FIFA ka nisur hetimet pas deklaratave të ish-kapitenit të Sauthempton, Klaus Lundekvam, i cili insiston se ai ka qenë pjesë e një rrjeti lojtarësh që vinin baste në kampionatin anglez.
Sipas tij, kapitenët e dy skuadrave binin dakord për të manipuluar ngjarje si goditja e parë nga këndi apo rivënia anësore, duke fituar para nga bastet, një metodë që ka zgjatur shumë vite.
“FIFA po e monitoron këtë çështje dhe ka dërguar në Angli hetuesin e saj kryesor. Sapo të mësohet i gjithë informacioni, do të vendoset edhe kush do ta kryesojë këtë hetim që është hapur”, shkruhej në deklaratën zyrtare të lëshuar nga FIFA.
Ndërkohë, një tjetër ish-kapiten i Sauthempton, Frensis Benali, ka hedhur poshtë deklaratat e ish-shokut të skuadrës që luante përkrah tij në qendër të mbrojtjes së këtij ekipi.
“Mund të them kategorikisht se nuk kam dijeni për akuzat për baste të bëra nga Klaus. Jam i ndërgjegjshëm për deklaratat që ka bërë dhe i çuditur njëkohësisht. Nuk dija asgjë atëherë dhe aq më tepër të di gjë tani”, tha ai, duke aluduar se Lundevkam mund t’i ketë bërë këto deklarata si pasojë e problemeve që ka patur jashtë fushës së lojës, abuzimi me alkoolin dhe drogën.
“Dihet botërisht që Klaus ka patur probleme kohët e fundit dhe pyes veten mos ndoshta kjo është arsyeja pse ka dalë me këtë histori në media”./lajmeshqip