Nga Ilir Beqja
Ngadalësimi i rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, përfshirë pothuasje ngecjen në këtë pjesë parë të vitit 2012, kanë shtuar nevojën e një debati, pothuajse të munguar, për modelin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë
Nëse lëmë jashtë arsyetimit vitet 90-të që u karakterizuan në fillime nga inercia e ekonomisë së planifikuar, në mesin e tyre nga flluska e piramidave financiare dhe në fundin e tyre nga riinstalimi i rendit publik dhe stabilizimi financiar pas kaosit të vitit 1997, dekada e parë e mijëvjeçarit të ri është karakterizuar nga zhvillim bazuar në rrugë të lehta të rritjes ekonomike.
Këto rrugë të lehta kanë shteruar dhe ne jemi në një udhëkryq. Jemi rritur pa punësim, jemi rritur me borxhe shërbimi i të cilave na kushton më shumë se rritja vjetore, jemi rritur duke privatizuar skajshëm por sektorët e privatizuar gjenden në krizë, jemi rritur në kurriz të mjedisit dhe të shfrytëzimit primitiv të burimeve natyrore.
As nismat e qeverisë aktuale që drejton vendin që prej 2005 nuk kanë arritur të ndryshojnë këtë situatë. As “Shqipëria 1 euro”, as “Taksa e sheshtë”, as “Zonat e Lira Ekonomike”, etj nuk kanë arritur të krijojnë një profil të ri të ekonomisë shqiptare.
Nevoja e pakundërshtueshme për një model të ri zhvillimi duhet të nisë nga analiza e llogarive kombëtare dhe nga vlerësimi i oportuniteteve apo avantazheve që Shqipëria ofron.
Llogaritë Kombëtare në të cilat duket pesha e çdo dege të ekonomisë duhen analizuar veçmas, por më me interes janë ato që sjellin më shumë vlerë të shtuar. Pa dyshim, që midis tyre, Industria është, teorikisht, dega që sjell më shumë vlerë të shtuar, por edhe më e vështira për t’u vënë siç duhet në lëvizje. Analiza retrospektive afatgjatë dhe afatshkurtër tregon se mbetemi në nivele kontributi njëshifror dhe me luhatje jo të vogla nga viti në vit. Grafiku 1 tregon ecurinë e kontributit të Industrisë (nxjerrëse dhe përpunuese) në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Industria nuk ka arritur të japë më shumë se 10 % në PBB-në shqiptare.
Edhe në tre vitet e fundit, industria është zhvilluar me shumë zik-zake. Kurba blu e grafikut 2 jep rritjen e industrisë me bazë vjetore për çdo tremujor në periudhën 2009 – 2011. Në këta 12 tremujorë, grafiku ilustron se rritja e industrisë lëviz nga -13 % në + 32 %. Madje kjo luhatje ndodh brenda një viti e gjysëm. Ndërkohë pesha ende modeste e industrisë në ekonominë tonë ilustrohet edhe me faktin që rritja ekonomike tremujore (kurba e kuqe) nuk shkon në të njëjtën tendencë me rritjen e industrisë.