Pyetja e Erion Braçes për taksën e fitimeve të biznesit

27 Mars 2012, 20:07Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Gjatë intervistës në Top Story të Edi Ramës me Sokol Ballën , ky i fundit lexoi një pyetje që Erion Braçe e kishte dërguar me Twitter. Pyetja ishte nëse taksa progresive në SHBA zbatohet vetëm mbi të ardhurat personale, apo edhe mbi fitimet e biznesit. Dhe Edi Rama, me të drejtë, tha se Erion Braçe është anëtar i Kryesisë së PS-së dhe mund të diskutonte atje rreth kësaj teme. Por pavarësisht nga mënyra dhe vendi ku diskutojnë socialistët mbi taksën e fitimeve të biznesit në SHBA, për publikun shqiptar vlen të diskutohet mbi këtë temë, meqë socialistët kanë në plan të propozojnë një sistem taksimi të ngjashëm me të SHBA-së.

Ndryshe nga taksa mbi të ardhurat personale, taksa mbi fitimet e biznesit në SHBA, në pamje të parë,  është e sheshtë – në nivelin 35%. Por në realitet, ky është vetëm tavani i taksës që paguajnë bizneset për fitimet që kanë realizuar. Në Kodin e Taksave të SHBA-së ka me qindra klauzola të ndryshme, të cilat e ulin në realitet barrën e taksës mbi fitimet e bizneseve. Këto mund të jenë klauzola që favorizojnë një sektor apo rajon të caktuar, që favorizojnë krijimin e vendeve të reja të punës, investimet, apo zhvillimin e teknologjive të reja, etj. Për shembull, Senatori Chuck Schumer ka propozuar kohët e fundit një klauzolë të tillë, e cila ndihmon fermat e prodhimit të qumështit. Meqënëse kërkesa për qumësht është rritur në shtetin e tij (New York), si rezultat i suksesit të prodhimit të salcës së kosit nga disa kompani greke që kanë hapur fabrika atje, Senatori Schumer ka propozuar zbutje të taksës së fitimit të fermerëve të qumështit, në qoftë se ata investojnë për shtimin e numrit të lopëve në prodhim.

Ekzistenca e klauzolave të tilla bën që taksa faktike mbi fitimet e biznesit në SHBA të ketë një shkallëzim që shkon nga zero deri në 35%. Në fakt, propozimi i fundit i Presidentit Obama rreth taksës mbi fitimet e biznesit është që tavani i saj të ulet në nivelin 28%, por që të pakësohen ndërkohë edhe klauzolat e shumta që mundësojnë shkallëzimin aktual.

Duke u kthyer tek propozimi i PS-së për shkallëzimin e taksës mbi fitimet e biznesit, është mirë që ajo të ndjekë modelin amerikan (që në fakt, zbatohet edhe në shumicën dërrmuese të vende të tjera të botës). Duke vendosur një tavan të kësaj takse dhe duke ofruar pastaj lehtësira fiskale për sektorë apo rajone të ndryshme të vendit, krijohet mundësia që qeveria të ketë fleksibilitet në politikat e saj zhvillimore.  Ndërsa një taksë e sheshtë apo me shkallëzim të ngrirë, vërtet mund të ulë evazionin fiskal, por i heq qeverisë një nga armët më efikase fiskale për të stimuluar sektorët apo rajonet që ajo i konsideron parësorë për zhvillimin e vendit.

Një nga rreziqet e modelit të mësipërm të taksës mbi fitimet e biznesit është ndërhyrja në legjislacionin fiskal në funksion të llogarive elektorale të mazhorancave, dhe jo të nevojave reale të zhvillimit të vendit. Në fakt, historia e të gjitha vendeve të zhvilluara demokrartike na tregon se ato e kanë arritur këtë stad zhvillimi, duke kaluar nëpër rrugën e vështirë të balancimit të interesave elektorale të mazhorancave dhe interesave të zhvillimit të vendit. Kjo është thjesht një nga kostot që duhet të paguajnë vendet që kanë zgjedhur demokracinë si sistem qeverisës…

*respublica.al

9 komente në “Pyetja e Erion Braçes për taksën e fitimeve të biznesit”

  1. Martin Ph says:

    Zaloshja ! Ti si duket ke pyetur personin qe te bene taksat e familjes dhe mbi kete baze jep leksione per taksat ne SH.B.A.
    E verteta eshte qe nuk je plotesisht i sakte ne ato qe thua edhe pse principet qe citon ti eksistojne.

  2. ina says:

    as se marr vesh fare pse shkruan ky Zaloshnja dhe cfare ka studiuar dhe cfare literature lexon. se paku vete fakti qe ekonomia amerikane eshte ne nje krize kaq te thelle, nuk duhet te sherbeje fare si sistem referimi per te modeluar sistemin tone. Ky provincialiteti qe i bon amin cdo gje prej Amerike eshte vertete shokues….

    1. Aishja prej Sauku says:

      eh mre Ina ky cuni i thot vetes Daktor i shkencave i diplomu ne Hamerik.
      Kshune osht kjo pune,ata qi i seleksiononte sistemi i fort arsimor shqiptar shkun ne Hamerik,morren tituj dhe grada dhe na i ktheu prap ne Shqipni CIA-ja e Bushit,me na civilizu ene perparu.Tani zihen ene shahen neper studio-televizori,ikin si pula te lagme ene kakarisin si gjela pa bisht.
      Per prubleme ekonomike pytni ju ma mir Tixhen e Qamlit,ajo ka tre lop race dhe 20 pula qi furnizojn Lirijen ,Argiten dhe Munaqin e Ilirit me tamel dhe veze t’freskta.
      Cfar ekonomike kemi ne ate qe prodhon vetem cimente dhe gaz helmues i qi del cdo dite nga goja e Borishes

    2. Dr. K. Kadiu USA says:

      Bravo ina; të paktën e pranon vetë që nuk ke tru për ta kuptuar Dr. Zaloshnjën.
      Njerëzit si puna tënde janë të destinuar të dëgjojnë e të besojnë vetëm broçkullat e përallat e të çmendurit të Viçidolit.
      Unë jetoj këtu në Amerikë ( në Shtetin Colorado) por nuk po marr guximin për të ikur nga kjo “krizë kaq e thellë” sipas teje dhe Saliut tënd, e të kthehem në Shqipëri, në kopështin e lulëzuar parajsë, siç thotë Saliu tënd.

  3. I liri says:

    Z. Zaloshnja,pershendetje !
    Ne se e lexon komentin tim,dua te me kthesh nje pergjigje,per pyetjen;
    Perse PS i meshon kaq fort,reformimit te takses mbi te ardhurat? A mund te besh nje llogari sa % te elektoratit emocionon kjo takse. Ne disa komente per blogje te ndryshme,une e kam theksuar se kjo politike ku po harxhohen kaq shume energji,nuk prek me shume se 6 % te votuesve.Po 94 %
    e tyre qe nuk duan tja dine per taksen e sheshte apo progresive,pasi nuk punojne ne shtet (shumica e buxhetoreve jane te Berishes dhe s’ka burre nene qe jua nderron mendjen),nuk kane biznese,nuk paguajne taksa dhe kur kane biznese,jane bujq ( 50 % e votuesve) qe as jua ndjen dhe as e kuptojne c’eshte kjo takse…?!
    Respekte !

    1. eduard zaloshnja says:

      I liri,

      Pyetjes tuaj do t’i pergjigjem se shpejti me nje analize te plote tek http://www.respublica.al

      1. Fredi says:

        Pershendetje Eduart,

        Mendoj se Rama ka hedhur nje mendim totalisht te papjekur per ceshtjen e takses progresive.

        Te cosh taksat, per te bere nje rishperndarje me te mire te pasurise kombetare nuk eshte ide e keqe. Por nuk eshte aspak vendi dhe momenti qe rama ta ktheje kete ceshtje ne “kale beteje” per fushaten e ardhshme.

        Berishes nuk i mbarojne horrleqet dhe barbarite gjate kesaj kohe qe eshte ne pushtet, por Taksa e sheshte (pra nje sistem i thjeshte llogaritjeje) eshte e vetmje gje e bere mire.

        Taksa e sheshte, duke mos qene e shoqeruar me nje sistem te mire kontrolli (ne fakt eshte nje sistem abuziv kontrolli) per zvogelimin e evazionit fiskal, nuk ka rezultuar shume efikase.

        Pikerisht, Rama sot duhet te flasi vetem per “Disiplinim te deklarimit te te ardhurave” dhe zbatimin e nje politike te re fiskale qe sjell nje “fryme te larte besimi” per biznesin. Sepse ne shqiperi akoma nuk jane te njohura konceptet si meposhte (qe aplikohen ne USA, CANADA dhe gjetke)

        1. Kontributet per partite politike (deri ne ne nje nivel te caktuar) jane shpenzime te zbritshme per biznesin
        2. Kontributet per OJQ, jane shpenzime te zbritshme
        3. Kontributet per Fondet e pensioneve jane shpenzime te zbritshme
        4. edhe shume te tjera si keto (qe te mos e zgjas shume).

        Pra taksa progresive, eshte nje sistem shume i komplikuar… qe kerkon nje revolucion ne sistemin fiskal ne Shqiperi.

        Rama nuk duhet te ndjeki “template” politikat e David Milliband apo te majtes Europiane sepse jemi ne kushte krejtesisht te ndryshme me ta.

  4. hahahah cfare fytyre ka ky zaloshnja, eshte nevrikosur shume me frrokin hhahh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje