtur dy poste por vetem gjer ne at moment kur u zbulua…Pjeter Rugova u zbulua njeqind here por asnjehere nuk e leshoi POSTIN gjersa e hoqen armiqte e miqve te tij qe e kishin vendosur aty qe ngas 1989-ta.Politika eshte MATEMATIKE por shume shkarravites te mediave kete nuk e dijne…Sot ka shum mundesi per RRENA dhe shpifje por poqese eshte nevoja dhe dikush deshiron ta beje kete, ka edhe shum mundesi ti zbuloje ato…Per te dijtur gjysmen e se vertetes per fatmir SEJDIUN apo mua vet,se pari duhet te merret vesh se cili eshte ai qe po shkruan per te.Pra duhet se pari te behet ORIENTIMI ne HAPESIREN e LUFTES,koordinatat gjeografike,tereni,dukshmeria e ne fund personi dhe armatimi i nevojshem per tu mbrojtur ne at vend nga sulmuesi.Per t`u shitur gazetat meqenese 90% e shqiptareve jane gazetare dhe 10 % jane Politikane qeveritare,duhet te genjehet dhe shpifet per secilin qe ka nje emer te madh.Per mua nuk mund te shpifet sepse s`jam i njohur ende se kush jam dhe keshtu nuk shiten RRENAT e kolegeve te mij-te profesionit e jo te vendpunimit-gazetareve!Te gjithe ata gazetare qe fusin perveq hundeve edhe lloj lloj krrabzave per te nxjerrur ndonje Thele M*U*T*I nga njerezit e tyre dhe s`guxojne te shtrijne doren te mbushin grushtin me ar nga i huaji qe ben KRIMINALITET te hapet…jane vetem PLEHERA!

  3. fkpartizoni says:

    Enver, po ku i di ti mesuesit nga Mallakastra si flasin?

  4. raimondi says:

    Une mendoj se politikanet e Kosoves nuk duhet te zihen me njeri tjetrin , duhet te mundohen te gjejne pika takimi te perbashketa me njeri tjetrin dhe mbi to ti ndertojne maredheniet —Sepse Kosova eshte nje shtet i ri dhe me shume armiq —

    Ndaj politka e Kosves nuk duhet te marri shembull nga politka e Tiranes –Juve aty ju duhet uniteti me njeri tjetrin , dhe kur te jeni tamam shtet me vete atehere mund te zhvilloni nje lufte politike te ashper , por jo tani

    Edhe gazetaret e Kosoves duhet qe me shkrimet e tyre ti bejne me shume reklame frymes se bashkepunimit midis politkaneve te Kosoves , sepse vetem keshtu i sherbejne te ardhmes se pavarsise , ndersa duke ritur luften poltike me njeri tjetrin ju demtoni kohezionin e shoqerise shqiptare kosovare , cka ne keto kushte qe eshte Kosova ben shume dem

    –Natyrisht nuk diskutohet fare qe gazetari ne kte shkrim ka ploteswisht te drejte –Porse une mendoj se duhet folur me nje gjuhe me te zbutur edhe ndaj atyre qe kane bere korupsion …….

    Korupsioni eshte nje semundje e perjeteshme ne dmeorkaci , ndaj duhet qe tani me shume ti jepet rendesi luftes per ndertimin e atyre levave te institucioneve
    qe i sherbejne me shume forcimit te frymes patriotike dhe te nje politke qe te kete ne focus diskretitimin e Serbise me te gjitha mjetet e propagandes ,
    ne menyre qe te frenohet ecja e saj drejt EU–dhe te pershpjetojme ecjen e Kosoves drejt bashkimit kombetar me Shqiperine

  5. Rifat Llugiqi says:

    enver robelli e lexova me vemendje shkrimin ton por topi se lun e vertet esht se fatmir sejdiu e shkatrroj ldk e asht nji dom i madh per popullin e kosoves sejdiu ka alean me pdk per interesa personale dhe ldk i vyn ni kryetar qe nuk ka frig se pdk javkshti frigen ne palc se pdk erdhi ne pushtet duke i vra aktivistat dhe patriot dhe antar te uqk nga radht e ldk . por asht per qudi qe ldk ja len meriten krejt pdk per luften . kur dihet qe 70 perqind te luftarve jan ka antar te ldk se pdk eka liftu ldk nete gjitha format , dhe asht e vertet se sandakani e kapas urdhen me vra ganiun dhe tentun shumher por zoti erujti dhe idhasht shnet por drejtsia po shkon shu kadal se policia e kosoves i pengon hetimet se e kan pushtetin ata qe vendin e ka ne burg……….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje