Fabio Borini do të bëhet blerja e parë e Brendan Roxhers si trajneri i Liverpulit, pasi futbollisti italian pret transferimin zyrtar në 48 orët e ardhshme nga Roma, pas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve për 12 milion paund.
Liverpuli e kishte ndjekur prej kohësh futbollistin, por marrëveshja dukej e pamundur 2 javë më parë, kur ai ishte në bashkëpronësi mes Parmës dhe Romës. Por pasi kryeqytetasit blenë edhe pjesën tjetër të kartonit të tij, ata vendosën që ta shitnin dhe falë marrëveshjes me Liverpul, do të përfitojnë 6 milion paund vetëm për një muaj.
Borini është një emër i njohur për Roxhers, i cili e ka drejtuar dy herë më përpara lojtarin 21 vjeçar. Në fillim ai e ka stërvitur te akademia e Çelsit, ndërsa më pas e mori në huazim te skuadra e Suonsi, ku italiani luajti një rol të rëndësishëm në ngjitjen në elitën e futbollit anglez.
Borini ishte pjesë e kombëtares italiane në Euro 2012, e ndonëse nuk u aktivizua në këtë turne, ai shihet si një nga talentet më premtues dhe si e ardhmja e kësaj kombëtareje. Me blerjen e tij, duket qartë që te Liverpuli nuk do të ketë shumë vend për Endi Keroll, i cili po bëhet gati të ndërrojë ekip, sepse nuk dëshiron të përjetojë një tjetër sezon me një rol dytësor.