Felipe Masa: Po, përfundova te psikologu

12 Korrik 2012, 11:03Sport TEMA

Mungesa e rezultateve të mira me Ferrarin ka bërë që Felipe Masa të përfundojë në zyrën e një psikologu. Kritikat e njëpasnjëshme ndaj tij dhe sidomos paraqitjet shumë larg pretendimeve të brazilianit, i kanë krijuar probleme pilotit që po kërkon me ngulm një zgjidhje të kësaj situatë shqetësuese.

“Rezultatet jo të mira kanë ndikuar në aspektin psikologjik. Kam kërkuar një psikolog, i jam nënshtruar edhe terapisë. Duhet të provoj gjithçka pasi mendoj se gjërat do të ndryshojnë për më mirë në fund”, ka deklaruar Masa për ESPN.

Sipas tij, incidenti në Hungari në vitin 2009 nuk është faktori i këtij ndryshimi drastik, ndërsa shumë ka të bëjë me trajtimin që i bëjnë mediat braziliane të cilat e kritikojnë në vazhdimësi.

“Jam mërzitur me këtë histori, nuk jam budalla. Jo vetëm mendoj rreth atij momenti, por kam bërë 45 mijë kontrolle mjekësore dhe të gjithë doktorët thonë se nuk kam asgjë, edhe pse për momentin nuk di të them arsyen e paraqitjeve të mia aktuale. Mua më shqetëson shumë trajtimi që më bëjnë gazetarët në Brazil. A ju duket e drejtë që të gjithë të sulmojnë një pilot i cili përfaqëson vendin e tij?”.

Ndërkohë, Ferrari ka ironizuar me të gjitha zëra për ndërrimin e pilotit brazilian, nëpërmjet një njoftimi humoristik të publikuar në faqen e internetit të skuadrës.

“Në këto ditë të nxehta vere, dëgjon gjëra shumë interesante, ashtu si edhe një listë me emra zëvendësuesish të Masa, që mund të mbulonte të gjithë alfabetin. Në fakt mbetet vetëm një germë bosh, ajo e shkronjës Z, sepse në listën e emrave që sugjerohen për Ferrarin mungon vetë Zorro”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje