Kur kanë mbetur dhe pak ditë para se qeveria të paraqesë publikisht buxhetin e rishikuar, shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Ksenia Lvovski në një intervistë për Top Channel, bën thirrje për masa të kujdesshme.
“Ajo që ne rekomandojmë është të rishikohet menyja e opsioneve. Ne jemi të shqetësuar me atë që ka ndodhur në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit, shkurtimin e investimeve dhe shpenzimet e mirëmbajtjes. Kjo nuk është një politikë pro rritjes ekonomike. Shpenzimet e mirëmbajtjes janë prekur edhe më fort, se konsiderohen si më të lehtat për t’u shkurtuar. Por kjo do të thotë se investimet e shumta që janë bërë në të kaluarën në rrugë apo kudo, nuk po mirëmbahen siç duhet dhe nuk do të shërbejnë aq gjatë sa ishin parashikuar”, tha Lvovski.
Por si mundet qeveria të ribalancojë financat e saj, pa shkurtuar fort investimet dhe shpenzimet për mirëmbajtjen e tyre.
“Është e rëndësishme të vendoset një ekuilibër më i mirë mes investimeve dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes nga njëra anë dhe zërave të tjerë. Për shembull rrogat dhe pensionet. Unë e di që qeveria është e angazhuar të rrisë rrogat, por niveli i rritjes së tyre mund të rishihet duke përdorur inflacionin si një target të përshtatshëm. Sepse për shqiptarët është më e rëndësishme që rritja ekonomike të vazhdojë sa të kenë një rritje të lehtë të pagave të tyre në këto kohë të vështira”, tha Lvovski.
Prej disa vitesh Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare, po i bëjnë thirrje qeverisë të ndryshojë politikat buxhetore për të mos rrezikuar qëndrueshmërinë e vendit dhe rritjen ekonomike.
“Ne nuk po propozojmë një politikë strikte shtrëngimi, sepse kjo do të dëmtonte rritjen ekonomike. Ajo që ne kërkojmë është një strategji shumë e kujdesshme për reduktimin gradial të borxhit, pra rishikimin e gjithë programit buxhetor në disa vite. Pikësëpari është e rëndësishme që qeveria të ulë nevojën për borxh, sidomos për borxh të brendshëm që është i shtrenjtë dhe me interesa të larta. Pra të ruhet deficiti këtë vit dhe të reduktohet niveli i tij nga viti i ardhshëm. Më pas ka edhe një mundësi që ky program të plotësohet me zëvendësimin e borxhit, pra uljen e borxhit të shtrenjtë që është marrë në tregun e brendshëm me borxh të lirë dhe afatgjatë nga institucionet financiare të huaja, si Banka Botërore apo të tjera. Por gjithmonë kjo është një masë shtesë që plotëson programin e domosdoshëm për uljen graduale të borxhit”, tha Lvosvki.
Prej disa muajsh qeveria shqiptare është në negociata me Bankën Botërore për një paketë kredie me interesa të buta. Por Banka e ka kushtëzuar dhënien e këtyre fondeve me disa masa konkrete, që qeveria duhet të ndërmarrë për të ulur borxhin. Palët janë në negociata të vazhdueshme dhe deri tani ende nuk kanë arritur në një marrëveshje finale.
Boll asht rrit, akoma doni ju me u rrit?!!!
:p
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/celesi-i-suksesit-ekonomik-shqiptar-97.html