Komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fule, pritet të vizitojë Tiranën javën që vjen, më 3 maj, ku përveç takimeve me krerët më të lartë të institucioneve dhe me aktorët kryesorë politikë në vend, është parashikuar të mbajë edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë, në Bruksel, një ditë pas deklaratës së ministres së Integrimit, se realizimi i 12 prioriteteve nuk mbaron as në shtator, Komisioni Evropian ka përkujtuar se vendi duhet të dëshmojë rezultate konkrete dhe të mjaftueshme në të gjitha fushat, në mënyrë që Shqipëria të mund të përfitojë stastusin kandidat apo çeljen e negociatave për anëtarësim.
Në një intervistë për TCH, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, përsërit se për të ecur përpara në rrugën e integrimit, vendi duhet të prodhojë një masë kritike rezultatesh, jo vetëm në reformat politike, por në të 12 prioritetet kyçe të përcaktuara nga BE.
Ministrja e Integrimit deklaroi të martën në Bruksel se 12 kriteret nuk mund të përmbushen deri në shtator pasi disa prej tyre kërkojnë më shumë kohë. A është e mundur që Shqipërisë t’i rekomandohet statusi kandidat në vjeshtë, vetëm me përmbushjen e kritereve politike?
Në procesin e integrimit të çdo vendi aspirant, afatet kohore janë në duart e vetë vendit. Shqipëria ka një pasqyrë të qartë të asaj që nevojitet për t’u bërë dhe këto janë 12 prioritetet kyçe, të cilat janë përcaktuar si parakusht për nisjen e negociatave për anëtarësim.
I takon Shqipërisë të dëshmojë performancën e saj, pra shpejtësinë e reformave apo shpejtësinë e dhënies së rezultateve për angazhimet në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe. Komisioni po vëzhgon, po ndjek, si dhe po vlerëson progresin e arritur. Dhe duke u bazuar në progresin e arritur, ne do të vendosim nëse vendi ka përmbushur mjaftueshëm kriteret apo detyrimet, para se të lëvizet drejt hapave të tjerë në procesin e integrimit.
Por mesa duket, qeveria nuk synon më çeljen e negociatave për anëtarësim, por vetëm statusin kandidat për këtë vit. A është i arritshëm ky qëllim vetëm me plotësimin e disa kritereve dhe cilat do të ishin ato?
I takon secilit vend që t’i zgjedhë vetë ambiciet, apo idetë se si ky vend kërkon të përparojë apo të veprojë. Në çdo fazë të procesit, Komisioni do të vlerësojë progresin e bërë, përmbushjen e detyrimeve, kushteve, në këtë rast të prioriteteve kyçe, dhe vetëm më pas ne do të vendosim, apo do t’i rekomandojmë vendeve anëtare se çfarë duhet bërë që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit.
Ju keni 12 prioritete kyçe dhe ne si Komision Europian presim që vendi të punojë për t’i përmbushur këto 12 prioritete kyçe. Nuk po përcaktojmë afate kohore, por themi se është e rëndësishme që të arrihet përparim në reforma, pasi vetëm duke u bazuar në këtë progres ju mund të lëvizni përpara në rrugën europiane. Është në duart tuaja dhe duhet të keni parasysh se reformat nuk bëhen për të kënaqur Komisionin Europian, por për t’i sjellë përfitime vetë qytetarëve tuaj dhe për ta afruar vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian, një qëllim dhe ambicie e pëgjithshme besoj e qeverisë shqiptare apo e popullit shqiptar.
Me masë kritike rezultatesh, Komisioni ka parasysh vetëm një pjesë të kritereve, si reforma zgjedhore apo parlamentare?
Përgjigja është shumë e qartë: Ju keni 12 prioritete kyçe dhe rezultatet duhet të jepen në të gjitha këto 12 prioritete kyçe. I takon Shqipërisë që të çojë përpara të gjitha veprimet e nevojshme, për të arritur një masë kritike rezultatesh në të gjitha fushat.
Komisioneri Stefan Fule do të vizitojë Shqipërinë javën që vjen, më 3 Maj. Cili është qëllimi i vizitës dhe me kë pritet të zhvillojë takime?
Qëllimi i vizitës është që të ruhet dialogu, të ketë kontakte të rregullta me të gjitha palët e interesuara dhe aktorët kyçë në vend që kanë diçka për të thënë mbi procesin e integrimit dhe reformat europiane, që të shkëmbejë mendimet si dhe të marrë të reja mbi situatën në vend, apo edhe të tregojë se si po perceptohen nga Komisioni përpjekjet e vendit. Pra, ky është qëllimi i vizitës: të marrë të rejat më të fundit, të shkëmbejë mendime dhe të takojë të gjithë aktorët e rëndësishëm në Shqipëri për procesin e integrimit.
Përgatiti: Arta Tozaj
Deri kurë do të jemi të varur për ardhmërinë tonë si komb nga qeveria nga Brukseli, Londra, Uashingtoni dhe Moska?
A jemi ne më të vërtetë komb me aftësi të kufizuara mendore?
Un nuk jam dakort me kete integrimin, apo futjen e Shqiperise ne komunitetin Europian.”Integrimi” ka nje fature ekonomike qe ne si Shqipetare nuk na intereson ne kushtet e mjeruara ku jemi. Per mendimin tim hyrje dalja e lirshme ne vendet e BE eshte mese e mjaftueshme. Prandaj zoti Fule do beje mire te integroj ndonje shtet tjeter. Po te votohet per hyrje ne BE une do te votoja kunder sepse nuk shikoj ndonje te mire qe mund te vije nga hyrja ne BE, pervec faturave qe duhet te paguajme per te arritur ne nje nivel me vendet e zhvilluara te BE. Qeveria Shqiptare, opozita dhe media gjithashtu, do te ishte mire qe te informonte Shqiptaret realisht per konsekuencat e futjes ne BE si gjerat pozitive dhe ato negative. Une jam i sigurte se asnje Shqiptar nuk ka minimumin e informacionit lidhur me problemet financiare qe mund te hasen nga nje futje eventuale e Shqiperise ne BE. Dhe fajin per kete e ka vetem politika qe trumpeton “integrimin” pa informuar realisht popullin per problemet qe mund te dalin ne te ardhmen.
Oreksi vjen duke ngrën (thot populli) na fusni në BE pas kandidimit dhe të tjerat i regullojm së bashku.