Përse kryetares së Kosovës në detyrë, Atifete Jahjaga, mund t’i ndërrohet edhe emri por nuk mundka t’i ndërpritej mandati në këtë post? Përse sovrani (populli i Kosovës) e ka tashmë një interpretues zyrtar të pritjeve, shpresave, besimeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij – Gjykatën Kushtetuese?
Nga Halil Matoshi
Nuk do të thotë se duhet të jesh një jurist i përmbaruar që të kuptosh thelbin e hajgarellëqeve ballkanike dhe posaçërisht t’i kuptosh ‘muhalifet’ kosovare, të lidhura në një bohçe, demek të paketuara si verdikt e në emër të popullit’ por që shiten në publik si hajmali, një fjalë – një lirë!
Këtë rashamoniadë e kupton sapo e lexon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth statusit kushtetues të zgjedhjes dhe mbështetjes ligjore që po i dhënka Kushtetuta qëndrimit në krye të shtetit deri në vitin 2016, polices Atifete Jahjaga.
Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjithçka nis me popullin: “Ne, populli i Kosovës” por nuk vazhdon dhe nuk përfundon gjithçka me të.
Sepse nen pas neni e fjalë pas fjale, populli shndërrohet në komunitete etnike, shqiptarë, serbë, turq, boshnjak, goranë, RAE, komunitete shumicë e pakicë, komuniteti LBGT…
Dhe aty-këtu qytetarë të rritur në shoqëri politike.
Në Kosovë secili është i barabartë para ligjit dhe pushtetet janë të ndara. Neni 3 i Kushtetutës (Barazia para Ligjit) e përcakton këtë.
Kurse neni 4 (Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit) pika 6 precizon se “Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”.
Dhe krejt kjo po shkonte sipas procedurave normale derisa Gjykata Kushtetuese i dha shpjegimet përfundimtare pse Atifete Jahjagës, kryetares, nuk mund t’i ndërpritet mandati presidencial me amendamente dhe me marrëveshje politike.
Në aktgjykimin mbi 40 faqesh që ka “përimtësuar” në shoshë e derman kjo gjykatë, qartësohet se Jahjaga, më 7 prill të vitit 2011, ka marrë besimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta drejtuar shtetin në mandat pesëvjeçar.
Mbështetur në këtë vendim, Kushtetuesja ka nxjerrë përfundimin se ndërprerja e parakohshme e mandatit të presidentes, e shkaktuar nga futja e sistemit të ri zgjedhor, pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Sipas një leximi logjik-formal dhe sipas një qasjeje politikisht të dirigjuar kjo që thotë Kushtetuesja ka një mbështetje të brishtë, ngase amendamenti 10 cenon disa të drejta të qytetarit.
Mirëpo, për një vendim të kundërt më këtë, pasi që kishte shumë hapësirë për mëdyshje, po me aq lehtësi mund të manipulohej neni 55 i Kushtetutës (Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore) që në pikën 2 thotë: “Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi”.
E kufizimi ishte i domosdoshëm deri në atë masë sa të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizmi.
Pra, sigurimi i legjitimitetit demokratik në zgjedhjen e kryetarit të shtetit, një qytetar me identitet të qartë arsimor, kulturor dhe politik, me qëllim të avancimit të demokracisë dhe ngritjes së imazhit të vendit për përfshirje në politikat e përbotshme si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kaq!
Nëse Gjykata Kushtetuese është fjala e fundit për Kushtetutën, dhe ia jep vetes të drejtën që ta interpretojë një dëshirë ose shpresë të popullit, atëherë që sot, kjo gjykatë e ka fituar “me shpatën e drejtësisë” të drejtën që popullin ta quajë lakror, ndërsa Atifeten Zarife!?
Pse?
Sepse populli nuk e ka thënë ende fjalën e vet, ai ende nuk është pyetur, se çfarë sistemi zgjedhor dëshiron, parlamentar apo presidencial, apo gjysmëpresidencial…
E derisa populli nuk është pyetur, Gjykata Kushtetuese mund ta quajë atë edhe lakror, por populli ka për të ikur nga ky ofiq si prej djallit, ashtu siç do të ikte Atifetja nga emri Zarife, zonja që është katapultuar në krye të shtetit!? Më të drejtë.
Sepse në një shtet ligjor askush s’ka të drejtë ta riemërojë dikë qysh t’i teket pa vullnetin e tij.
Por ja që paska Kosova interpretues kaq të zotët e zulmëmëdhenj sa që të drejtën e njërit e vendosin mbi të drejtën e secilit…
“I gjithë populli i Kosovës pret që ajo të jetë presidentja e tyre gjatë pesë vjetëve të ardhme. Kështu që, shkurtimi i mandatit të saj, siç propozohet me amendamentin 10, e privon popullin e Kosovës nga përfaqësuesi i tyre legjitim dhe garantuesi në një kohë më të hershme seç besonin dhe shpresonin”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Kjo fjali është rast unik në interpretimet e gjithëbotshme kushtetuese, jo pse interpretuesi është shfaqur i anshëm në vendimin e vet dhe ka diskriminuar akterë të tjerë, as për faktin se sovrani nuk është pyetur fare se çfarë profili për kryetar shteti kërkon.
Por, kjo fjali është unike për analet juridike-kushtetuese botërore për faktin se është fjali telepatike, (hyjnore, ruana Zot’) që e paragjykon një dëshirë dhe pritje të tërë popullit, një besim dhe shpresë të tij, sepse populli, gjithnjë sipas këtij interpretimi marroç, ai paskësh folur e thënë: “Ne presim me nge, sepse ne duam me zjarrmi, që Atifetja të jetë hala kryetare e jona, përndryshe ne ndihemi të privuar nga përfaqësuesi ynë legjitim, nga garantuesi ynë… më herët seç besonim dhe shpresonim…”
Gati sa nuk është thënë edhe kjo: Ndihemi të privuar që po na ndani nga prindi ynë…ectr.
Pritja, dëshira, besimi (jo në Zot, por në diçka tokësore) dhe shpresa, ja fjalët kurth në të cilat bie interpretuesi i Kushtetutës së një vendi nominalisht demokratik, si të ishte interpretuesi i ëndrrave në Tabir Saraj, nga romani “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë.
E po të ishte vërtet interpretuesi i ëndrrave në Tabir Saraj dhe të bënte një shqitje të tillë (si t’u ketë hipur skive), për fatin e tij të keq e të parathënë, do t’i shkonte koka.
Nja dymbëdhjetë ‘Xhelatogllu’ do t’ia prisnin qafën me kama…
Por interpretuesi është këtu, njeriu ynë, eksperti juridik, institucioni legal dhe i pavarur i shtetit.
Ai nga i cili varet vendosja e shtetit të së drejtës në zanafillë, nga i cili varet mosrrëshqitja në anarki, mosabuzimi me të drejtat e qytetarit dhe pushtetit.
Garanti dhe zbërthyesi i aktit suprem juridik të një shteti.
Mirëpo, pasi interpretuesi i ëndrrave (tani e tutje në tekst nuk do të ketë vijë demarkacione në mes të interpretuesit të Kushtetutës dhe interpretuesit të ëndrrave) ka marrë mandatën që shefit të madh t’ia interpretojë një ëndërr të keqe (diçka si rënie, si fund, si rrokullisje a përmbysje…) me një postscriptum të qartë në kursiv, se interpretimi duhet të jetë ai që e dëshiron Sovrani, interpretuesi është stepur, ka kruar kryet, ka vrarë mendjen dhe për t’iu shmangur telasheve me shefin ia ka dhënë një version që shefit i pëlqen: Versionin e popullit!
Sepse Sovrani i di po ashtu për mrekulli dhe deri në detaje dëshirat, pritjet, besimet, shpresat e popullit.
E versioni më i besueshëm, më pak kokëçarës, më bindës dhe më i paprekshëm e i paqortueshëm në shoqëritë tradicionale arkaike është ai i popullit.
Kështu Sovranit i është dhënë interpretimi i cili i duket i drejtë, ndonëse është fare i pamenduar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, pa sens teorik dhe praktik.
Sepse Sovrani me zgjatjen e pushtetit të Zarifes mbi Vilajetin e errët ia ka zgjatur pushtetin edhe vetes, së paku deri më 2014.
Nëse siç raportojnë mediet, theksimi i emrit të Kryetares kosovare po shkaktuaka vështirësi në Bruksel e gjetiu, do të ishte me vend si hap pragmatik dhe preventiv që me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të të njëjtave primesa “jurdike” t’i ndërrohet edhe emri Atifete, me një emër më lehtë të shqiptueshëm, dhe tepër popullor (sepse populli po do kështu!?) p.sh Zarife – dhe arsyetimi i vendimit do të bëhej me lehtësi të padurueshme, pasi që ky emër anonim doli nga zarfi i ambasadorit Dell, i cili ua la ‘kile’ tre udhëheqësve të tre partive politike kosovare!?
Po në këtë rast e do ta mbronte vendimin e Kushtetueses Kryetarja?
S’do të linte gur pa rrotulluar për ta kapur keqbërësin. Kurse tashti po kënaqet në heshtjen e saj, në mosbërje dhe mosgabim.
Së këndejmi, me këso vendimesh të “Konstitucit” (shprehje e Isë Boletinit për Kushtetutën) as nuk do të ketë reforma zgjedhore, as zgjedhje presidenciale dhe as të përgjithshme këndej pari, deri atëherë kur t’i teket Shefit të madh të Tabir Sarajit…
Në anën tjetër interpretuesi i ëndrrave e ka shpëtuar kokën, ndërsa populli i ka këqyrë punët e veta.
Qëllon ndonjë individ, qytetar i edukuar që ndalet dhe thotë: “Heu, sa mirë po dinë me ia hyjdisë punët vetes!”
Kaq.
Populli këtu e kryen detyrën e tij patriotike.
Porse, një kësi arsyetimi popullist për një marrëveshje politike skajshmërisht jopopullore të tre njerëzve të fuqishëm në Kosovë, duket në të parë, se e riktheu “popullin” në Kushtetutën e vendit!?
Po e riktheu, ama vetëm sa për ta tallur, e jo për t’i ofruar shërbime të mira juridike, rend dhe ligj.
Aq më pak emër të mirë, brend…
Gjykata Kushtetuese kinse e ka shpallur një kinse vendim kinse juridik, por atë e ka mbështetur në mjete të forta folklorike: “Përralla me lesh, e mira prej nesh.”
E pritjen, dëshirën, besimin dhe shpresën e popullit për Zarifen që doli nga zarfi – këtë amanet të popullit duhet çuar në vend!
Për hair 2016!