Ministria e Punëve të Jashtme ka mohuar se Qeveria e Kosovës ka paraqitur kërkesë për anëtarësim të shtetit në Organizatën e Konferencës Islamike. Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Artan Behrami, ka deklaruar se kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit që ka zhvilluar javën e kaluar me Sekretarin e përgjithshëm të OIC-ut, Ekmeleddin Ihsanoglu, ka kërkuar ndihmën e kësaj organizate islamike për Kosovën, por nuk ka kërkuar që shteti të pranohet si anëtare e kësaj organizate, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo për faktin se anëtarësimi në OIC, sipas tij, ka kritere që duhet plotësuar shtetet pretendente.
“Deri më sot Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në OIC. Statusi i kësaj organizate nuk lejon anëtarësimin e vendeve që nuk janë anëtare të OKB-së”, ka thënë Behrami.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që kërkesa për anëtarësim në OIC të bëhet në të ardhmen, kur edhe të jenë krijuar kushtet për parashtrimin e saj.
Agjencia e lajmeve “MENA-FN” nga Lindja e Mesme pati raportuar se sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate e ka mirëpritur vullnetin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme e kësaj organizate.
“Kosova ka vuajtur nga padrejtësia dhe represioni nën një administratë që nuk i respektonte të drejtat politike, religjioze dhe kulturore të njerëzve të vendit. Tash, pas pavarësisë dhe njohjes nga 91 shtete, përfshirë 30 shtete anëtare të OIC-ut, organizata jonë po pret që në të ardhmen Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së dhe e OIC-s”, është cituar të ketë thënë Ihsanoglu.
Më pas kjo agjenci i është referuar edhe Thaçit të ketë thënë se Kosova me 95 % të popullatës të besimit mysliman e mirëpret mbështetjen e OIC-ut, veçse anëtarësimit në të duhet t’i paraprijë anëtarësimi në OKB.
Faktikisht, në kumtesën që është lëshuar në faqen zyrtare të OIC-ut, pas takimit Thaçi-Ihsanoglu nuk është përmendur fare kërkesa për anëtarësim të Kosovës në OIC, ashtu sikur nuk është përmendur as në komunikatën që ka lëshuar Zyra e kryeministrit të Kosovës të njëjtën ditë.
OIC-u aktualisht numëron 57 shtete anëtare. Në mesin e tyre është edhe Shqipëria. Përveç shteteve anëtare, janë edhe pesë shtete që kanë status vëzhguesi. Në mesin e këtyre të fundit është Bosnjë-Hercegovina./KD
Tobestrofullah
ku ju shpie mushka o te papare,liri nuk doni sepse liri nuk meritoni