Historia po rizgjohet, ajo ulërin

29 Mars 2012, 20:52Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Rikthimi i fashistëve në fronin e historisë së re serbe, Mihajloviq dhe çetnikët pronazifashistë, si dhe pasardhësi i tij, lideri i fashizmit konsensual serb, Milosheviq, me një fjali të vetme, është shpallje lufte Evropës së re dhe integrimeve brenda saj, sepse kjo Evropë qysh e njohim sot, themelet e veta i ka në luftën antifashiste dhe 9 Majin e ka si ditë të fitores mbi të.

Kjo histori plot vampirë që duan të rizgjohen, kjo histori që po ulërin duhet të alarmojë Brukselin zyrtar, sepse nëse nuk ndalet sot, do t’i helmojë brezat e serbëve të rinj dhe do t’i ushqejë nacionalizmat e tjerë përreth nesër.

Kjo është baza e fortë e rikthimit të luftërave të përgjakshme në Evropë.

Derisa kriminelin e luftës, Milosheviq, e “shpëtoi” vdekja në burgun e Scheweningenit në Hagë, pa e marrë dënimin e merituar, pra drejtësia nuk u vendos e viktimat e tij nuk patën satisfaksion, në anën tjetër, paraardhësi i tij, Mihajloviq, nuk i shpëtoi drejtësisë së kohës, sepse ishte kapur nga forcat partizane, i ishte bërë gjyq i rregullt, në të cilin ishin provuar dhe dokumentuar krimet e tij të luftës duke ia dhënë dënimin maksimal – me vdekje.

Ky gjyq në Serbi ndodhi përafërsisht në të njëjtën kohë me Gjyqin e Nurenbergut, kur aleatët dënuan kreun e nazizmit, me çka edhe zyrtarisht nisi epoka e denacifikimit në Gjermani.

Për sa i përket kolaboracionistit çetnik, Mihajloviq, me nazistët dhe fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe “rikthimin” e tij në historinë e re serbe duke e relativizuar kështu krimin ndaj joserbëve, por edhe shumë serbëve me orientim antifashist, Serbia aktuale mësyn që dënimin e tij kapital ta cilësojë si “vrasje” nga komunistët e Titos, një shkrim alarmues ia adresonte Brukselit kryetari i fundit në ish-Jugosllavi dhe pastaj për dhjetë vjet edhe kryetar i Kroacisë, Stipe Mesiq.

Kroati me kurajë civile dhe me ton të ftohtë dhe racional argumentonte se rehabilitimi i një “të keqeje universale” në Serbi do të nxiste kundërpeshim edhe në Kroaci, duke u dhënë krah kroatëve të rinj që ta rehabilitojnë “heroin” e tyre fashist Ante Paveliq.

Ndërkaq për retorikën e Tadiqit që synon ta rehabilitojë Milosheviqin dhe krimet e tij, duke i spostuar ato tek NATO-ja dhe lufta e saj e bazuar në Kapitullin VII të Kartës së OKB-së, shkroi Enver Robelli dje.

Prandaj, nuk do të sjell kurrfarë faktesh shtesë, pos që Brukseli zyrtar duhet të mendojë seriozisht se brenda bllokut po e inkurajon anëtarësimin e një shteti kryekëput banditesk në sfondin historik dhe politik, i cili nuk është ndarë nga e kaluara fashiste.

Dhe këtë e dëshmon deklarata e Tadiqit, njeriut të përkëdhelur nga baronesha “Keti”, siç i drejtohet serbi shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Ashton!?

Mirëpo ajo që duhet të thuhet në këtë rast është fakti se fashizmi i Milosheviqit nuk buronte nga një parti e vetme, nga një grup i izoluar gjeneralësh ose klerikësh e akademikësh, por kishte mbështetje konsensuale të shoqërisë serbe, të cilën nacionalizmi egalitar serb e kishte homogjenizuar dhe mobilizuar për vrasjen e joserbëve në tërë territorin e ish-federatës jugosllave.

Dhe në këtë drejtim të politikës Brukseli po vepron me standarde të dyfishta.

Në njërën anë, nuk i ka parashtruar kurrfarë katalogu detyrash ose standardesh Serbisë, sidomos jodetyrimin për denacifikim të plotë të shoqërisë dhe politikës për t’u bërë anëtare e bllokut.

E në anën tjetër, këso detyrimesh i janë paragjykuar Turqisë, ta zëmë.

Shteti euroaziatik është stigmatizuar nga BE-ja që gati 40 vjet prejse ka shfaqur mësymjen e saj për t’u anëtarësuar në bllok, për faktin se nuk e ka pranuar gjenocidin ndaj armenëve gjatë vitit 1912.

Në disa vende të BE-së, si në Francë p.sh., madje është i ndëshkueshëm mohimi i gjenocidit ndaj armenëve.

Por kur është çështja tek Serbia, BE-ja e shikon atë përmes gishtërinjve ose duke i mbyllur fare sytë para retorikave luftënxitëse dhe etnonacionaliste, duke mëtuar që Serbia të disiplinohet hap pas hapi, përmes shkopit dhe karotës.

Serbia me lehtësi të padurueshme po flet për krimet europerëndimore ndaj saj gjatë bombardimeve të NATO-s – në mos do t’i kërkojë nesër Brukselit t’i dënojë “krimet e NATO-s” kundër popullit serb dhe ta votojë në Skupshtinën serbe një ligj që sanksionon mohimin e këtyre krimeve të Aleancës Veriatlantike, në vend se t’i jepej detyrë shtëpie nga Brukseli aprovimin e një ligji që sanksionon mohimin e krimeve mizore serbe ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës!?

Në këtë situatë, kur Brukseli e sheh si interes vital “gëlltitjen” e Serbisë për ta larguar atë nga ndikimi putinian, (Serbia vazhdon të sillet si një “Guvernë ruse” në rajon) Tadiqit i është dhënë bonus për t’i shpërfillur, madje edhe tallur, viktimat e shtetit të tij.

Por komoditetin e “lojes” me standarde të dyfishta të Serbisë nuk e ka shteti i ri.

Në këtë kontekst rehabilitimi i kolaboracionistëve nazifashistë, Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, në Kosovë po ashtu është sinjal i keq për drejtimin që po merr historia në Ballkan.

Ndonëse krimet e tmerrshme të çetnikëve serbë nuk janë të krahasueshme me këto të “kriminelëve tanë”, megjithatë emërtimi i rrugëve të Prishtinës me emrat e këtyre dy burrave është barrë e madhe në shpinën e lodhur të Kosovës së vogël e të varur nga zhvillimet europerëndimore.

Madje si me porosi nga rrethet më agresive antikosovare, këto ditë u hodh në tregun kosovar nga një botues shqiptar libri “Mein Kampf” (Lufta ime) i Adolf Hitlerit, botimi i të cilit në vendin e origjinës, Gjermani, është i ndaluar.

Mos të mendojë askush se po ia hedh Evropës, duke u bazuar në lirinë e fjalës dhe të mendimit. Sepse, të gjitha vlerat janë të negociueshme pos të keqes universale.

Në Ballkan shkrimi i historisë dhe kontaminimi i dijes (historisë) dhe vetëdijes shoqërore me agjens të rrezikshëm nacionalist duke i heroizuar “kriminelët tanë”, përgjatë shekullit të kaluar, duke u dhënë atyre përmasat e mbrojtësve të atdheut dhe lirisë, e në anën tjetër duke i denoncuar “kriminelët e tyre” si mizorë e barbarë, është ngrehur pothuajse në shkencë, mjeshtri virtuoze!

Brukseli zyrtar duhet të kishte një standard të vlefshëm për të gjithë pretendentët për t’u anëtarësuar në bllok, në suaza të vlerave të përbashkëta evropiane edhe për shkrimin dhe rishkrimin e historisë, mënyrën e ligjërimit të saj në shkolla dhe mënyrën e interpretimit të saj nga politika zyrtare e vendeve ballkanike.

Përpjekjet e shëmtuara për rehabilitimin e kasapëve të Ballkanit nga shteti serb do të duhej të shiheshin në Bruksel me mosbesim, madje edhe sanksionim.

Kësisoj, qysh po shkojnë punët në raportet Bruksel – Beograd, surrati i Slobodan Milosheviqit pas hyrjes së Serbisë në BE mund të na shfaqet në monedhat euro, kurse mbajtja e tij në Hagë mund të ligjërohet si persekutim i një humanisti, të barasvlershëm me Alfred Dreyifusin, për kauzën e të cilit Emil Zola shqiptoi mallkimin e famshëm ikonik: J’acuse!

 

 

7 komente në “Historia po rizgjohet, ajo ulërin”

  1. ROBERT PRIFTI says:

    Halit Matoshi ,citoj:ndonese krimet e çetnikeve serbe nuk jane te krahasueshme me krimet e “krimineleve tane” (e çuditeshme Matoshi ne thonjeza kriminelet tane)???!!!!! A e dini ju Matoshi se ai krimineli tend ne thonjeza Xhafer Deva bashke me vellaznit e tu nga kosovo kane kryer krimin me te shemtuar ndaj popullates Tiranase me 4 shkurt 1943,masakren qe njihet si masakra e 4 shkurtit (ka qene nje rruge me kete emer ,sot nuk eshte me!!)ku ne menyren me barbare e denje per nje si Xhafer Deva (kriminel me damke)u vrane rreth 87 djem e bija nenash shqipetare, e kupton, shqipetare Matoshi dhe i lane ne mes te rrugeve qe ti tmerronin qytetaret e Tiranes, perse Matoshi ju ironizoni duke vene ne thonjeza “kriminelet tane”, pse kriminelet tuaj Deva e Krasniqi, mos te duken me te “fiseshem” se ata çetniket serb????!!!! Panvaresisht perkatesise etnike te dyja palet kolaboracioniste, serb(çetnik) e kosovar (ballisto-nacionalisto-fashist) nje mut jane qe qelbin sot e kesaj dite ambientin ballkanik.

    1. bujar hoti says:

      Nuk e di a po dicka tjeter por nuk ka ngjashmeri: krimet e pushtetareve komuniste,zogist, devashist’berishist,etj kunder mendimit opozitar me genocidin dhe pastrimin etnik te ushtruar ne Europe nga Fashizmi-nazizmi-serb e greke..Kesaj i thone rrote…. e zog gomari…………

    2. feniks says:

      FASHIZMI I ZI eshte ulur kembekryq ne Shqiperi keto 22 vjert!!!E quajne Berishen komunist,vetem per ta zbutur imazhin e tij si FASHIST!!!Aika vrare,grabitur,perdhosur historine kombetare,heronjte i ka bere kriminele dhe kriminelet heronj!!!Heq emrin e rruges “Deshmoret e 4 shkurtit”,qe VRAU KOSOVARI XHAFERR DEVA 56 qytetare te pa fajshem,vetem per te terrorizuar tiranasit!!!Berisha ka vrare me mijra shqiptare keto 22 vjet,ka percare popullin perfundimisht dhe ka grabitur pasurite epopullit komplet!!!FASHIST E KALUAR FASHISTIT!!!

  2. Cakalli7 says:

    PO mor grupi, po kur evropa pranoi “arnimin” e nazisteve kroate, lituaneze, letoneze, estoneze ne historine e vendeve perkates, edhe i futi/po i fut keto vende me urgjence ne Evrope nuk ka arye mos ta mbylle nje sy me cetniket serbe qe kane vrare me pak cifute se keta me siper. Kroate kane pasur nje fashist me te madh, shokun e gjahut te milloshevicit pse nuk ja permend emrin? Mos e mbaj mendjen tek historia, sado qe ta dhje… keta duke e shkruar shqip, ata qe ngrtine aroplanet edhe bombarduan beogradin e kane shkruar anglisht, ata qe duan mesojne gjuhen edhe internetin u ka dhene sali berisha pa pare.
    Megjithese mua nuk me honeps hic, une per ty kam aq respekt te te them qe kete here nuk po flet ashtu sic ben zakonisht dmth jashte zhurmes se turmes edhe duke guxuar te thuash te verteten edhe te mbash pergjegjesine. Po behesh edhe ti nje ze zhabe ne mocalin shqiptar.

    1. raimondi says:

      Kaur more e ke ganim _-Serbet ne luften e dyte boterore kane vrare 89,000 cifute

      Ndersa greket kane vrare 95,000 cifute

      –Keto shifra jane sipas librit te shoqates izraelito-amerikane botuar para disa vjetesh ketu ne USA

      Si gjithmone ju kauret shume te sakte ne ato qe thoni , saqe haeni rote me rote me kete timin

      Interesant eshte, se deri me sot nuk kam lexuar as edhe nje kaur per be
      qe te thote dicka te sakte – si ata qe jane ne kyre edhe keta qe jane ne bisht…

      –Njohurite i kane mediokre , arsyetimin te gjymtuar , plus qe i shtojne
      edhe dozen e ligesise prej te Pabesi, dhe pastaj rezultatit vendosi targen :

      Made in kaur-fartaqis …looooooooooooooooool

  3. TOCQUEVILLE says:

    NACIONALIZMI ESHTE VARRI I PERPARIMIT.
    AI ju duhet si mburoje per te fshehur natyren
    e vertete d.m.th. qe shqiptaret jane trima
    vetem per te vrare njeri-tjetrin e ata qe
    gjejne me te dobet e me humanitet.
    Respektoni njeri-tjetrin,e njeriun ne pergjithesi
    pavaresisht se eshte grek ose serb.
    Mos kerkoni fajet vetem tek te tjeret por edhe brenda vehtes.
    Do te jetoni me mire edhe ju me familjet tuaja.
    Politika eshte percarje e perdor popujt si kukulla.
    Vetem Humanizmi mund ti jape popujve harmoni.

  4. Autori I turbullt says:

    Kam frike se aitori se la shume te warte fashizmin, komunizmin, te majten e te djathten. Ne artikullin tjeter shpresoj qe nuk do e paraqes kastron fashist e bushin komunist. Pasjoni e ka frymezuar te thote gjera qe si pranon jistoria.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje