Heshtje përballë krimit social “fëmijë që detyrohen të punojnë”…

10 Korrik 2012, 10:38Blog TEMA

Nga Silvi Halili

 

Jeta shqiptare është e mbushur me shumëllojshmëri problemesh, disa prej të cilëve kanë depërtuar deri thellë në jetën e fëmijëve. Fëmijët nuk kanë mjedise ku të luajnë e argëtohen. Fëmijët nuk kanë kushte në qendrat e tyre të banimit për të kaluar gëzueshëm pushimet verore. Kjo është prezente dhe në qytetin tim, në Tepelenë. Fëmijët janë pa mjedise dhe në qytetet Gjirokastër, Sarandë, Këlcyrë, Memaliaj e Përmet. Po si e kalojnë periudhën e pushimeve fëmijët? Po kohën pas mësimit ditor? Sa fëmijë nuk shkojnë në shkollë se nuk i lejojnë familjet? Ata që kanë kompjutera e lojëra elektronike, mbyllen në shtëpi, duke luajtur. Ata fëmijë, familjet e të cilëve kanë kushte e mundësi jetese të nivelit të mirëqenies së mesme e të lartë, shkojnë me pushime në plazhe e qendra kampingjesh argëtimi e çlodhëse në qytetet e tjera. Pjesa tjetër kalon ditën rrugëve, duke u mbushur kohën me çfarë t’u krijoj rastësia. Por pjesa më e ndëshkuar janë fëmijët që punojnë, ose ata që quhen “fëmijë punëtorë”. Ata detyrohen të kryejnë lloj-lloj punësh madje dhe të rënda, për shkak të nevojave ekonomike që kanë familjet e tyre. Jo më larg se dje, shikoja në fëmijë afro 13 vjeçar, në qendër të qytetit të Tepelenës, që kundërshtonte prindin duke qarë, se nuk donte të shkonte të kryente punë “hamalli” tek tregu i fruta-perimeve.

– Nuk shkoj! – i thoshte fëmija.

– Do shkosh se s’bën – e urdhëronte kërcënueshëm prindi, se ndryshe nuk ke bukë në darkë, nuk ke libra e rroba në shtator! Puno që të hash e të vishesh!

Kam dëgjuar e kam parë në rrjetet sociale që në shumë vende të botës shfrytëzohen fëmijët në punë, duke u përdorur si skllevër. Këta janë fëmijë të braktisur, fëmijë të blerë për t’u përdorur si burim fitimi nga tutorët. Por janë dhe pjesa e fëmijëve, si 13 vjeçari nga qyteti im Tepelena, që përdoren për punë nga vetë prindërit. Madje duke i detyruar me dhunë psikologjike e fizike, për të shkuar në punë. Si rasti që përmenda, janë qindra e mijëra fëmijë në Shqipëri që punojnë, që detyrohen të punojnë, që lejohen prej shtetit të punojnë, që nuk mbrohen prej askujt që e ka detyrim këtë mbrojtje. Unë këtë e konsideroj dhe e denoncoj si krim të rënd social brenda familjes. E kuptoj qartë që ky krim prindëror ndaj fëmijës bëhet i imponuar prej varfërisë që përjetojnë ato familje. Shfrytëzimi i fëmijëve në punë, në çfarëdo lloj pune, kur ai nuk ka moshë ligjore pune është një nga realitetet më të trishtë, hidhërues dhe që nuk po shmanget, nuk po ndalet në Shqipëri, të paktën deri në këto momente që flasim. Ky punësim është abuzim, detyrim që u bën familja fëmijëve për të qenë pjesë e detyruar dhe e shkatërruar e botës së punës. Madje, mund të thuhet se krahët e punës së fëmijëve shqiptarë i ka rrëmbyer dhe industria e plehrave, e metaleve, e pyjeve duke u punësuar e vetëpunësuar për të mbledhur mbetje teknologjike dhe skrap vdekje-prurës prej rrezatimit dhe rreziqeve fizike që ka kjo industri. Të mos harrojmë, që punësimi i të miturve ka shumë viktima 12-16 vjeçarë, të vrarë në disa qytete të vendit tonë si skrap-mbledhës, si transportues, si shitës rruge, si druvarë, si ndërtues, madje dhe si “lëndë e parë seksi”. Këta fëmijë kanë humbur jetën, madje vazhdojnë të shfrytëzohen, në kërkim të të ardhurave për të zbutur varfërinë në familjet e tyre dhe për veten. Ky punësim, ka rrëmbyer gjithçka tek fëmijët, mbasi nuk njeh më as ligj, as kufij, as moshë, as forcë fizike e as shëndet të tyre. E me gjithë këtë, fëmijët edhe pse janë qenia më e brishtë e shoqërisë njerëzore, mbeten pjesë e këtyre detyrimeve që kanë si shkak varfërinë dhe që kanë si përgjegjësi familjen, prindin, institucionet e shtetit.

Në jetën time të përditshme më shoqet e shokët, por dhe në mjedisin ku jetoj, dëgjoj shpesh urdhra e konflikte absurd, madje të dhunshme psikologjikisht e fizikisht, në qëndrimin e shumë prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Kam dëgjuar p.sh. që thonë:

– A do të shkosh në shkollë vitin tjetër?! Atëherë futju punës e siguro lekë, nuk ka pushime e ahengje.

– Eeeeeeee, dashke të shkosh në ekskursion me shokët e klasës, shko puno lëri fjalët.

– Lere shkollën, se nuk ia kemi ngenë, por shko e puno se do të ushqehesh e vishesh…

Përballë këtij realiteti absurd e shkatërrues për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve, ndesh indiferencën e institucioneve të shtetit që kanë në kompetencë mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet me shfrytëzim e punësim skllavërues. Fëmijëve, nuk duhet t’u shpërdorohet e t’u shkatërrohet brishtësia fizike dhe psikologjike, nuk duhet t’u privohen interesat e moshës së tyre. Ky qëndrim detyrues prindëror ndaj fëmijëve, nuk mund të konsiderohet vetëm një ndikim shpirtëror tek fëmijët, por dhe një rëndesë psikologjike, emocionale. Duke shkatërruar kaq brutalisht çdo liri, mendim, interes, ëndërr, pasion e ndjenjë të fëmijës, prindi nuk bën gjë tjetër, veçse ngulit dhe edukon tek fëmija, model të tillë të ardhshëm sjelljeje e trajtimi të dhunshëm, kur ai të bëhet vet prind.

Edhe pse kam dëgjuar që flitet pa fund e me pasion të madh për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përsëri shikoj fëmijë që punojnë krahë prindërve e pronarëve të tyre në punë të rënda fizike në fusha e shërbime publike. Shikoj fëmijë që shesin anës rrugëve automobilistike, që lajnë makina në lavazhe, që ngarkojnë e shkarkojnë makina në tregje, që shesin cigare në lokale, që punojnë madje dhe në ndërtim. Ndërsa mijëra fëmijë pushojnë në bregdet, qindra fëmijë punojnë pranë tyre, duke u rropatur si skllevër! Kjo pamje të krijon përshtypjen, se bota moderne po ndërtohet edhe nga krahët e fëmijëve. Po çfarë bëni ju të rriturit, ju prindërit, mësuesit, qeveritarët, aktivistët e shoqërisë civile që jeni të detyruar të mos lejoni këtë “industri” punësimi fitimprurëse mesjetare, të ngritur mbi krahët, jetët dhe të ardhmen e asfiksuar të fëmijëve?!

Eshtë koha të bëhemi pjesë e një mesazhi gjithëpërfshirës, ndërgjegjësues, të shpërndarë me zemër të hapur ndaj prindërve së pari, për të ndalur abuzimet me fëmijët, për t’i lënë ata të jenë pjesë e lirë e botës së tyre të bukur. Eshtë koha t’i kërkojmë shtetit tonë që ka detyrë të na mbrojë, që të ndëshkojë rëndë këdo prind, punëdhënës, trafikues e tutor që shfrytëzon fëmijët. Ka ardhur koha të mos lejojmë që jeta e fëmijëve të kthehet në një të ardhme pa shpresë, në një send pa vlerë. Pyes krejt çiltërsisht: Ku janë dhe çfarë bëjnë institucionet shtetërore përballë kësaj “ushtrie” me fëmijë skllevër, që punojnë e shfrytëzohen si në mesjetë për një copë bukë?? Përse nuk futet në veprim qeveria? A kanë të drejta fëmijët shqiptarë dhe përse nuk u garantohen?! A duhet të pranojmë e të lejojmë që të kemi këtë brez skllevërish e të pamësuarish, si të ardhmen e kombit tonë?!

5 komente në “Heshtje përballë krimit social “fëmijë që detyrohen të punojnë”…”

  1. Korabi 79', Bathore says:

    Gjynah/Mekat!!!
    I kemi perdite rrugeve te Tiranes duke lypur, duke shitur me tezga neper duar, duke u shfrytezuar ne maksimum nga prinderit dhe/ose tutoret e tyre!!!
    Shteti rri e ben sehir!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/07/femijet-e-bathores-vs-berishajt.html

  2. geno says:

    E moj Silvi, nmjere keta femije qe vuajne e perdoren si skllever per buken e gojes dhe turpi qofte me ata pridner qe i perdorin femiejt etyre skllever per te sigurara leke qe te pine duhan e raki. urime per shkrimin qe bee, e ke trajtuar me humanizem kete plage te rende te shoqerore te skalverise se femijeve ne kohet moderne

  3. mesuesi says:

    Dy sindikatat me te medha ne vend per arsimin SPASH dge FSASH deri sot kane harxhuar nja 300 mije euro per nje progrm qe ben fjale per punesimin e femijve dhe per braktisjen e shkolles nuk paska dhene rezultat me sa duket, ose, Hollandezet duhen te japin edhe nja 500 mije euro te tjera ketyra SINDIKATAVE (TE QEVERISE) qe te zhduket fenomeni i punesimit te lashteligjshem te femijve dhe te mos braktiset shkolla prej tyre.

  4. Zejnulla Salihi says:

    Shumë më pëlqeu mënyra e trajtimit dhe qasjes së këtij problemi apo fenomeni jo vetëm te shqiptarët por edhe nëpër shumë vende të botës ku për shkaqe ekonomike keq trajtohen fëmijët. Bëj një krahasim të kohës së fëmijëris sime me këtë kohën e fëmijëve të sodit. Edhepse në ate kohë ishim të angazhuar tepër (ruanim bagëtinë, punonim disa punë të fushës dhe jo me këtë veshje dhe ushqimin e sodit)por dëshira për shkollë (për mësim) ishte e madhe.Loja (lodra) fëminore s’kishim. Me një copë dru imitonim kalin apo veturë. Toptha bënim prej qimeve të bagëtisë etj. etj.Kishim aq kulturë dhe sjellje ashtu si e kërkonte koha e atëhershme edhe pse sot na duket prapambeturi. Parashtrohet pyetja : sot kur shumica e fëmijëve kanë kushte relativisht të mira dhe nuk janë të angazhuar me ndonjë aktivitet – punë kanë rrok rrugën e drogës.Fëmijët e sodit mund të them se deridiku kanë gjithçka por kanë devijuar si në aspektin edukativ, moral, social edhe ate human.Edhe pse kam edhe shumë e shumë fjalë për të shkruar do ta shkurtoj vetëm me një përfundim se, prej punës nuk kemi dam përkundrazi ne duhet të fëmijët të krijojmë mitin e punës ta duan dhe t’i gëzohen përfitimeve nga puna (kuptohet nga puna e ndershme). A nuk i shohim japonezët deri ku kanë aritur me punë.Fëmiu në fjalë e ka refuzuar punën se sheh për rreth tij se si luajnë dhe rinë fëmijët tjerë.Fëmijët kanë nevojë për një përkushtim më të madh prindor. Atyre u duhet edhe një orar ku do t’u përfshihej edhe angazhimet e ndryshme edhe koha e lirë e të mos u lehen anarhisë.Gjithçka të jetë në suazat e moshës dhe mundësive të tyre e jo edhe e tepruar.Sot kur jemi në kohën e internetit apo kibernetikës interesimi dhe dëshira për shkollë (për mësim) thuaj se gadi plotësishtë ka ra. Edhe ato që vazhdojnë shkollimin mundohen “në tre qind ” mënyra që sa ma lehtë ta marrin apo të kryejnë ndonjë nivel shkollimi.

  5. sinan hibro says:

    Zj. Silvi, ne thelb e trajton problemin sikur Shqiperia eshte nje “ishull i lumtur ” , prandaj qenkerka cudi qe ekziston shfrytezimi i femijve…Me shume gjase autorja duhet te jete punonjese sociale , numri te cileve kohet e fundit eshte shtuar shume. Nderkohe varferia , deri ne mjerim e shume familjeve thellohet .Me e bukura eshte se u drejtohesh prinderve, shkolles, punonjesve sociale (vetes tende )etj. me pyetjen ” … cfare beni …? ” kunder kesaj industrie perfitimi mesjetare … Jo moj zj./she , nuk eshte industri perfitimi por lufte per mbijetese. Ne shkrimin tend shprehesh se kam degjuar prinder qe i thone femijve keshtu e ashtu … A ndalove per ta pyetur prindin – pse vepron keshtu . Jam i bindur se do merrje nje pergjigje asgjesuese per ty dhe per tere shtetin tend e timin. Une ne nje rast te tille, me e pakta qe mund te beja do te ishte t’i jepja prindit nje dy apo pese mije lekshe. Mbase jam disi kategorik ne pikepamjen time, por mos harxho kohen me kesisoj patetizmash . Do te pranoja nje lloj thirrje nga ana juaj drejtuar industrise se vertete fitimprurese ( atij 5 % qe zoteron 80 % te depozitave apo pasurise kombetare )per te krijuar fonde ne ndihme te te vobekteve , pra te kultivohet nje fryme charity …. Ne se do te besh nje analize serioze merr disa te dhena p.sh. rritjen e GDP ne vite , rritjen e te ardhurave per fryme, te dhena per varferine, fondin e ndihmes per te vobektit, numrin e punonjesve sociale ne vite etj. etj. ne menyre qe hartimin patetik ta zevendesoje me perfundime reale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje