Deputetë apo qeveritarë pa imunitet?

26 Korrik 2012, 10:43Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Dy momente më mbetën në mendje nga fjalimi i kryeministrit Berisha në mbledhjen e Qeverisë në lidhje me imunitetin e deputetëve: “Ramën nuk e lë klubi i miliarderëve në PS që të hiqet imuniteti” dhe “Rama do hyjë në Guinness si i vetmi kryetar opozite në botë që e don kryeministrin me imunitet”.

Në rastin e parë, Berisha asnjëherë nuk na ka thënë se cilët janë anëtarët e këtij klubi miliarderësh, por ia ka lënë imagjinatës së publikut të hamendësojë për lloj- lloj emrash. Po çfarë mund të bëjë ky grup deputetësh miliarderë që ia kanë vënë Ramës të dyja këmbët në një këpucë e s’po e lënë që t’u hiqet imuniteti?! Të gjithë e dimë që këta deputetë miliarderë të opozitës nuk kanë në dorë administrimin e fondeve publike; nuk kanë në dorë dhënie licencash kombëtare lotarie; nuk kanë në dorë dhëniesh tenderash për uniforma policie a ushtrie, rrugësh a fibrash optikë; nuk kanë në dorë dhënie licencash në hidrokarbure, miniera dhe energjetikë; nuk kanë në dorë nxjerrje të shitje të reparteve ushtarake në zonat turistike e kështu me radhë.

Po çfarë kanë në dorë ata? Më së shumti mund të kenë një biznes të cilin për shkak të detyrës që ushtrojnë aktualisht, ia kanë deleguar gruas, vëllait apo kujtdo që ata e kanë parë të arsyeshme. Ky grup miliarderësh “ka në dorë” që me bizneset e tyre të kryejnë evazion fiskal, pra të mos deklarojnë të ardhurat dhe për rrjedhojë të paguajnë më pak taksa. Për ta zhbiriluar këtë janë organet e hetimit të Drejtorive Rajonale Tatimore. Këto organe, në çdo kohë e për dyshimin më të vogël, kanë të drejtë të ushtrojë kontrolle tatimore dhe në rast se konstatojnë se subjekti nuk i ka dokumentet në përputhje me ligjin, ndërmarrin sanksionet e parashikuara. A ka patur rast që një deputet i klubit të miliarderëve, i cili në funksion të mbrojtjes imunitare të jetë bërë shkak për pengimin e kontrollit dhe marrjen e masave ndëshkuese ndaj biznesit tij? S’kemi dëgjuar deri më sot asnjë rast. E nëse do kishte, këto organe janë të mbrojtura nga Kodi Penal (neni 235) dhe Ligji “Për Procedurat Tatimore” (neni 53), të cilat parashikojnë masa për kundërshtuesit dhe penguesit e punonjësve që ushtrojnë detyra shtetërore që nisin nga gjoba deri në pesë vite burg. Berisha, me 73 mandatet që disponon në Kuvend, për pak minuta e zhvishte nga imuniteti çdo deputet të klubit të miliarderëve, pengues të organeve tatimore, dhe ia jepte drejtësisë.

E pra, asgjë nga këto s’ka ndodhur e s’ka për të ndodhur. I gjithë artikulimi i Berishës për “klub miliarderësh të opozitës” është një nga “argumentet” më idiote që një kryeqeveritar mund të bëjë i cili ka për qëllim të frustrojë opozitën dhe të çorientojë opinionin publik. E sigurt është që nëse Rama sot do ishte deputet, avazi i Berishës do rrihte në tjetër drejtim; në atë që Rama nuk e do heqjen e imunitetit pasi ka frikë nga aferat që ka bërë në bashki. E meqenëse kjo kartë nuk funksionon në këtë rast, atëherë hajt të shpikim një “klub miliarderësh” që me korrupsionin e tyre dhe pengimin që po i bëjnë heqjes së imunitetit, po vonojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Dhe vijmë në momentin e dytë, kur Berisha i thotë Ramës se është i vetmi kryetar opozite në botë që e don kryeministrin me imunitet. Në fakt këtu ka njëfarë të drejte, pasi Rama dhe ekipi i tij opozitar nuk po ia plotësojnë këtë dëshirë kryeministrit. Është fare e thjeshtë për t’u trajtuar dhe në sinkron me atë çka kërkon kryeministri. Një mundësi e ndryshimit të Kushtetutës përsa i përket imunitetit mund të ishte që: Deputeti, i cili pranon të marrë mandatin e kryeministrit apo të bëhet pjesë e kabinetit qeveritar, zhvishet menjëherë nga çdo lloj imuniteti. Ai është i hetueshëm në çdo kohë nga komisionet parlamentare si dhe nga organi i prokurorisë. Mbi kryeministrin dhe ministrat ndiqet e njëjta praktikë hetimore sipas Kodit të Procedurës Penale, njësoj si për çdo shtetas të Republikës, pa marrë asnjë lloj leje nga Kuvendi. Deputeti që ka pranuar të jetë kryeministër apo ministër, edhe pas heqjes dorë nga këto detyra dhe kthimit të tij vetëm si deputet, sërish mbetet pa imunitet dhe është i hetueshëm në çdo kohë për detyrën shtetërore që ka kryer.

Kjo besoj se do ishte zgjidhja më e mirë dhe ajo që kërkon edhe BE-ja. Kjo do i bënte ministrat që drejtojnë top-ministritë më të përfolura: e Mbrojtjes, e Ekonomisë, e Brendshme, e Financave, e Transporteve … që të mendoheshin mirë përpara se ta hidhnin firmën në shkresurinat që po shesin çdo ditë pasuritë kombëtare. Dhe kjo më së shumti do i plotësonte më në fund dëshirën Berishës që mezi po pret … të mbetet pa imunitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje