Banka Botërore: Rritje ekonomike 1.6 përqind sivjet. Kujdes borxhin ndaj biznesit

5 Qershor 2012, 12:59Politika TEMA

(E PERDITESUAR)- Gjashtë vende në Evropën Juglindore po përballen me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive në rritje në eurozonë, thuhet në raportin e zhvillimeve ekonomike të Evropës Juglindore, përgatitur nga Banka Botërore. Në raport thuhet se në Shqipëri po shënohet rënie ekonomike, kjo dëshmohet me rënien e eksporteve dhe me rritjen që po shënon borxhi publik. Sipas BB, sivjet rritja ekonomike do jetë 1.6 përqind.

“Është 2 apo 1.6 apo 3 përqind, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është një rritje e dobët dhe e pamjaftueshme për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Një rritje e ngadaltë nuk mund të jetë një rritje që shkon për të varfërit. Pikërisht për këtë arsye, prioriteti kryesor i Shqipërisë duhet të jetë mbrojtja për të varfrit”, përgjigjet Drejtoresha e BB-së për Shqipërinë, Ksenia Lvovski, duke folur për TCH.

Zonja Lvovski thotë se në këto kohë të vështira vende si Shqipëria kanë pak mundësi për të reaguar për shkak se qeveritë nuk kanë hapësira fiskale dhe para. Me shqetësim Banka Botërore vëren këtë radhë edhe borxhin që qeveria ka krijuara ndaj bizneseve me detyrimet e papaguara.

“Vitet e fundit ka disa detyrime të prapambetura ndaj sektorit privat, nëse bizneset nuk paguhen, është e qartë se preket aftësia e tyre për të vazhduar aktivitetin. Ky ka qenë edhe një nga faktorët, ndonëse jo i vetmi, që ka rritur kreditë e këqia në banka. Disiplina fiskale duhet të jetë më thelbësore se sa numrat, sepse është e rëndësishme që defiçiti të mbahet në 3 përqind, por është gjithashtu e rëndësishme që të ndalet krijimi i borxheve në të ardhmen”, deklaron zonja Lvovski.

“Pas një rritjeje prej 2.2 përqind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 përqind rritje për 2012,” thotë Zeljko Bogetiç, ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore.

Megjithëse ulja e rritjes ekonomike në 1% është një rënie e konsiderueshme, Bogetiç theksoi se shifrat mund të keqësohen me tej, në varësi të faktit se si do të zgjidhet kriza ekonomike në Greqi.

“Është e rëndësishme të theksohet se ky parashikim bazë nënkupton një zgjidhje normale të krizës greke dhe mbajtjen nën kontroll të përhapjes më të gjerë të saj”, theksoi Bogetiç, duke vënë në dukje se kjo nxjerr në pah rëndësinë e forcimit të rezervave fiskale dhe financiare në të gjitha vendet.

Me këto nivele të larta të borxhit publik dhe presionet e financimit, shumica e vendeve duhet të miratojnë programe të rëndësishme konsolidimi fiskal.

“Kjo është sfida kryesore afatshkurtër e politikave për vendet në të cilat raporti borxh-PBB është rritur shpejt,” thotë Bogetiç, duke theksuar se “politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër.”

Rritja ka qenë e dobët dhe kryesisht pa rritje punësimi gjatë rimëkëmbjes të viteve 2010-11. Arritjet në uljen e varfërisë në periudhën e para krizës po përmbysen, dhe klasa e mesme është bërë më vulnerabël, sipas treguesve objektivë dhe subjektivë të mirëqenies, thuhet në raport.

“Me pritshmëri më të ulëta të rritjes ekonomike shumë në krahasim me atë të përpara krizës dhe presioneve të larta sociale, qeveritë e vendeve të EJL6 duhet të adoptojnë një axhendë reformash strukturore më ambicioze dhe urgjente për rritje ekonomike dhe punësim,” thekson raporti.

 

4 komente në “Banka Botërore: Rritje ekonomike 1.6 përqind sivjet. Kujdes borxhin ndaj biznesit”

  1. ARON says:

    Nje vend kaq i vogel dhe me probleme te medha .Po ne rrogat i rrisim ,nga 30 mije leke ne muaj i shtojme 31 mije ,papunesia ska fare regjistra,po ku te veje me poshte pensioni mes.80 mije leke do ta ngreje sala 83 ,po çmimet qe i kemi me larta se greqi e Itali disa produkte,po nga del rritja,u shtohen te ardhurat nje pakice dhe e pjestojme me ate qe mezi shtyn muajin dhe barabarte jemi ,,une punova jashte shtetit shtate vjet dhe mblodha 100 mije euro ,kam shtate vjet ne Tirane ,shita dy makinat qe solla,shtepine ,pa pune ,biznesi secen se nuk ka konkurence te ndershme,te sfidon kokrruari,po kujt tja thuash ,kam dhe borxhe dhe skam as shtepi,si do veje halli? Kot fare shty diten ne kafe ,puna po me mik te punosh tek pronaret qe jane per vete gjys te cmendur.Fol me veten.

  2. Tironsi says:

    Zoti FULLANI, a ka ndonje koment per kete???

    1- ai edhe po qe se flet do flase me fjale te medha per te coroditur publikun, qe te mos kuptoje gje nga ato qe thote ai. Se normalisht ai vuan nga sidromi i madheshtise bufone.

    2- ai nuk flet dot per kete, se eshte servil lepires i pushtetit/pushteteve. Eshte per te ardhur keq e gjynah, per gjithe ate burre me karakter lecke!!

  3. BORXHI says:

    dhe SALIU del ne televizor e krenohet duke thene se ka gjetur BORXH qe te laje BORXH.

  4. kelmendasi says:

    Rritje e ngadalte.Nuk ka perkeqsim sic shkruani ju per cdo dite.
    Tung

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje