Njëra dorë ndihmon tjetrën!

9 Korrik 2012, 21:07Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

 

Derisa ajka e pushtetit të ri serb me në krye presidentin Tomisllav Nikoliq dhe mandatarin e qeverisë Ivicia Daçiq, ishin tubuar në fshatin e lindjes së Dragan Markoviqit- Palmës, për të dëgjuar muzikë të Goran Bregoviqit, shikuar kick boks dhe shijuar “shlivovicën” serbe të Jagodinës… nga Dubrovniku pitoresk, ish- presidenti dhe humbësi i zgjedhjeve të fundit serbe Boris Tadiqi bëri që me një “handshake” me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, sivëllezërve të tij tek Jagodina jo vetëm t’ua prishte shijen e festës por edhe t’i vinte para një situate delikate.

Tadiqi, pas kësaj ngjarjeje tha që ky takim “spontan” mes tij e Thaçit nuk ka “rëndësi historike” sepse ata ishin parë edhe herë tjera (gjatë negociatave të Ahtisaarit në Vjenë). Kurse Thaçi e plotësoi që për një takim të mirëfilltë mes këtyre dyve tashmë është “vonë”. Sidoqoftë, duhet thënë se për dallim nga Vjena apo ndonjë takim tjetër që mbaheshin larg syve të kamerave dhe me këtë edhe opinionit të gjerë në rajon e Europë, ky shtërngim duarsh në Kroaci ishte jo vetëm demonstrativ por edhe në mënyrë të vëmendshme i inskenuar.

Prania e kryeministrit kroat Zoran Milanoviq në krahun e prapmë të Tadiqit dhe e Sali Berishës prapa delegacionit të Prishtinës nuk ishin të rastësishme. Ata ishin aty për të ndërhyrë “spontanisht” nëse do të ngjante diç e papritur dhe meqë për fatin e të gjithëve dhe sidomos Phil Gordonit çdo gjë vajti sipas planit- si Thaçi ashtu edhe Tadiqi u ndanë të kënaqur dhe hodhën në përqafimet e të dyve përskajt. Për të na lënë kështu të gjithë neve të hamendësohemi apo analizojmë, supozojmë apo prognozojmë se çfarë ishte qëllimi dhe ku do ta ketë bishtin kjo befasi shqiptaro-serbe, e cila ndodhi në Dubrovnik të Kroacisë.

Së pari, nuk ka asnjë dilemë që takimi ishte dhe është me rëndësi – si për Hashim Thaçin ashtu edhe vetë Kosovën. Për Thaçin, sepse evitimi që sidomos fuqitë e mëdha europiane i kanë bërë dhe vazhdojnë t’ia bëjnë atij është një dënim mëse i pamerituar, si për të ashtu edhe për interesat e shtetit të ri dhe qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë, ky është lajm i mirë dhe një pikë e cila më në fund nuk i ndanë “interesat” e Thaçit prej atyre të vendit në krye të të cilit është.

Por ja që njëra dorë, në këtë rast s’e pastron, por thjesht, ndihmon tjetrën.

Thënë shkurt e shqip – Tadiqi i ka bërë një shërbim Thaçit por për të mos e tepruar me teori konspiracioni, është sidomos Thaçi ai që Tadiqit ia ka kthyer me një kundërshpërblim edhe më të madh, edhe më të majmë!

I thyer politikisht, dëshpëruar dhe hidhëruar pas zgjedhjeve në të cilat humbi çdo gjë – edhe postin e Presidentit edhe shumicën parlamentare, me kriza të brendshme në parti dhe Gjillasin e uritur për pushtet, Tadiqit i duhej Thaçi këso radhe si karta e fundit në lojën e tij politike për të dërguar disa porosi por para së gjithash për t’i dënuar të gjithë ata që po e tallin e përqeshin, shajnë e mallkojnë. Sinjali që Tadiqi u dërgoi serbëve ishte që nëse ishte president dhe luftoi për Kosovën me “mish e shpirt” tashti kur e kanë dënuar me largimin nga posti do t’u tregojë që di edhe kështu!

Daçiqit, sidomos këtij që e tradhtoi por edhe Nikoliqit, të dyve pra, do t’ua lërë preshin e Kosovës në duar kurse ish-binjakëve politikë me në krye Vesna Peshiqin e Çeda Jovanoviqin, do t’u thotë që mundet edhe ky si ata. Bile me një peshë e pozë shumë më të fortë dhe shumë më simbolike sesa ata – edhe kur Kosova është në pyetje.

Nëse takimi i tij do të çojë porosi edhe në prag të takimeve të Gordonit me kundërshtarët e tij në Beograd – Daçiqin e Nikoliqin, mbetet të shihet. Por, ajo që dihet është se Tadiqi me këtë gjest ata i ka shuplakuar rëndë dhe si kryeministri i ardhshëm serb ashtu edhe presidenti i tashëm do ta kenë shumë më të vështirë të mos e pranojnë legjitimitetin e përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës së Kosovës.

E këta përfaqësues të shtetit tanë vazhdojnë të mos e kuptojnë, analizojnë dhe para së gjithash shfrytëzojnë çastin e volitshëm dhe historik në të cilin Republika e Kosovës është me ndërrimet radikale dhe retrogarde në Serbi.

1 komente në “Njëra dorë ndihmon tjetrën!”

  1. INTEGRIMI says:

    NJERA DORE NDIHMON TJETREN DHE ILIRI I INTEGRON ?
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/07/ilir-meta-lsi-ja.html

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje