Tajlanda pritet që shumë shpejt ta njohë Republikën e Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran. Dhe kjo falë lobimit të fuqishëm që është duke e bërë për Kosovën, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, së bashku me princeshën, pasardhësen e familjes mbretërore tajlandeze Mom Luang Rajadaraski Jayankura. Kështu ka thënë për gazetën “Zëri”, Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Pacolli.
“Kontaktet e para dhe interesimi i princeshës Rajadarski për Kosovën, kanë nisur në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë ceremonisë gala të ndarjes së çmimit të paqes, “Gusi Peace Prize International”, që iu dha zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacollit, në Filipine, i cili çmim atij iu dorëzua nga vetë princesha”, sqaron këshilltari Zyberaj.
Sipas tij, pas një kohe të shkurtër, me propozimin dhe insistimin e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, princesha Rajadarasri është nderuar me titullin Konsulte e nderit e Republikës së Kosovës, në Tajlandë, e cila menjëherë pas nominimit të saj, ka hapur në Tajlandë, zyrën e Republikës së Kosovës, të cilën siç thotë Zyberaj, e financon vetë ajo.
“Kështu kontaktet mes zyrës së zëvendëskryeministri dhe princeshës zhvillohen në baza ditore. Që në fillim kur është hapur zyra jonë në Tajlandë, nga princesha Rajadarasri, kemi asistuar në furnizim me materiale të ndryshme si, informacione rreth Kosovës, rreth historisë, rreth ekonomisë sonë me qëllim të nxitjes së investimeve etj. Gjithashtu e kemi furnizuar me flamuj, me hartat e Kosovës të punuara me gurë të çmuar etj. Megjithatë, gjithë kostoja e funksionimit të zyrës sonë në Tajlandë, që është zyrë e Kosovës për gjithë rajonin, mbulohet nga princesha. Këtu përfshihen edhe disa makina, dhe më shumë se pesë punëtorë që punojnë në administratë”, ka thënë Zyberaj.
E kontaktuar nga “Zëri”, vetë princesha e Tajlandës ka rrëfyer përshtypjet e para për Kosovën, kur kishte marrë informacionet për të kaluarën dhe të tashmen e vendit të vogël në Ballkan.
“Unë isha ftuar që të ndaja çmimin prestigjioz “Gusi Peace prize”, në Filipine. Laureati i këtij çmimi ishte ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli. Fillimisht më ka bërë përshtypje humanizmi i tij dhe angazhimi që e ka pasur në Afganistan në lirimin e pengjeve. Ishte fat i madh që unë isha caktuar që t`ia dorëzoja çmimin, dhe pata rastin që ta njoh nga afër presidentin Pacolli”, u shpreh Rajadaraski, duke shtuar se posa është e informuar për historinë e Kosovës i kishte premtuar Pacollit ndihmë për të ardhmen e popullit të Kosovës.
“Pastaj, kur u informova në detaje për historinë e Kosovës, për vuajtjet e popullit të Kosovës dhe për përpjekjet për të ndërtuar shtetin isha thjesht e emocionuar. I premtova presidentit Pacolli se do të jem në krahun e tij që të punojmë bashkë për të ardhmen e popullit të tij”, tha princesha.
Si femër me ndikim jo vetëm në Tajlandë, por edhe në shtetet përreth, princesha Rajadaraski, siç njofton zyra e zëvendëskryeministrit, tashmë është duke zhvilluar aktivitete të ngjeshura me udhëheqës shtetesh të vendeve të Azisë Juglindore.
“Në koordinim me zëvendëskryeministrin Pacolli, princesha Rajadarasri, zhvillon një aktivitet të ngjeshur, në baza ditore me udhëheqës shtetesh të vendeve të Azisë Juglindore si: Tailanda, Kina, Mianmar (ish-Burma), Singapori, Laos, Indonezi, Bhutan, Kamboxhia (është këshilltare e kryeministrit tani), Vietnam, Nepal, Brunei etj”, ka thënë këshilltari Jetlir Zyberaj, duke shtuar se pikërisht Brunei, ishte një nga rezultatet e punës së princeshës.
Po ashtu Zyberaj tregon se tashmë princesha Rajadaraski, përmes zyrës së saj për Kosovën, ka arritur që kosovarëve të interesuar t’iu sigurojë lëvizje pa viza. Ndërsa këtë vend tashmë do ta vizitojë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxha.
“Për shkak të agjendës së zotit Pacolli, Tajlandën do ta vizitojë ministri Hoxha, bashkë me këshilltarin e tij, Lulzim Pllana. Princesha do të kujdeset për mbarëvajtjen e vizitës prej aeroportit e deri në përfundim të vizitës”, bëri të ditur Zyberaj.