Kapiteni i Bajern Mynih, Filip Lahm, mendon se ekipi i tij duhet të mundë Çelsin në finalen e Ligës së Kampioneve të së shtunës nëse dëshiron të cilësohet si pjesë e “brezit të artë”.
Lahm ka qenë pjesë e ekipit në ndeshjen finale të dy viteve më parë, kur skuadra e tij u mund nga Interi me rezultatin 2-0. Por ai mendon se ekipi aktual ka forcën për të fituar dhe për të krijuar një cikël, që ka si synim të arrijë atë të presidentit Uli Hënes dhe shefit të klubit Karl Hainc Rumenige, të cilët kanë fituar tre trofe radhazi në vitet 1974, 1975 dhe 1976.
“Të duhet një titull ndërkombëtar nëse dëshiron të cilësohesh si “brezi i artë”. Kërkon gjithmonë të ngresh kupën kur shkon në finale dhe kuptohet që është diçka e bukur të jesh i pari që e ngre atë në qiell. Nuk do të kem edhe shumë vite si futbollist në nivele të larta”, u shpreh mbrojtësi 28 vjeçar.
Sipas tij, Çelsi është një skuadër frikshme edhe për shkak të objektivave të dyfishtë që ka në këtë ndeshje.
“Çelsi është një skuadër me shpinën pas murit, pasi kanë patur një sezone me ulje-ngritje në kampionat. Nëse ata e humbin finalen, nuk do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe të gjithë e dimë se çfarë do të thotë një gjë e tillë për një skuadër si Çelsi. Çdokush që mendon se e kemi fituar këtë ndeshje, e ka shumë gabim”.
Lahm ka qenë protagonist në finale e Ligës së Kampioneve edhe në vitin 1997, por atëherë ka qenë thjesht një prej djemve që mblidhnin topat pas porte në ndeshjen që Borusia Dortmund fitoi 3-1 kundër Juventusit në “Olimpiashtadion” të Mynihut. /lajmeshqip