Sa shumë ushqime importi!

26 Korrik 2012, 11:59Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Jo pak shqiptarë, kur psonisin këto ditë, bëjnë pyetjen: ” Si shpjegohet që kaq shumë fruta e perime importohen nga jashtë, edhe tani në kulmin e sezonit të prodhimit vendas ?” Ndërsa ata që ndjekin statistikat e INSTAT-it, mund të bëjnë pyetjen se si shpjegohet që për çdo 100 lekë mallra ushqimore që kemi eksportuar në 6 muajt e parë të vitit, janë futur në Shqipëri 766 lekë mallra ushqimore importi (http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/trjnew/TRJ_Qershor_12/t2.xls). Dhe këto pyetje të çojnë vetiu tek pyetja tjetër më thelbësore: “Si shpiegohet që privatizimi i bujqësisë, në vend që të sillte bollëk të produkteve bujqësore shqiptare, ka sjellë në fakt lënien e jo pak tokave djerrë?” Kësaj pyetje, shumë analistë i janë përgjigjur me të drejtë se fajin e ka politika.

Kritikat kryesore ndaj politikës grupohen në dy kategori. Në ato që shohin si fajtore primare politikën e periudhës së diktaturës komuniste, e cila e shfytyroi bujqësinë me eksperimentet ekstreme kolektiviste, dhe ato që ia hedhin fajin PD-së për iniciativën e shpërndarjes së tokës atyre që e punonin.

Të dyja këto kritika qëndrojnë, por nuk e adresojnë plotësisht problemin. Kështu, është e padiskutueshme që kolektivizimi i sforcuar ekstrem vrau ndjenjën e pronës dhe komunitetit në fshatin shqiptar. Por të njëjtën gjë kolektivizimi e kishte bërë edhe në Kinë, e cila, pas shpërndarjes së tokës për përdorim anëtarëve të komunave bujqësore, e dyfishoi prodhimin e drithërave në 10 vjet. Gjithashtu, është e padiskutueshme se parcelizimi i tokës bujqësore mbi parimet e barazisë është një politikë jo fort e bazuar në logjikë ekonomike. Por nuk duhet harruar se zhvillimi i vrullshëm i bujqësisë japoneze e pati zanafillën në reformën agrare që bëri gjenerali amerikan McArthur pas Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë përse reforma bujqësore nuk dha rezultat në Shqipëri? Së pari, që ditën që PD-ja shpalli se do të privatizonte bujqësinë, PPSH-ja, e vendosur ta mbante pushtetin me çdo kusht, filloi një sulm të egër propagandistik për t’i futur frikën fshatarëve se toka do t’iu rikthehej bejlerëve dhe agallarëve. Dhe rezultatet e atij sulmi u panë në zgjedhjet e marsit 1991, në të cilat kryetarët e kooperativave fituan pothuajse 60% të vendeve në parlament.

E ndodhur para një realiteti të tillë, PD-ja propozoi një ligj për shpërndarjen e tokës, i cili praktikisht nuk i kompensonte ish-pronarët e vjetër. Duke krijuar kështu një pasiguri pronësie, e cila nuk lejonte shitblerjen dhe dhënien me qira afatgjatë të tokës – mekanizma këto vendimtare për konsolidimin e fermave dhe investimeve private në to.

Kuptohet që ligji i propozuar nga PD-ja bazohej në një llogari të thjeshtë politike – pa shpërbërjen e kooperativave, ajo nuk mund të fitonte zgjedhje. Dhe këtë llogari politike të saj pakkush e kritikonte atëherë. Edhe vetë PR-ja, e cila sot ka zgjedhur si kauzë dalluese të saj mbrojtjen e ish-pronarëve të tokës, në atë kohë, shprehej se “ishte që toka t’i përkiste atij që e punonte”, dhe që “tokën bujqësore fshatari të kishte të drejtë ta trashëgonte, por jo ta shiste, ta blinte ose ta jepte me qira” (Programi Elektoral i Partisë Republikane – gazeta “Republika”, 17 shkurt 1991).

