Ish-futbollisti i përfaqësueses franceze të futbollit, Vikash Doraso, ka kritikuar mënyrën se si po vepron në merkato skuadra e tij e zemrës, Paris Sent Zhërmen, që po bëhet gati të kompletojë transferimin e radhës me suedezin Zlatan Ibrahimoviç.
Ai nuk ka ngurruar të tregojë reagimin e ekspertëve të futbollit që shohin me skepticizëm çdo lëvizje që po bën klubi për t’u përforcuar. “Po vdesim duke qeshur! 30-40 milionë euro për një lojtar 31 vjeçar?!”, ishte komenti i tij që tregonte qartë se si shumë njohës të futbollit mendojnë se blerjet e PSZH po bëhen pa një plan të qartë.
Sheikët e Katarit nuk kanë vënë limit për blerjet te klubi që kanë në pronësi, ndonëse kjo bie në kundërshtim me rregullat e fair-play financiar të UEFA-s, ndërsa qindra milionave të shpenzuar një vit më parë i kanë shtuare dhe ato të këtij sezoni me blerjen e Laveci e Tiago Silva, ndërsa pritet mbërritja e Ibrahimoviç e Verrati, me këtë të fundit që është i vetmi lojtar që mund të cilësohet një talent i të ardhmes.
Sipas Doraso, pronarët nuk kuptojnë asgjë nga futbolli, duke i krahasuar me njerëzit që nuk njohin cilësinë e verërave.
“Po, sheikët e Katarit mund të blejnë çfarë të duan, edhe qenie njerëzore. Njerëzit mund të quhen Zlatan, Kaka, Tevez, atyre nuk u intereson. Ata thjesht duan që të jenë të shtrenjtë. Ata janë si njerëzit që nuk e njohin verën e mirë”.