Vjedhësit e hekurudhës rrezikojnë jetën e 40 pasagjerëve

7 Maj 2012, 11:21Rajoni TEMA

Vjedhja e një sigurese të hekurudhës, që ndodhi para tri ditësh në linjën Fushë Kosovë – Han i Elezit,  dy kilometra larg terminalit në fshatin Miradi, ka rrezikuar seriozisht jetën e mbi 40 pasagjerëve që po udhëtonin në këtë linjë. Policia e Kosovës (PK), ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy persona të dyshimtë, shqiptar, Z.P dhe F.B, të cilët janë kapur nga policia të premten, një ditë pasi që ata kishin demoluar siguresën. Edhe pse kjo vjedhje i shkaktoi dëme materiale Hekurudhave të Kosovës, mbi 40 mijë euro, pasagjerët shpëtuan.

“Si shkak i vjedhjes se siguresës së binarëve, treni me udhëtarë që qarkullonte për Elez Han ka dalë nga binarët. Dëmi është rreth 40 mijë euro, është dëmtuar lokomotiva. Në konsultim me PPQ-në te dyshuarit dërgohen në mbajtje, për hetime të mëtejme. Dy të dyshuarit kanë pranuar rastin në tërësi”, thuhet në raportin e PK-së.

E drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Agron Thaçi, ka vlerësuar se nuk mbahet mend një vjedhje e tillë, që ka rrezikuar shumë rëndë transportin hekurudhor në Kosovë.

“Vjedhje vazhdimisht ka pasur edhe në linjat funksionale që i kemi, por kjo vjedhje e tre majit, ka cenuar rëndë komunikacionin. Pra, për nga rreziku që e ka shkaktuar, ka qenë vjedhje e rëndë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shpjeguar se elementet të cilat janë vjedhur, janë kyç, ngase bëjnë ndarjen e binarëve. “E kemi një ndërruese ndarëse, që e ndan binarin industrialë që të çon për Graçanicë e për Kishnicë. Nga demolimi i ndërrueses është ndërruar edhe drejtimi i binarit, dhe treni është vu në pozitë neutrale”, ka shtuar ai.

Drejtimi i trenit në një hapësirë pa binarë, ka bërë që ai ta humb drejtimin. E tërë kjo kishte mundësi të përfundonte tragjikisht, në qoftë se do të mungonte vigjilenca e makinistëve të trenit. Thaçi tregon se makinistët e kishin vënë re 30 metra para se të afroheshin te siguresa, se diçka nuk ishte në rregull. “Ata sapo e kanë vërejtur kanë frenuar vrullshëm duke e zbritur shpejtësinë e trenit në 40 në orë”, ka shtuar Thaçi.

Treni pas 70 metrash që kishte përshkuar kishte arritur të ndalej plotësisht.

“Fatmirësisht asnjë udhëtar nuk është lënduar. Mirëpo lokomotiva është zhvendosur mjaft shumë nga binarët. Po të ishte shpejtësia më e madhe, realisht kjo ka mundur të përfundonte në mënyrë fatale”, ka thënë ai.

Fakti që siguresa e vjedhur, nuk ka mundur t’u sjellë dy “vjedhësve” që dyshohet të jenë nga fshati Dobrevë, shumë përfitime, “diku rreth 10 euro”, e bën Thaçin të dyshojë përse është kryer ky akt.

“Prej atij momenti, ne kemi kërkuar nga krerët më të lartë të PK-së, që të merren masat dhe të gjenden autorët. Tash kemi informacion që ata janë zënë dhe gjenden në burg, ndërsa rasti i tyre ka shkuar në gjykatë”, ka thënë ai./KD

1 komente në “Vjedhësit e hekurudhës rrezikojnë jetën e 40 pasagjerëve”

  1. Misiri says:

    po pse ore duhet te prishim pronen e perbashket
    dhe te demtojme te tjeret deri kur
    respekt
    http://www.freealbania.blogspot.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje