Ish-sulmuesi brazilian Ronaldo, ka qenë një nga të ftuarit e presidentit të Real Madrid, Florentino Perez, në festimet e titullit të 32-të kampion të madrilenëve. Futbollisti ka qenë një nga më të adhuruarit e publikut madrilen në periudhën e “galaktikave”, ndërsa ai mendon se edhe skuadra aktuale dhuron po aq spektakël në fushën e lojës.
“Jam i lumtur që Reali ka fituar këtë titull, duhet t’i përgëzojmë të gjithë pasi e meritojnë. Kanë qenë skuadra më e mirë e sezonit dhe kanë bërë një kampionat të jashtëzakonshëm me shifra spektakolare. Dua të them se kanë qenë më të mirë se Barcelona dhe vetëm kjo është mëse e mjaftueshme pasi kanë kaluar një rival shumë të fortë. Janë kampionë me meritë pasi kanë ftuar më shumë ndeshje se të tjerët, përfshirë edhe suksesin në “Kamp Nou” që është fusha më e vështirë”.
“Suksesi është i të gjithë ekipit dhe stafit teknik. Por është e vërtetë se Murinjo është gjeni si trajner. Ma kanë thënë shumë lojtarë që kanë qenë në ekipet e tij. Sukseset e tij janë para syve të të gjithëve. Nuk është normale të fitosh kaq shumë tituj dhe ta bësh në katër kampionat të ndryshme. Do të më kishte pëlqyer ta kisha patur trajnerë në karrierën time”, ka treguar Ronaldo.
Nuk kanë munguar në fund fjalët rreth paraqitjes së Ronaldos tjetër, Kristianos, i cili është një prej kandidatëve kryesorë për të fituar “Topin e Artë” falë paraqitjeve me madrilenët. “Ai është një lojtar fantastik. Ka shënuar shumë gola në këtë sezon, por brenda pak vitesh që ka te Reali, ka bërë diferencën. Është një lojtar shumë i madh. Mesi apo CR7? Janë të njëjtë. Mesi dhe Kristiano janë më të mirët në botë. Kanë merita për ato që ka bërë gjithsecili prej tyre”, përfundoi ish-sulmuesi brazilian./lajmeshqip