Zgjidhja e detyruar politike e PD-së në vitin 1991 ishte një hibrid midis modelit kinez dhe atij japonez, dhe si e tillë, ishte e destinuar të dështonte. Por fatkeqësisht, pas fitores së marsit 1992, PD-ja, e cila kishte marrë një mandat plebishitar nga elektorati, nuk iu përkushtua kompensimit fizik ose financiar të ish-pronarëve të vjetër. Si rezultat, 20 vjetët që pasuan e mbajtën bujqësinë shqiptare në limbo – tregu i tokës nuk u zhvillua si në Japoni, ngaqë ekzistonte pasiguria mbi pronësinë, dhe prodhimi bujqësor nuk u rrit si në Kinë, ngaqë shteti nuk vazhdoi të shërbente si furnizuesi i lëndëve të para dhe grumbulluesi i prodhimeve.

Duke u kthyer tek pyetja e fillimit në lidhje me frutat dhe perimet e importit, një pyetje tjetër që mund të bëhet sot është “A do të vijë dita që në tavolinat tona të kemi me bollëk perime dhe produkte të tjera bujqësore shqiptare?” Edhe për këtë pyetje, mbetet të hidhen sytë nga politika për përgjigje.

Nën presionin e BE-së dhe Bankës Botërore, politika shqiptare do të arrijë t’i vërë një ditë kapak ligjor çështjes së pronësisë. Ndërsa më tej, mbetet të shihet se çdo të bëjë qeveria që do të jetë në fuqi atëherë. Thënë më shkoqur, mbetet të shihet nëse ajo do të vazhdojë politikën e mbështetjes së heshtur të oligarkëve të importimit të produkteve bujqësore, apo do të zbatojë politika që nxisin prodhimin bujqësor vendas .

11 komente në “Sa shumë ushqime importi!”

  1. labi says:

    ore Edi edhe per bujqesine do te na flasesh tani na nxore ne drite me sondazhet dhe tani i je futur edhe bujqesise. Shko njehere nga tregu bej njehere pazar pyet nga vine prodhimet dhe pastaj bisedo edhe me Lubonjen semos edhe ai ka ndonje gje per te thene dhe pastaj shkruaj nje artikull tjeter. Te fala nga fshati

    1. sinan hibro says:

      Edhe une mendoj se e ke gabim … une nuk bej shpesh pazar , por mbreme m’u desh te bleja rrush, pjeshka, shalqi … te gjitha ishin prodhime vendi … nuk diskutohen me domatet apo perimet e tjera !

      1. import-eksporti says:

        o sinan, po vetem rreshtin e pare lexon ti vella? kur raporton vete instati qe ka 766 leke importe ushqimesh per cdo 100 leke eksporte, merre me mend sesi eshte gjendja. mos u genje o sinan me dy kokra rrush e pjeshke…

  2. elio says:

    O ti shkrimtar, perse nuk e thua troc qe ne shqipetaret nuk jemi mesuar te kerrejme token…Gjysher e stergjysher kane jetuar me blegtori e rrale me vreshta e pemetari…

  3. Illo says:

    Ne Shqiperi nuk ka pasur dhe nuk ka bujqesi , deri sa mbeten 270 mije Ha. djerr. A e di autori i shkrimit , qe prodhimi bujqesor i soteem , eshte 3 here me i vogel se ne 1990 ? Fjala eshte per bimet e arave . Kjo qeverri dhe keta dy Ministra , kurre nuk mund ta nxjerrin nga kolapsi bujqesine dhe mjedisin . Per kete gjendje keta duhet te pergjigjen ne gjyq . Po kush t’i paditi ? Illo

  4. Konica says:

    Nje analize shume e ceket…ngjan me nje qofte maqedonsi qe eshte e mire kur hahet e ngrohte…autori perserit kushedi sa here te njejtat argumenta permes nje aresyetimi dhimsurisht linear….per shembull, kete gjeneralin amerikan McArthur e ka bere lecke duke e perdorur vend e pa vend. Eshte kollaji te therrasesh “politika” dhe te fajsosh ligjin e tokes. Ka nje numer faktoresh te lidhur sa me politiken, sa me ndjenjen e punes se shqiptareve, sa me koniukturat e tregjeve e jashtme, sa me teknologjine, dhe se fundi sa me sistemin e stimujve te vete fermereve. Thuhet se autori eshte ekonomist bujqesor…jo se ka ndrit ne analizat e tjera…vetem se kur tjetri flet per zanatin e vet, pritet qe te flas me kompentence e profesionalizem dhe jo t’i lodhesh lexuesit per cic micet e politikes.

    1. tifoz politike says:

      ja paske fut kot o konica, po pse reviste shkencore eshte gazeta? ne futemi ketu per te lexuar analiza politike, o konice, jo per te lodhur koken me shkence…

      1. anticensurë says:

        o tifozo,
        që konica ka të drejtë për cektësinë e artikullit,ka të drejtë!ky është një artikull i radhës së zaloshnjes!asgjë më tepër!por dhe ti ke të drejtë,ti mjaftohesh me nja dy fjalë të “llogjikshme” dhe kaq!një analizë politike bëhet thellë dhe jo hop hop tak tak,avarësisht se ajo koka tënde lodhet shpejt!nuk jemi ke McDonaldi këtu o vllajo!tema nuk është fast-fud!
        por të bësh një analizë për shkaqet e prapambetjes së bujqësisë duhet të thellohesh!
        përveç atyre faktorëve që përmënd zaloshnja janë dhe:
        -subvencionimi(konica)
        -proteksionizmi
        -korrupsioni politiko shtetror
        -fleksibiliteti i taksave doganore dhe përdorimi për subvencionimin e bujqësisë vëndase!
        -etje etj!

        1. tifoz politik says:

          o anticensure, qenke filozof zoteria jote! po qe tema eshte fast-food kjo dihet, se fast-food jane te gjitha gazetat ne bote. opinionet ne gazeta kane zakonisht 800-1200 fjale. dhe ne keto 800-1200 fjale trajtohen nje ose dy teza kryesore. edhe ky zaloshnja ketu ka trajtu ceshtjen e reformes gjysmake te pronesise se tokes bujqesore (jo aq mire sa c’e meriton kjo ceshtje)dhe ka arrit ne perfundimin se, pasi te perfundoje ajo, vlen te diskutohet per ate listen tende te gjate. po sic duket ti nuk ia ditke vleren te drejtes se prones, prandaj i jep me teper rendesi listes tende se sa problemit te pronesise

    2. Latif Dreqi says:

      ke te drejtem, artikull kot, pa koke e pa kembe..Nuk e kuptoj pse gjithnje lidhet me PPSh kjo pune?dakord, muter ishin ata, por Zaloshnja si nip ballisti, duhet ta dije edhe sa toke te punueshme hapen komunistet.Sot nuk behen studime bujqesore, ke pare qe Ruli shkon ne ndeshje gjelash deti ne peqin. Vendi yne do perparoje atehere kur bujqesia, blegtoria te sjellin te ardhura.Franca shtet industrial, ne bote njihet si prodhuese djathi dhe vere. Italia po ashtu.Ne genjehemi duke shitru tek njeri-tjetri rrecka turke.Buxheti i bujqesise eshte 4% e totalit, ndersa per mbrojtjen eshte diku tek 16%..!Nuk kerkohet faji tek fshatari, nqs 1 dynym toke do 14.000 lek, te lerohet..po lerojne me kuaj!

  5. Domate e shartuar me spec says:

    Ne kete shkrim,shikon qe autori ka shume pak njohuri per bujqesine.
    Toka nuk punohet se te rinjte jane ne emigracion.
    Toka nuk punohet se mbillet droge,fitimi me perime eshte shume i vogel.
    Parcelat e vogla te fshatarve nuk perdorin tekollogjit e avancuara,por perdorin stimulues per ritjen para kohe ne menyre fiktife te prodhimit.
    Ne treg ka prodhim vendeas,por tani nuk e dallon nga prodhimi i huaj se perdorimi i stimulanteve eshte me i shfrenuar se ai i te huajve.
    Pjepri i vendit eshte si patate,domatja nuk ka shije,speci vetem formen dhe madhesine ka,molla eshte pjekur 1 muaj para etj.
    Femijet po shtojne ne peshe si perimet,ne saj te stimulanteve qe marrin bashke me ushqimet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje