Nga Ilir Beqja
Rënia e volumit të tregtisë me pakicë është pasqyruar edhe në rënie të punësimit. Sipas raportimeve zyrtare në tremujorët e vitin 2011 rënia e punësimit në sektorët e tregtisë me pakicë luhatet midis 2 e 6 për qind
Janë bërë publike të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë në tremujorin e katërt të vitit 2011, si në volum ashtu edhe në vlerë. Tregtia me pakicë pasqyron gjenden e vërtetë të jetesës së përditshme të familjeve shqiptare. Volumi i tregtisë me pakicë, pra sasia e mallrave që konsumojnë shqiptarët, është rritur vetëm me 0,2 % krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010. Mosndryshimi i volumit të tregtisë në tremujorin e katërt, tregon se nuk kemi ndonjë përmirësim të nivelit të jetesës. Nëse analizojmë grupet e ndryshme të mallrave bie në sy një ndryshim shumë i ndjeshëm në dy grupime artikujsh: Barnat dhe pajisjet mjekësore janë blerë 17 % më shumë, ndërsa librat dhe artikujt shkollorë janë blerë 44 % më pak. Pra, për të përballuar nevojën për më shumë barna shqiptarët detyrohen të përgjysmojnë librat e artikujt shkollorë. Qeveria mburret se janë rritur nxënësit e studentët në shkolla, por rënia e volumit të librave e artikujve shkollorë në përgjithësi tregon se për nxënës a student librat e artikujt shkollorë të blerë janë akoma më pak. Padyshim që ky përgjysmim librash e artikujsh shkollorë do të pasqyrohet në një nivel më të ulët arsimor kulturor në vitet e ardhshme.
Kjo situatë më shtyu të bëj një analizë më të plotë për të gjithë vitin 2011 duke krahasuar çdo muaj të tij me muajt respektivë të vitit 2010. Krahasimi tregohet në grafikun nr.1. Kurba me ngjyrë blu pasqyron ndryshim e tregtisë në vlerë, ndërsa kurba me ngjyrë të kuqe pasqyron ndryshim e tregtisë në volum.
Grafiku tregon se përveç muajve janar, nëntor e dhjetor ku kemi një rritje të lehtë me 2 -3 % volumit të tregtisë me pakicë, në të gjithë muajt e tjerë kemi rënie të tregtisë me pakicë, madje deri në 10 % si p.sh në muajin mars. Kurba e ndryshimit në vlerë është më lart se kurba e ndryshimit në volum që kemi edhe një shtrenjtim të artikujve të tregtuar.
Gjetjet e krahasimit midis viteve 2011 dhe 2010 në shtynë të bëj një krahasim 4-vjeçar midis viteve 2011 dhe 2008 siç ilustrohet në grafikun nr. 2.
Grafiku tregon se edhe në këtë krahasim 4-vjeçar kemi rënie të volumit të tregtisë me pakicë. Pra, në krahasim me vitin 2008 shqiptarët në vitin 2011 kanë jetuar jo më mirë pasi kanë blerë më pak mallra. E vetmja gjë që ka ndodhur është se shqiptarët kanë blerë më shtrenjtë siç e tregon kurba ngjyrë blu e grafikut. Nëse kjo blerje më e shtrenjtë është reflektuar në rritje ekonomike atëherë rritja ekonomike nuk mund të shërbejë më si tregues për të treguar nivelin e jetesës apo mirëqenien.
Rënia e volumit të tregtisë me pakicë është pasqyruar edhe në rënie të punësimit. Sipas raportimeve zyrtare në tremujorët e vitin 2011 rënia e punësimit në sektorët e tregtisë me pakicë luhatet midis 2 e 6 për qind.
Revista JAVA
Shqiperi pa drejtesi = nje kotesi.