Nuk është për t’u habitur se Kuvendi i Kosovës miraton ligje që rrezikojnë pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të punës së gazetarëve. Për t’u habitur është se „ndërkombëtarët“, të cilët flasin për gjithçka tjetër heshtin për këtë. Ata pra, sidomos BE-ja, po bëhen bashkëpërgjegjës për presionin ndaj medieve dhe lënë dyshimin se edhe u shkon në favor që gazetarët në Kosovë „të rrinë urtë!“
Me qindra gazetarë, redaktorë dhe ekspertë të medieve nga të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së kishin marrë pjesë para pikërisht një viti në një konferencë të madhe në Bruksel kushtuar lirisë së medieve në Ballkan dhe Turqi. Komisioneri i Zgjerimit, Fule, komisionerja për Digjitalizim, Nelie Kroes, por edhe kryetari i atëhershëm i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, folën për këtë fenomen. Madje, përkujtuan se pa lirinë e medieve nuk ka fare liri dhe se kjo liri e medieve është themel i vlerave demokratike evropiane. Buzek madje rikujtoi se si në Poloninë komuniste nuk kishte liri të shprehjes dhe kjo ndikoi që populli të rriste gatishmërinë për revolucionin demokratik. Në atë konferencë u dha një diagnozë mjaft e zezë për gjendjen e medieve në Ballkan. Vetë komisioneri Stefan Fule foli për këtë, duke përmendur presionin ndaj gazetarëve, jotransparencën e pronësisë së medieve, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve si probleme serioze. Tha se BE-ja në politikën e saj ndaj vendeve të Ballkanit nuk do të jetë aspak tolerante ndaj atyre që shkelin lirinë e shprehjes, sepse kjo duhet nga të gjithë të kuptohet si një parim themelor.
Prej atëherë e deri sot nuk ka ndryshuar fare situata e medieve në Ballkan. Madje është keqësuar. Ka pasur mbyllje të medieve në disa vende si Maqedonia, kërcënim të gazetarëve në vendet e tjera të rajonit dhe në përgjithësi, siç ka thënë edhe vetë Komisioni Evropian, nuk është siguruar tërësisht liria e shprehjes. Kjo vlen edhe për Kosovën. Pikërisht një vit më vonë prej kësaj konference të madhe të Komisionit Evropian në Bruksel, ku u betuan të gjithë se do të punojnë pa kompromis për të mbrojtur lirinë e medieve, në Kosovë nga përfaqësuesit e popullit të Kosovës është miratuar Kodi penal, i cili, sipas Shoqatës së Gazetarëve, kufizon lirinë e shprehjes dhe i vë gazetarët në rrezik nga ndjekja penale për shkak të punës së tyre duke futur edhe obligimin në raste të veçanta që të nxirret burimi i gazetarëve. Ky kod penal ka zgjuar një revoltë nga mediet dhe shoqëria civile por, për habi, nuk janë dëgjuar reagime nga ana e atyre që në Kosovë quhen „faktorë ndërkombëtarë“. Të njëjtën ditë u dhanë shumë deklarata dhe komunikata nga këta „ndërkombëtarë“ lidhur me një ligj tjetër kontrovers, atë për Hoçën e Madhe dhe Prizrenin. Por nuk pati ndonjë reagim as të Zyrës së BE-së e as të Zyrës Civile Ndërkombëtare lidhur me shqetësimet e gazetarëve për kodin e miratuar penal.
Nuk është për t’u habitur se Kuvendi i Kosovës miraton ligje që rrezikojnë pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të punës së gazetarëve. Për t’u habitur është se „ndërkombëtarët“, të cilët flasin për gjithçka tjetër heshtin për këtë. Ata pra, sidomos BE-ja, po bëhen bashkëpërgjegjës për presionin ndaj medieve dhe lënë dyshimin se edhe u shkon në favor që gazetarët në Kosovë „të rrinë urtë!“
Në këtë mënyrë përfaqësuesit ndërkombëtarë të cilët veprojnë në Kosovë vazhdojnë të sillen sikur vlerat themelore të shoqërive të zhvilluara demokratike vlejnë vetëm për vendet nga vinë ata, ndërsa kosovarët nuk i meritojnë ato. Vetë Bashkimi Evropian është në një betejë të ashpër politike me Qeverinë e Hungarisë për shkak të ligjeve të këtij vendi anëtar i BE-së që shihen si hapje e mundësisë për ndikim politik në medie. Pse atëherë BE-ja hesht në rastin e Kosovës ku ka praninë e saj më të madhe.
Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë rast është i domosdoshëm sepse, siç kemi parë gjatë një viti e gjysmë të fundit, vetëm ata mund të kenë ndikim në Qeverinë e Kosovës e vetëm Qeveria e Kosovës mund të vendosë në Kuvend.
Duket sikur Qeveria e Kosovës qëmoti ka hequr dorë nga dhënia e llogarisë para qytetarëve dhe kujdeset që të sigurojë legjitimitetin e saj vetëm nga përkrahja ndërkombëtare. Kemi dhjetëra raste, nga manipulimi i zgjedhjeve, e deri te marrëveshjet me Serbinë, ku subjektet politike janë treguar të shurdhra ndaj opinionit dhe qytetarëve, sepse kanë pasur mbështetjen ndërkombëtare, sidomos të ambasadorit amerikan Cristopher Dell dhe të përfaqësuesve të BE-së. Sa herë që kanë qenë objekt i kritikave nga mediet, shoqëria civile dhe në disa raste edhe opozita, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës u kanë dalë në ndihmë „zyrtarët e lartë ndërkombëtarë“. Kjo është shprehur përmes deklaratave për shtyp, takimeve me ta dhe sigurimit të vizitave jashtë Kosovës. Pra, në këtë mënyrë, me apo pa dashje, faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë përgjegjësi për të gjitha veprimet e Qeverisë së Kosovës. Kjo në një kohë kur Qeveria aktuale e Kosovës, e cila është legale, sepse janë ndjekur procedurat ligjore, por jo edhe me legjitimitet të plotë demokratikë, pasi që Qeveria ka shumicën e votave në Kuvend, por ato vota nuk përfaqësojnë shumicën e votave të qytetarëve në zgjedhjet e fundit. Në këtë mënyrë stabiliteti i Qeverisë është siguruar vetëm përmes mbështetjes ndërkombëtare.
Ky faktor ndërkombëtar është kujdesur edhe për të mbajtur të heshtur pjesën më të madhe të opozitës, me përjashtim të lëvizjes “Vetëvendosje”. Krejt kjo për shkak se faktori ndërkombëtar në Kosovë në këtë moment prioritet nuk e ka zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe sigurimin e mbrojtjes së parimeve themelore, siç është liria e shprehjes, por ka disa prioritete afatshkurta politike. Për të siguruar këto „prioritete“ ku kryesori ishte dialogu me Serbinë, faktori ndërkombëtar ka sakrifikuar demokracinë. Përpos përkrahjes deklarative asnjë hap konkret nuk është bërë për të mbrojtur lirinë e medieve, ndërsa ka pasur raste kur disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë ndihmuar në rritjen e presionit ndaj medieve.
Kur vinë në Kosovë disa zyrtarë të huaj u përshtaten rrethanave të Kosovës edhe në komunikimin e tyre me mediet dhe nuk bëjnë përpjekje të sjellin shembuj nga vendet e tyre. Është mirë për politikanët, qoftë edhe ata ndërkombëtarë, që të mund të kenë ndikimin në medie. Është mirë që t’i kenë edhe nën kontroll raportimet e tyre. Nëse nuk ka sistem i cili e pamundëson ndikimin e politikës në medie, atëherë nuk mund të presim që politikanët, për shkak të vlerave morale, t’i respektojnë mediet.
Pasi që shteti i Kosovës është një projekt ndërkombëtar, pasi që Qeveria e Kosovës për të gjitha veprimet thirret në kërkesat ndërkombëtare, edhe në rastin e Kodit penal duhet kërkuar që të shprehen edhe „ndërkombëtarët“, para së gjithash, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Zhbogar, dhe ambasadorët e vendeve të Quintit. Gazetarët duhet të mos dorëzohet dhe të luftojnë për të drejtat e tyre. Zyrtarët ndërkombëtarë vijnë e shkojnë, ndërsa mediet mbeten këtu për të funksionuar në këtë rreth. Nga ndërkombëtarët nuk do të mund të kërkohet përgjegjësi pas disa vitesh. Por tash kur janë këtu duhet t’ua rikujtojmë se çfarë thonë dhe atë që predikojnë edhe ta zbatojnë. Në të kundërtën, mund vetëm të konstatojmë se ata janë bashkëpërgjegjës edhe për faktin se në Kosovë ende nuk është në tërësi e siguruar liria e shprehjes.
Sa marrëzi është pohimi i një gazetari shqiptar nga Kosova se: “Nuk është për t’u habitur se Kuvendi i Kosovës miraton ligje që rrezikojnë pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të punës së gazetarëve”.
A nuk e kupton populli shqiptar se kjo do të thotë se qeveria e tyre nuk është qeveri e tyre por armiku i tyre?