Malaga, miliarderët të mbytur në borxhe

17 Korrik 2012, 10:46Sport TEMA

Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë, Luis Rubiales, ka sulmuar ashpër klubin e Malagas duke zbuluar se ata nuk kanë paguar 40% të pagave të lojtarëve.

Klubi nga “Rosaleda” u ble nga një anëtar i familjes mbretërore të Katarit në vitin 2010 dhe që atëherë ka blerë shumë lojtarë të njohur të cilët i ka ende në përbërje si Martin Demikelis, Santi Kazorla apo Hoakin. Por sipas Rubiales, Malaga nuk po përmbush detyrimet kontraktuale ndaj këtyre futbollistëve, ndonëse po mendon që të përforcohet me emra të tjerë cilësorë.

“Me datën 31 qershor, lojtarëve të Malagas ju detyroheshin nga 35% në 40% të rrogave vjetore, që është një sasi e konsiderueshme parash. Ka patur disa situata të komplikuara të cilat nuk mund të shmangen. Tifozët e vërtetë të Malagas duan që klubi të eci përpara”.

“Këtu nuk ka asgjë të veçantë dhe në nuk po sulmojmë një klub në veçanti. Nuk ka rëndësi nëse drejtuesit janë nga Katari, Japonia, Madridi apo Huelva. Ka një rregullore  e cila duhet ndjekur dhe përmirësuar, sepse në futboll gjërat duhen marrë me seriozitet”, deklaroi ai, duke lajmëruar se futbollistët e Malagas mund të bënin menjëherë ankesë pranë kësaj shoqate apo Federatës Spanjolle për t’u mbrojtur nga ky trajtim që po u bëhej.

Malaga e mbylli edicionin e kaluar në vendin e katërt në kampionatin spanjoll dhe këtë vit do të luajë në turin e fundit paraeliminator të Ligës së Kampioneve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje