Edhe studimi i fizibilitetit sui generis dhe me fusnotë

27 Mars 2012, 20:06Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Studimi i fizibilitetit që Komisioni Evropian do ta bëjë për Kosovën nuk është historik, por nuk është as i parëndësishëm. Rreziku është që, për shkak të fusnotës dhe pranimit të Kosovës që të mos trajtohet si shtet i pavarur, edhe ky studim fizibiliteti të kërkojë rrugë për raportet e Kosovës me BE-në pa e trajtuar Kosovën si shtet. Prandaj, nuk mund të përjashtohet që edhe ky studim, e ndoshta edhe MSA-ja, të jenë me fusnotë dhe një lloj sui generis, çfarë është Kosova

 

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, do të qëndroj në Kosovë këtë javë për të mbajtur një fjalim në një Këshill Kombëtar për Integrime Evropiane dhe për të bërë, siç thuhet, „nisjen e studimit të fizibilitetit“. Edhe kjo vizitë është vazhdimësi e përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe të Komisionit Evropian për të lënë përshtypjen se, në kohën kur Serbia mori statusin e kandidatit, edhe Kosovës iu hapën dyert e BE-së. Fule është njëri prej personave i cili edhe publikisht thotë se „Serbia dhe Kosova do të ecin ose do të ndalen bashkë“, edhe pse nivelet në të cilat janë këto dy shtete në raportet me BE-në janë shumë larg njëra-tjetrës; Serbia tashmë ka statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosovës vetëm i është premtuar se do t’i bëhet një studim i fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Se çfarë ka arritur Serbia, tashmë shihet. Pa pasur nevojë të heqë dorë nga qëndrimi i saj ndaj Kosovës, madje me garanci të BE-së se do të respektohet në dialog edhe Kushtetuta e Serbisë, e cila Kosovën e përmend si pjesë të Serbisë, Beogradi arriti që prej nisjes së dialogut deri më sot t’i kalojë të gjitha shkallët nga aplikimi për anëtarësim deri te pranimi formal i statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova, në anën tjetër, hoqi dorë nga përdorimi i emërtimit të saj kushtetues dhe pranoi që të figurojë vetëm si Kosovë dhe këtë madje edhe me një fusnotë, përmbajtja e së cilës është, sipas propozimit të Serbisë. Si „dëmshpërblim“ Kosova mori disa premtime për nisjen e disa dialogëve dhe të disa studimeve, të gjitha pa ndonjë garanci të qartë se çfarë do të jenë dhe si do të mund të përmbyllen. Kosova për shkak të dialogut humbi edhe nisjen më të hershme të procesit të liberalizimit të vizave. Tash si „shpërblim“ për koncesionet në dialog Kosova do të marrë një udhërrëfyes me 2 vjet vonesë, përmbajtja e të cilit do të jetë me kushte shumë më të vështira për t’u realizuar nga Kosova për liberalizimin e vizave, sesa që ishin në rastet e vendeve të tjera të rajonit. E këto vende të rajonit tashmë kanë harruar se kur u janë hequr vizat.

Kosovës i është premtuar tash një „studim fizibiliteti“ që Komisioni Evropian do t’ia bëjë për të parë nëse ekzistojnë mundësitë që mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian të ketë një Marrëveshje Stabilizim Asociimi. Studime të fizibilitetit për MSA-në ka pasur edhe në rastet e vendeve të tjera të rajonit, madje në rastet e disave prej tyre kjo është bërë qysh në shekullin e kaluar. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë nisje spektakolare të punës të këtij studimi dhe që në nisjen e tij të marrë0 pjesë personalisht një komisioner i BE-së. Por në rastin e Kosovës është qartë se përmbajtja nuk është e rëndësishme, por simbolika. Porosia politike se „Kosova i ka dyert të hapura për BE-në“ është ajo që komisioneri Fule dëshiron ta dërgojë në Kosovë.

 

Kosova pranoi të mos trajtohet si shtet

Studimi i fizibilitetit që Komisioni Evropian do ta bëjë për Kosovën nuk është historik, por nuk është as i parëndësishëm. Rreziku është që, për shkak të fusnotës dhe pranimit të Kosovës që të mos trajtohet si shtet i pavarur, edhe ky studim fizibiliteti të kërkojë rrugë për raportet e Kosovës me BE-në pa e trajtuar Kosovën si shtet. Prandaj, nuk mund të përjashtohet që edhe ky studim, e ndoshta edhe MSA-ja, të jenë me fusnotë dhe një lloj sui generis, çfarë është Kosova.

Studimi i fizibilitetit do të duhej t’u jepte përgjigjen disa pyetjeve: A është fizibile (e realizueshme) që Kosova të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, a i ka Kosova kapacitetet administrative për të negociuar marrëveshjen dhe e ka zbatuar atë në praktikë.

Nëse Kosova trajtohet si të gjitha shtetet e tjera të rajonit, siç mundohen të na bindin zyrtarët e qeverisë dhe Presidentja e Kosovës,  atëherë edhe para se të nisë puna në këtë studim përgjigjja nga ana e BE-së do të ishte jo. Pra Kosova nuk mund të ketë të njëjtën marrëveshje SAA  me BE-në çfarë kanë shtetet e tjera të rajonit. Në rastin e shteteve të tjera të rajonit, MSA-ja është negociuar, nënshkruar dhe ratifikuar nga një shtet i rajonit, në njërën anë, dhe BE-ja me shtetet e saj anëtare, nga ana tjetër. Të gjitha shtetet e kanë nënshkruar atë marrëveshje me emërtimet e tyre zyrtar dhe si shtete të pavarura. Pasi ajo Marrëveshje ka edhe fuqinë e një marrëveshjeje multilaterale ndërqeveritare, me Kosovën pa njohjen  e 5 vendeve anëtare, BE-ja nuk mund të nënshkruajë marrëveshje të tillë. Këtu tash qëndron edhe rreziku për Kosovën. Mund të ndodhë që në BE të tentojnë të gjejnë rrugë për të arritur një Marrëveshje SAA me Kosovën të cilën nuk do të duhet fare ta nënshkruajnë vendet anëtare, por do të futej si një kompetencë evropiane. Në këtë mënyrë Kosova nuk do të trajtohej si Mali i Zi, Shqipëria apo ndonjë shtet tjetër, por më shumë si Tajvani, Autoritetet Palestineze apo ndonjë territor tjetër me status të panjohur shtetëror.

Në BE nisen nga presupozimi se Kosova tashmë e ka pranuar një trajtim të tillë, sepse ka pranuar që në nismat rajonale të marrë pjesë dhe të nënshkruaj dokumente me fusnotë që e bën atë të jetë „pothuajse e njëjtë, por pak ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë“. Të tjerët do të jenë „pak më të barabartë sesa Kosova!“

Ky trajtim i tillë do të ketë disa pasoja afatmesme dhe afatgjata për Kosovën. E para është se BE-ja do ta trajtojë për një kohë të pacaktuar Kosovën ashtu siç kërkon dhe pranon Beogradi. Kjo është dorëzim i Kosovës dhe i 22 shteteve të BE-së para Serbisë dhe 5 shteteve e tjera të BE-së.

Pasoja tjetër do të jetë se në vend që të ndjekin rrugët e njohura deri tash në procesin e zgjerimit të BE-së, institucionet në Bruksel do të kërkojnë gjithmonë diçka të veçantë për Kosovën. MSA-ja vetvetiu edhe nuk është aq e rëndësishme, por rëndësinë më të madhe e ka si etapë për anëtarësim në BE më vonë. Pra, edhe nëse mund të gjendet disi një model për ndonjë „MSA me fusnotë“, pa nevojën që ajo të nënshkruhet nga shtetet anëtare (për të evituar veton e dikujt) Kosovën e pret rruga e zgjerimit ku secili shtet në më shumë se 72 raste ka mundësi vetoje. Nuk ka gjasa që kjo të ndryshojë në të ardhmen, sepse vendet si Gjermania dhe Franca, por edhe shumë vende të tjera, nuk dëshirojnë të humbin mundësinë që, nëse duan, ta bllokojnë për shembull anëtarësimin e Turqisë. E kur ekzistojnë rregullat në zgjerim ato nuk mund të mos zbatohen në rastin e Kosovës.

 

Kompromiset me Serbinë, më të lehta sesa reformat e brendshme

Kosova duhet gjithsesi të kujdeset që të gjitha fushat e administratës publike, të cilat do të studiohen, të jenë të gatshme për të marrë barrën e ndonjë MSA-je. Rreziku është që, po të zbatojë rregullat strikte, Komisioni Evropian mund edhe të konkludojë në studimin e fizibilitetit se „Kosova duhet të bëjë më shumë për të nisur negociatat eventuale për ndonjë MSA eventuale“.

Por edhe ky studim mund të bëhet në rrethana politike në të cilat Komisioni do të mund ta përshtatet përmbajtjes së nevojave politike, më saktësisht nevojave të dialogut. Komisioni gjithsesi do të orvatet që në vjeshtë  të propozojë datën për nisjen e negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE. Në këtë rast do të jetë nën presion që të zbusë edhe kritikat ndaj Kosovës dhe të propozojë diçka edhe për Kosovën. Studimi i fizibilitetit pritet të përfundojë dhe bëhet publik pikërisht kur Serbisë do t’i propozohet data për negociata. Asgjë nuk është pra e rastësishme. Prandaj, kompromiset e reja me Beogradin do ta ndihmojnë Kosovën që të ketë një raport me pozitiv dhe një studim fizibiliteti i cili, edhe nëse nuk do të jetë krejtësisht pozitiv dhe i qartë, nuk do të jetë as përjashtues për Kosovën.

Edhe ashtu autoritetet e Kosovës kanë hyrë në një situatë kur lëvdatat për kompromise me Beogradin i zbusin kritikat për korrupsion dhe mungesë të reformave në vend. E kompromiset me Beogradin për Kosovën duket të jenë më të lehta, sesa reformat në vend. Edhe ashtu Kosova ka pranuar se secilin hap që do ta bëjë drejt BE-së ai hap do të varet nga Beogradi. Kjo tash ka inkurajuar edhe vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën (e besa edhe disa nga ato që e kanë njohur) që të përforcojnë pozicionin e tyre se Kosova duhet të bëjë kompromise me Beogradin sepse, siç na thonë në Bruksel „nëse Beogradi thotë po, Qiproja, Spanja e Rumania nuk mund të thonë Jo“. Ndoshta rruga të cilën e ka zgjedhur Qeveria e Kosovës që përmes Beogradit të sigurojë avancime drejt BE-së dhe „,mospengim“ nga 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Por ndoshta do të ishte më mirë që megjithatë të insistohet në presion ndaj 5 shteteve që sa më parë ta njohin Kosovën, në mënyrë që përgjithmonë të hiqen të gjitha pengesat politike dhe ligjore dhe atëherë Kosova në rrugën e saj evropiane vërtet të gjykohet në bazë të meritave të veta, në bazë të reformave të administratës, funksionimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik e jo në bazë të nevojave politike të rastit. Kështu Kosova po merr shembull të keq nga Shqipëria e cila me vite pothuajse në të gjitha fushat merrte nota negative, ndërsa mirënjohje BE-ja i jepte Shqipërisë vetëm për „rolin konstruktiv në rajon“. Edhe Kosova shikohet nga BE-ja si zi e më zi, si vend ku rritet krimi i organizuar dhe trafikimi, si vend ku politika dhe krimi i organizuar janë të lidhur. Por Kosova lëvdohet për „rol konstruktiv“ në dialog me Beogradin. Këto lëvdata mund të vazhdojnë aq sa do t’i nevojiten disa strukturave të BE-së në Bruksel për të realizuar qëllimet e tyre, por në afat të gjatë nuk do të ndihmojnë Kosovën as për të hequr vizat, as për ta zhvilluar ekonominë e as për t’u integruar në BE.

2 komente në “Edhe studimi i fizibilitetit sui generis dhe me fusnotë”

  1. Rani says:

    O Agustin edhe ti mundohesh te besh si i veshtire per tu kuptu or burre, me keshtu titujsh populli shqiptar atij te cilit ti mundohesh ti hapesh mendjen nuk te merr vesh. Mire ata gazetaret adoleshente qe kane mesuar nje fjale te huaj dhe e thone menjehere sa t’ju jepet rasti vend e pa vend po edhe ti ne titullin tend vetem dy fjalet e para i ke shqip te tjerat “fizibiliteti” eshte frengjisht (origjinali eshte “faisabilité”), “sui generis” latinisht, e “fusnota” gjermanisht. Ishim mesuar me “lançime”, “implementime”, “anunçime” “inserte” e te tjera huazime te kota po me duket se edhe ti e paske mesuar nje fjale te re “fusnote” se besoj te tjerat i ke ditur me pare.

    1. Jetoni says:

      Po ke te drejtze Rani por ka te drejt edhe Augustini. Ai vetem ka perdorur fjalet te cilat i perdorin institucionet dhe BE per te treguar se keto termne te huaja perdoren pikerisht per tua mjegulluar mendjen qytetareve dhe per ti mashtruar ata. Kosovaret u moren deri me tash me “Fusnota” dhe tash do te mirren me “Fizibiliteta”. Por teksti eshte i mire dhe me pelqen sidomos fundi kur permend krahasime me Shqiperin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje