Thaçi u frikësohet zgjedhjeve në PDK

18 Maj 2012, 12:05Rajoni TEMA

Drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë lënë pas dore procesin e zgjedhjeve të brendshme, fillimi i të cilit ishte paralajmëruar rreth dy muaj më parë, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Drejtues të kësaj partie.

Për zgjedhjet e brendshme, të cilat fillojnë nga nëndega dhe “kurorëzohen” me kuvendin zgjedhor, anëtarësia e partisë më të madhe në vend nuk janë duke gjetur “kohë të lirë”.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Shemsi Veseli, i ka thënë “Zërit” se qëllimi është që zgjedhjet të mbahen brenda vitit, prandaj, sipas tij, PDK-ja nuk është duke u ngutur që ta përfundojë këtë proces.

“Gjithsesi që zgjedhjet në Partinë Demokratike do të kryhen brenda këtij viti. Çështja e kohës është relative, për arsye se jemi të preokupuar dhe të angazhuar rreth shumë aktiviteteve tjera”, thotë ai, duke shtuar se dhjetori i këtij viti do ta gjejë PDK-në me organe të reja.

Sipas tij, kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës së shpejti do të mblidhet dhe do të vendosë përfundimisht për datën se kur duhet të fillojë procesi i zgjedhjeve në nëndegë, në degë dhe në kryesinë qendrore.

Ndërsa zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, thotë se Këshilli Drejtues ka vendosur që kryesia e partisë të mblidhet nga fundi i muajit maj, prandaj, sipas tij, PDK nuk është vonë me këtë proces…/ZERI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje